Pikturat në shkëmbin e Spilesë ndryshe njihet nga vendasit edhe me emrin “Shpella e shkruar”.
Ajo paraqet një skenë gjuetie ku katër kalores me qentë e tyre ndjekin (drerët). Figurat janë paraqitur në siluete, të bëra me ngjyrë të bardhë. I takojnë si kohë, fillimit të epokës së hekurit. Kompozimi i figurave të njerëzve së bashku me figurat e kuajve dhe qenërve, ka një domethënie dhe japin qartë dhe bukur stilizimin e tyre.
Në realizimin e tyre me mjetet e përdorura, dëshmohet se është një krijim që i takon një kohe të vetme dhe se në të nuk mund të dallojmë periudha të ndryshme kohore. Datimi i pikturave prehistorike, përgjithësisht ka vështirësitë e veta kur bëhet fjalë për realizime të artit shkëmbor. Piktori i lashtë i vizatimit të tyre, duket se ka qenë i ushtruar në pikturimin e skenave të tilla. Ai i ka punuar ato në sipërfaqen e sheshtë të shkëmbit, disa metra mbi tokë. Kjo skenë e dëshmon se banorët e kësaj zone janë munduar që, nëpërmjet pikturës, të paraqesin jetën e tyre të përditshme.
Për datimin e pikturës së Trenit në epokën prehistorike, veç të dhënave që janë publikuar më parë, ka rëndësi kronologjike të dorës së parë vendosja dhe kompozimi i figurave sipas pjerrësisë që formon faqja e shkëmbit. Siç dihet, vendosja e pikturave në përshtatje me vendin, është një element karakteristik i Artit të epokës prehistorike , kohë së cilës i takon edhe piktura shkëmbore e Trenit (Spilese). Është shpallur monument kulture në vitin 1973./KultPlus.com
Burimi: Bashkia Devoll