Philippe Halsman, një nga fotografët më të veçantë

Philippe Halsman një nga fotografët më të veçantë, që bëri të “hidhen në ajër”, emrat më të njohur në botë, jo gjithmonë ka përjetuar momentet më të mira në jetën e tij prej artisti.

Philippe Halsman  (2 Maj 1906 – 25 Qershor 1979), fotografi i njohur amerikan, që qëndron prapa portreteve më të njohura të artistëve botërorë është një nga artistët e veçantë të artit të fotografisë. I lindur në një familje hebreje në Riga-Latvi, jeta e tij karakterizohet nga momente të vështira duke filluar nga akuzimi, që iu bë për vrasjen e të atit, derisa ata ishin në hiking në Tirol të Austrisë, një zonë e mbushur me antisemiztizëm. Pas një gjyqi të bazuar në prova rethanore, ai u dënua me 4 vjet burg. Familja, miqtë dhe avokatët punuan për lirimin e tij, duke marrë mbështetje edhe nga evropianët intelektualë përfshirë këtu edhe Frojdin, Ajnshtajnin, Tomas Mann, Henri Hertz etj., të cilët nënshkruan për pafajësinë e tij. Halsman do të falej dhe lirohej në vitin 1930. Menjëherë pas kësaj, ai do të linte Austrinë për Francën, ku do të fillonte të punonte për revistën prestigjioze Vogue dhe shpejtë fitoi reputacionin e njërit prej fotografëve më të mirë të portreteve në Francë, i shquar për imazhet e çarta të cilat nuk ishin mësuar t’i shohin më parë nëpër revistat e modës. Kur Franca u pushtua nga gjermanët, Halsman u vendos në Marsejë dhe arriti të marr vizën amerikane me ndihmën e mikut të familjes Ajnshtajnit, të cilit në vitin 1947 do t’i realizonte disa nga fotografitë më të famshme të tij. Suksesin e parë në Amerikë do ta fitonte me firmën e produkteve kozmetike, Elizabeth Arden, me imazhin e modeles Constance Ford. Një vit më vonë, 1942, ai fillon punën për revistën Life. Në vitin 1941 Halsman takohet me artistin surrealist Salvador Dali.

halsman-dali1

Bashkëpunimi i tyre nisë në fund të viteve të 40-ta. Në vitin 1948 vepra “Dali Atomicus”, shpalos idenë e suspancës, ku shohim tri kapela në ajër, një kovë me ujë të hedhur dhe Dali në mes të hapësirës. Titulli i kësaj vepre ishte vënë sipas referencave të Dalit nga “Leda Atomica”, e cila mund të shihet në anën e djathtë të fotografisë prapa dy maceve. Halsman ka treguar se ju është dashur të bëjnë 28 përpjekje para rezultatit përfundimtar. Ai dhe Dali kanë publikuar bashkëpunimin e tyre në vitin 1954, librin “Dali’s Mustache”, që përmban 36 pamje të ndryshme të mustaqeve të veçanta të artistit. Në vitin 1947, Halsman realizon atë që më vonë u bë një nga fotografitë më të famshme të Ajnshtanit të pikëlluar, i cili gjatë sesionit fotografik tregoi se ishte penduar për rolin e tij në SHBA, në tentimin për krijimin e bombës atomike. Fotografia më vonë, në vitin 1966 në SHBA, u përdor në pullat postare dhe në vitin 1999, në ballinen e revistës Time, ku Ajnshtajni ishte vlerësuar si njeriu i shekullit.

95b05cee128c894b5fbbc0dddef5dbc7

Në vitin 1951, Halsman angazhohet në NBC, për të fotografuar disa nga komedianët më të njohur të  kohës, si Milton BerleSid CaesarGroucho Marx dhe Bob Hope. Derisa fotografonte komedianët duke performuar, ai kapi disa momente të tyre në ajër, gjë që më vonë u bë një prej karakteristikave të fotografit dhe frymëzoi punën e tij të mëvonshme, përfshirë këtu emra si Marilyn Monroe, Maria Felix, Richard Nixon, familjen Ford, Duken dhe Dukeshën e Windsor etj.  Halsman kishte treguar se kur i kërkon personave që fotografon, të hidhen në ajër, veprimi i tij është më shumë i koncentruar tek akti i kërcimit dhe në këtë mënyrë bie maska dhe shohim një njeri të vërtetë.

Fotografi e zhvilloi filozofinë e fotografisë “kërcyese” dhe realizoi 178 fotografi të yjeve gjatë hedhjes në ajër. Në vitin 1958, Halsman u vlerësua me çmimin, “World’s Ten Greatest Photographers” nga revista Popular Photography dhe në vitin 1975 u vlerësua me cmimin për arritje jetësore, nga Shoqata Amerikane e Fotografëve të Revistave, në të cilin ishte zgjedhur president në vitin 1945. Gjithashtu ka mbajtur shumë ekspozita në mbarë botën, ndërsa në vitin 2007 në filmin “Jump”, Halsman portretizohet nga Ben Silverstone. /KultPlus.com