Panairi Mbarëkombëtar i Librit Akademik nisi sot punimet për herë të parë

Panairi i parë kushtuar librit akademik dhe shkencor ka nisur sot punimet në praninë e përfaqësuesve të enteve botuese, të institucioneve dhe të universiteteve publike, përcjellë KultPlus.

Nën simbolikën e dyfishtë të kësaj dite që përkon me përkujtesën botërore të librit, si edhe me vitin e akademizmit shqiptar, akademikë dhe botues nga e gjithë hapësira shqipfolëse, janë mbledhur rreth një tryeze të përbashkët për të nxjerrë në pah arritjet më cilësore në publikimet shkencore.

Në këtë aktivitet, të organizuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë (ASH) dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, është pjesëmarrëse Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA). Organi më i lartë i rrjetit arkivor të vendit do të përfaqësohet në panel nga kreu i saj, Ardit Bido dhe Drejtori i Inspektimeve, Endrit Musaj. Në ditën e dytë të punimeve të panairit, të shtunën më 23 prill, Bido do të paraqesë botimin e përvitshëm në lëmin e arkivistikës, Revistën Arkivore. Ky publikim mundësohet në sajë të vullnetit për ndërveprim të vazhdueshëm midis dy institucioneve simotra, DPA-së dhe Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës (ASHAK).

Ndërkaq, në stendën e DPA-së, publiku do të mund të gjejë botime mbi periudha, ngjarja dhe tematika me rëndësi historike madhore.

Krahas ekspozimit të literaturës shkencore në rang kombëtar, përmes ditëve të panairit synohet krijimi i një rrjeti kombëtar botuesish, që është parë si një medium për të lehtësuar lëvrimin dhe shkëmbimin e informacionit mes ekspertëve të disiplinave të shumta. Kësisoj, sinergjia në radhët e kastës së kërkuesve, të studiuesve, të pedagogëve dhe të lexuesve të specializuar, do të mund të kontribuojë në mbarëvajtjen e kërkimit akademik.

Promovimet e botimeve akademike do të zhvillohen me pjesëmarrje të hapur dhe me mundësi diskutimi. Ky aktivitet, që zhvillohet në kuadër të veprimtarive për 50-vjetorin e themelimit të ASH-së, është bërë i mundur edhe falë bashkëpunimit të Qendrës Kombëtare të Librit dhe të Leximit. / KultPlus.com