Teatri Metropol hap sezonin e shkurtër artistik me premierën e “Pikaso dhe Ajnshtajni në një bar në Paris”

Komedia u ndoq për disa net me radhë, nga publiku, duke përcjellë edhe lojën emocionuese aktoriale. Vepra e shkruar nga Steve Martin, u ngjit në skenë nga regjisorja Armela Demaj, e cila, bëri bashkë një kast aktorësh e muzikantësh, për këtë shfaqje teatrale.

Këtë sezon komedia i ka përfunduar shfaqjet në teatër, por Metropol bën me dije, se do të jetë sërish në muajin shtator.

Sipas teatrit, interesi i publikut ka qenë i madh.

“Të nderuar, duke ju falënderuar për interesin e madh, duam t’ju lajmërojmë se të gjitha biletat e kësaj jave, kanë përfunduar. Komedia ‘Pikaso dhe Ajnshtajn në një bar në Paris’ do të rikthehet sërish në shtator”, njoftohet në faqen e teatrit.

Zbërthimi i karaktereve të veprës, të cilët, në ndërthurje me njëri-tjetrin sjellin situata komike, duke vënë në dukje optika të ndryshme të mënyrës se si shihet bota dhe marrëdhëniet njerëzore brenda saj. Projekti krijon një copëz jete 100 minuta, nga një periudhë e largët, siç është viti 1904.

Në role interpretojnë: Roerd Toçe, Klodjana Keco, Amri Hasanlliu, Sara Koçi, Erdet Miraka, Silva Brahimataj, Ermir Hoxhaj, Silvio Goskova, Aleksandër Kondi, Blendi Arifi, Kristjana Dodaj. As/ regji Joana Omeraj, formulues muzikor Gent Rushi, këngëtare Laura Hoxha, skenografia Klodiana Beqiraj, koreografia Sara Koçi, kostumografia Frenci Gjerasi.

Vepra u shfaq premierë më 17 qershor dhe vijoi disa net, ku dhe muzika gjithashtu ishte pjesë e kësaj shfaqjeje, që ishte e gjitha “live”.

Shfaqja sjell historinë komike të takimit midis dy gjenish, Pikasos dhe Ajnshtajnit në fillimin e shekullit XX, kohë ku do të ndërthuren rikrijimi i elementeve vizuale dhe interpretative, me muzikën dhe këngën e kësaj periudhe.

Dy personazhet kryesorë, piktori i njohur Pablo Pikaso dhe shkencëtarin Albert Ajnshtajn, takohen në një mbrëmje, në lokalin “Lapin Agile” (“Lepuri i shkathët”) në Montmartre, Paris.

Ngjarjet janë vendosur në një mbrëmje tetori, në vitin 1904, kohë kur të dy gjenitë janë në prag të zbulimit të ideve të tyre mahnitëse (Ajnshtajni, përpara se të botojë teorinë e relativitetit më 1905 dhe Pikaso, para se të pikturojë veprën “Zonjat e Avinjonit” “Les Demoiselles d’Avignon”, në vitin 1907.

Në bar, ata kanë një debat të gjatë në lidhje me vlerën e gjeniut dhe talentit, ndërsa bashkëveprojnë me një mori personazhesh të tjera, mes tyre dhe Elvis Preslin, para se të bëhej një muzikant i njohur.

Pas kësaj vepre që erdhi premierë, në Teatrin Metropol priten të tjera prodhime artistike, për publikun. Më parë, gjatë mbylljes dhe pezullimit të aktivitetit skenik, Metropol erdhi për publikun online. / Konica.al / KultPlus.com