Plazhi publik në Vlorë ku të gjitha shërbimet ofrohen falas

Plazhi publik në qytetin e Vlorës është një mundësi e mirë për të gjitha moshat për të pushuar këto ditë vere.

Kreu i Bashkisë së Vorës, Dritan Leli, duke publikuar një video nga plazhi publik në qytetin bregdetar, nënvizon se në këtë plazh të gjitha shërbimet ofrohen falas.

“Plazhi publik i Bashkisë Vlorë, që po funksionon prej ditësh në afërsi të godinës së ish Akademisë së Marinës është një mundësi pushimi për të gjitha moshat në këto ditë vere, ku ofrohen falas të gjitha shërbimet, njëlloj si edhe në hapësirat që shfrytëzohen nga subjektet private”, shprehet Leli.

Sipas kryebashkiakut, ky është një model i vizionit të Bashkisë për t’ju gjendur pranë pushuesve.

“Ky mjedis, përbën njëkohësisht, një model të vizionit të administratës së Bashkisë, për t’ju gjendur pranë dhe për t’u krijuar standarde pushimi kategorive në nevojë; të moshuarve, grave e fëmijëve”, nënvizon Leli./ atsh/ KultPlus.com

Klosi: Lirojmë 20% të hapësirave të zaptuara nga privatët në plazhe

Task Forca e Turizmit dhe strukturat përgjegjëse për menaxhimin e sezonit turistik 2019 vijojnë punën për lirimin e hapësirave publike të plazheve, duke ia rikthyer ato qytetarëve.

Sot ky aksion u përqendruar tek plazhi “Pishat e buta”, në Golem, ku i pranishëm ishte dhe ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi.

“Jemi gjatë gjithë gjatësisë së bregdetit shqiptar nga kufiri më verior në Velipojë deri në Konispol poshtë në jug, nën drejtimin e prefektëve dhe patronazhimin e të gjithë kabinetit qeveritar për të zhvilluar një aksion të shpejtë gjatë këtij sezoni për të realizuar vendimin e Këshillit të Ministrave i cili në radhë të parë kërkon të sigurojë hapësirat publike të cilat nuk janë të uzurpuara nga privatët, nga vendosja e çadrave dhe nga vendosja e shezlonëve për të gjithë hapësirën e bregdetit dhe siç e shikoni këtu nën drejtimin e prefektes së Tiranës, dhe me pjesëmarrjen e të gjitha institucioneve që janë në këtë zonë për të realizuar këtë operacion, kemi një hapësirë të konsiderueshme, prej 2 mije metrash katrore, në një nga plazhet më të bukura të Golemit, që tashmë i ofrohet publikut”, tha ministri Klosi.

Sipas tij, plazhe të tjera publike janë liruar edhe në stacione të tjera plazhesh, që mbulohen nga bashkia Kavajë, për të vijuar me realizimin e të njëjtit procesi edhe në plazhet që mbulohen nga bashkia Durrës.

“Tabelat e vendosura kudo në territorin e plazhit shqiptar tashmë janë hapësira për njerëzit e thjeshtë të cilët kanë mundësi të pushojnë të pashqetësuar nga operatorët privatë. Ne nuk jemi kundër biznesit privat, e nxisim që të realizojnë biznesin e tyre, të ofrojë cilësi shërbimi, akomodim dhe standard, por zbatimi i rregullave do të jetë i barabartë për të gjithë. Dhe kjo po zbatohet tashmë nën drejtimin e Task Forcës. Hapësirat publike për ato të cilët duan të pushojnë në këto hapësira, sigurimi maksimal i jetës së qytetarëve në këto stacione plazhi ku ka disa elementë të kësaj sigurie si në det dhe në ambientet ku realizohet ky aktivitet dhe e treta; pastërtia. Për të tre këta elementë ne do të kemi toleranë 0 dhe siç e shikoni në të gjithë zonën e bregdetit ka tashmë Task Forca të cilat po punojnë për të realizuar me përpikmëri secilën prej tyre”, u shpreh Klosi.

“Ky operacion do të vijojë gjatë gjithë sezonit veror dhe forcat e rendit janë të porositura që të ruajnë këto hapësira për publikun dhe të menaxhojnë në mënyrë sa më të sigurt sezonin turistik. Jemi në një sezon që ka filluar i suksesshëm, kemi një rritje të numrit të turistëve të huaj edhe krahasuar me vjet, duhet që paralelisht me shtimin e kapaciteteve akomoduese të kemi më shumë rregulla për menaxhimin e sektorit publik dhe menaxhimin e plazhit. Ndaj gjithmonë e më shumë po del detyra dhe AKB e ka marrë këtë detyrë për të krijuar një sistem më të përqendruar menaxhimi të hapësirave publike ne plazhe”, tha ministri Klosi. /atsh/ KultPlus.com