Gratë në ushtrinë e Ukrainës bëjnë paradë me taka, shkaktojnë debate në vend

Dalja e disa ushtarakeve me taka në Ukrainë teksa ushtrohen për një paradë të madhe ka shkaktuar debate në vend.

Ukraina po përgatitet të organizojë një paradë ushtarake muajin tjetër, që shënon 30 vjetorin e pavarësisë, pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe ministria e mbrojtjes të premten publikoi disa fotografi të grave ushtarake që mbanin taka.

“Sot, për herë të parë, trajnimi zhvillohet me këpucë me taka”, u citua të thoshte kadetja Ivanna Medvid, transmeton KultPlus.

“Është pak më e vështirë sesa në çizmet e ushtrisë, por ne po përpiqemi,” shtoi Medvid.

Disa ligjvënës ukrainas pranë ish-presidentit të Ukrainës, Petro Poroshenko u paraqitën në parlament me një palë këpucë dhe me ironi inkurajuan ministrin e mbrojtjes të mbante taka të larta në paradë.

“Është e vështirë të imagjinohet një ide më idiote, dhe më e dëmshme,” tha Inna Sovsun, një anëtare e partisë Golos, duke treguar rreziqet shëndetësore.

Ajo gjithashtu tha se gratë ushtare të Ukrainës – si burrat – po rrezikonin jetën e tyre dhe “nuk meritojnë të tallen”, transmeton tutje KultPlus.

Ukraina ka luftuar me separatistët e mbështetur nga Rusia, në një konflikt që ka vrarë më shumë se 13,000 njerëz që nga 2014.

Olena Kondratyuk, tha se autoritetet duhet të kërkojnë falje publike për “poshtërimin” e grave dhe të kryejnë një hetim.

Kondratyuk tha se më shumë se 13,500 gra kishin luftuar në konfliktin aktual.

Më shumë se 31,000 gra tani shërbejnë në forcat e armatosura të Ukrainës, 4,000 prej të cilave janë oficerë.

Zgjedhja e këpucëve ndezi një lumë kritikash në mediat sociale dhe në parlament dhe çoi në akuza se gratë ushtare ishin seksualizuar. / KultPlus.com