Trefishohet hyrja e mjeteve piroteknike, krahasuar me vitin 2021

Sivjet në Kosovë janë futur rreth 120 tonë mjete piroteknike për dallim nga viti i kaluar, ku ishin mbi 40 tonë. Qytetarët ankohen nga përdorimi i mjeteve piroteknike, ndërkohë që nga komuna janë caktuar afatet nga 25 dhjetori deri më 3 janar për përdorimin e tyre. Sigurisht se kanë caktuar edhe gjobat për ata që i keqpërdorin ato.

Festat e fundvitit bëjnë që numri i përdoruesve të mjeteve piroteknike të shtohet. Shitësi i autorizuar që merret me shitjen e tyre, ankohet se këtë vit ka rënë dukshëm interesimi i qytetarëve për blerjen e tyre.

“Shitja këtë vit për 50% është e vogël se vitin e kaluar për shkak se ne kemi akcizë, është akciza shumë e lartë, i vetmi vend në rajon që e kemi akcizën”, thotë Fadil Beqiri, shitës.

Qytetarët kërkojnë që të ndalohet përdorimi i mjeteve piroteknike, meqë përbën rrezik për ta.

“Duhet gjithsesi me u ndalu këto, një herë e përgjithmonë. Unë këtë kohë për shembull duke kaluar, dola prej shtëpisë, krisi e u shqetësova jashtëzakonisht e duhet me u ndalu, nëse ka mundësi”, thotë Fehmi Kaleviqi, qytetar.

“Nuk i përdori këto mjetet piroteknike çka janë të rrezikshme, por ndonjë lloj si xixëllonjë çka janë festive të cilat janë më pak të rrezikshme, po i përdorim”, tha Albin Musa, qytetar.

Nga Komuna e Prishtinës bëjnë të ditur se ka nxjerrë një urdhëresë për ndalimin e përdorimit të produkteve piroteknike në vende publike, për çka janë të obliguar t’i largojnë dhe t’i gjobisin.

“Rregullorja komunale parasheh në hapësira publike, nga 100 deri 500 euro për të gjithë ata të cilët shesin në mënyrë ilegale”, thotë Alban Ymeri, nga drejtoria e Inspeksionit

Ndryshe nga viti 2021, ku në Kosovë kanë hyrë mbi 40 tonë mjete piroteknike, Dogana Kosovës thotë se këtë vit kanë hyrë rreth 120 tonë në vlerë mbi 200 mijë euro. /rtklive/ KultPlus.com