Poetja Irma Kurti botohet në gjuhën spanjolle në Kili

Poetja dhe shkrimtarja Irma Kurti boton në Kili përmbledhjen e saj me poezi në gjuhën spanjolle dhe angleze titulluar: “Tu imagen entre mis dedos”.

Libri mban logon e “Independetly poetry” me botues Luis Cruz-Villalobos dhe përmban poezi të shkëputuara nga vëllimet e saj të mëparshme. Një nga revistat e njohura në gjuhën spanjolle që titullohet “Cine Y Literatura” (Kinemaja dhe letërsia) që merret me shkrime kritike për letërsinë në Amerikën e Jugut ka botuar një recension në gjuhën spanjolle lidhur me këtë libër me firmën e poetes dhe kritikes Vesna Andrejevic.

Shkëpusim një fragment prej tij: “Shpirti poetik i Irma Kurtit është plot me dritë, si kur qan ashtu dhe kur buzëqesh, një shpirt poetik i madh dhe i bukur si një det që buzëqesh me dallgët e tij, duke ngjyrosur me mijëra nuanca panoramën e emocioneve dhe reflektimeve të saj, për të na mahnitur pastaj me bukurinë e vet.

Bëhet fjalë për përmbledhjen e saj të re poetike, me titull: ‘Tu imagen entre mis dedos’, poezi të shkruara fillimisht në gjuhën italiane, por këtë herë të përkthyera në spanjisht dhe anglisht. Në mënyrë spontane lind pyetja: ‘A është e mundur të shkruash dhe të poetizosh në një gjuhë tjetër nga ajo më e afërta, më e natyrshmja, më e sigurta, pra gjuha amtare?’

Irma Kurti, poete dhe shkrimtare italo-shqiptare, e vërteton këtë më së miri me vëllimin e saj të ri poetik. Dhe pastaj shkon një hap më tej, sepse me poezitë e saj të bukura dhe të sinqerta që shkojnë drejtpërdrejt në zemër të lexuesit, ajo i përgjigjet edhe pyetjes nëse është e mundur të krijosh e të shkruash poezi në një gjuhë të ndryshme nga gjuha amtare. Një argument delikat siç është edhe vetë përpjekja poetike, por e suksesshme në rastin e Kurtit.

Poezia e saj është e pastër, e thjeshtë dhe e bukur në sinqeritetin e saj, aq bindëse, saqë prek menjëherë telat e zemrës me një lloj naiviteti pikërisht atë që zotërojnë vetëm fëmijët dhe poetët.

Irma Kurti është poete, shkrimtare, autore e teksteve të këngëve, gazetare dhe përkthyese. Librat e saj, përveçse në Shqipëri, janë botuar gjithashtu edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada, Francë, Itali, Rumani, Serbi, Turqi, Kosovë, Filipine, Kamerun dhe Indi. / KultPlus.com

Poetja Irma Kurti boton librin e saj të 18-të në gjuhën italiane

Poetja dhe shkrimtarja Irma Kurti boton librin e tetëmbëdhjetë në gjuhën italiane me titull “Un giorno mi racconterai” (Një ditë do t’më tregosh) në Shtëpinë Botuese Akademia Barbanera. Libri përmban poezi të shoqëruara me imazhe të fotografit italian Biagio Fortini.

Vepra botohet nën kujdesin e Immagine Art drejtuar nga Maria Grazia Vai, poete dhe presidente e disa konkurseve letrare në Itali. Ja çfarë shkruhet për bashkëpunimin Kurti – Fortini: “E zezë mbi të bardhë… bardhë e zi: një libër në dy gjuhë.

Faqe pas faqeje imazhet fotografike të Biagio Fortinit bashkohen me poezitë e Irma Kurtit, pa ndonjë koherencë logjike apo të dukshme midis fjalëve poetike dhe imazheve vizive. Një dialog midis bojës së penës dhe një imazhi të palëvizshëm për të kapur përjetësinë e një çasti.”

Kopertina përmban akuarelin “Drejt qiellit” të pikturuar nga Rita Camillo. Parathënia e librit është shkruar nga kritiku letrar Lorenzo Spurio.

Shkëpusim një fragment prej saj:

Poetika e Irma Kurtit është e vëmendshme ndaj veçanësisë të situatave, ndaj imazheve që kanë forcën t’i sjellin në mendje kujtime të gjalla, të këndshme për t’u kujtuar, si një fllad ajri, por në të njëjtën kohë edhe të dhimbshme, sepse zbulojnë distancën nga e djeshmja e shkujdesur dhe gati hyjnore, e jetuar në plotësinë e ndjenjave dhe në shoqërinë e figurave të dashura siç janë prindërit, të cilëve u është dedikuar përmbledhja poetike. Irma Kurti, e cila është një poete e thellësisë, në përvijimin etimologjik të fjalës “poezi”, e tregon veten si një grua e vëmendshme dhe e pasionuar në gjurmimin në letër, falë vështrimit gjenial dhe krijimit që e mbështet atë, të imazheve, formave e ndryshimeve që na na bëjnë të pyesim veten dhe na magjepsin…”

Ky është libri i tetëmbëdhjetë i autores shqiptare në gjuhën italiane, 12 prej të cilave janë përmbledhje me poezi dhe 6 libra në prozë: romane e përmbledhje me tregime. Ajo ka botuar gjithashtu 26 libra në gjuhën shqipe, 10 në anglisht dhe 2 në frëngjisht. Librat e saj, përveçse në Shqipëri, janë botuar edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada, Francë, Itali, Rumani, Turqi, Kosovë, Filipine, Kamerun dhe Indi. /KultPlus.com