Një person nga Filadelfia e SHBA-së është liruar nga burgu pasi kishte kaluar më shumë se tri dekada prapa grilave, për një vrasje që nuk e kishte kryer.
“Ndihem tej mase i lumtur, që pas 30 e më shumë vjetësh, pasi vazhdimisht trokita në derë që dikush të më dëgjonte, kjo ditë erdhi më në fund”, ka thënë 60-vjeçari Curtis Crosland për CNN, transmeton KultPlus.
Ai është kthyer në shtëpinë e tij, tek pesë fëmijët e tij, e fejuara dhe 32 nipat e mbesat.
“Është një ndjenjë e mahnitshme të jesh baba, të jesh i kërkuar dhe i dëshiruar, me krahë të hapur për të të pritur, është ndjenjë e mahnitshme që jam kthyer te familja e cila më do dhe ka nevojë për mua”, është shprehur Crosland.
Dënimi i Croslandit, i bazuar në dëshminë e dy dëshmitarëve të cilët më vonë hoqën dorë nga deklaratat që kishin bërë duke e implikuar atë në këtë çështje, u rrëzua në qershor.
Shfajësimi i tij ndodhi disa muaj pas punës së vazhdueshme të Njësisë së Integritetit të Bindjes në Filadelfia, që është themeluar në vitin 2018 nga zyra e Prokurorit të Qarkut në Filadelfia, Larry Krasner.
Njësia i ka vënë mision vetes që të hetojë deklaratat e personave të pafajshëm dhe të dënuar gabimisht.
Croslandi ishte shpallur fajtor në vitin 1991 për vrasje të shkallës së dytë, grabitje dhe posedimi të një instrumenti krimi, në vrasjen e pronarit të një dyqani në Filadelfia në 1984. / KultPlus.com