Nis diskutimi në Asamblenë Parlamentare të KiE për anëtarësim të Kosovës

Në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës ka filluar diskutimi lidhur me raportin për anëtarësimin ose jo të Kosovës në këtë organizatë.

Diskutimi ka nisur rreth orës 17.30, ndërkohë që në fund pritet edhe votimi i raportit

Në hyrje të kësaj seance, fjalën e mori Dora Bakoyannis, raportuesja për Kosovën në KiE, e cila lexoi raportin e përpiluar nga vetë ajo, përmes së cilit kërkon që Kosova të bëhet anëtare e KiE-së.

Ajo i bëri thirrje të pranishmëve që të votojnë raportin e saj, në mënyrë që Kosova të mund të bëhet anëtare e KiE-së.

Ajo mes tjerash tha se është konfirmuar se, pavarësisht disa mangësive, Kosova është demokraci funksionale.

Sipas saj, juristët kanë konfirmuar qëndrimin se Kosova i përmbush kërkesat bazike për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Bakoyannis shpjegoi se raporti nuk prek çështjen e njohjes apo mosnjohjes së Kosovës dhe se kjo çështje duhet të mbetet kompetencë e shteteve.

Ajo ka përmendur tri çështje që i ka konsideruar më problematike për t’u zgjidhur, atë për Manastirin e Deçanit, shpronësimin dhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Kam identifikuar tri çështje të mbetura, ku ka qenë i nevojshëm veprimi i menjëhershëm. Implementimi i aktgjykimit për Manastirin e Deçanit, shpronësimi i ligjshëm i pronave të pakicës serbe dhe themelimi i Asociacionit. Gjatë angazhimit tim në këtë dosje të gjitha palët shtetërore më kanë paralajmëruar se nuk mund të pritet ndonjë progres në asnjë prej këtyre çështjeve të përmendura. Por, me një punë persistente progresi real është vërejtur. Asambleja Parlamentare kas arritur ta zgjidhë atë që është identifikuar një prej rasteve më të rëndësishme të shkeljeve të së drejtës, implementimi i vendimit të Kushtetueses që do t’i kthente pronën Manastirit”, ka thënë ajo.

Bakoyannis është shprehur optimiste se Asambleja do ta rekomandoj që Kosova të ftohet të bëhet anëtare./rtk/KultPlus.com

Blerina Gjylameti zgjidhet numri dy i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës

Deputetja Blerina Gjylameti është zgjedhur zëvendës Presidente e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Zgjedhja e Gjylametit, e cila është njëkohësisht dhe kryetare e Delegacionit shqiptar, u mor në mbledhjen e sotme të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

“E vlerësuar për besimin e kolegëve deputetë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës në zgjedhjen time unanimisht si Zëvendës Presidente e Asamblesë!

Ky post i rëndësishëm është një tjetër konfirmim i besimit dhe vlerësimit që gëzon Shqipëria sot në arenën ndërkombëtare për të kontribuar në konsolidimin e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës!

Me marrjen e kësaj detyre te lartë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku ulen delegacionet kombëtare të 46 vendeve anëtare të kontinentit tonë, së bashku me delegacionin e Shqipërisë do të vijojmë angazhimet për forcimin e vlerave demokratike si dhe për të cuar përpara agjendën e antarësimit të Kosovës në KiE.”, shprehet deputetja Gjylameti pas zgjedhjes Zëvendës Presidente e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Me marrjen e kësaj detyre te lartë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku ulen delegacionet kombëtare të 46 vendeve anëtare të kontinentit tonë, Gjylameti pritet të luajë një rol të rëndësishëm në promovimin e mëtejshëm të parimeve dhe vlerave të Këshillit të Evropës./TopChanel/KultPlus.com