Ndarja

Poezi e shkruar nga Dritëro Agolli.

Trupi m’u nda nga shpirti pak e nga pak.
Tani të dy jetojmë me vete me ditë e me net,
Trupi djersitet, ecën në rrugë, ha në tryezë e prehet në shtrat,
Shpirti me ëndrrat, mendimet e dhimbjet flet…

Asgjë s’kuptoj qysh ndodhi me mua, qysh!
Kjo ndarja ime e trishtuar më tremb.
Kjo ndarja ime në dysh
Në palcë më dhemb./KultPlus.com

Trishtimi

Poezi e shkruar nga Dritëro Agolli.

Po iki me trishtim i zhgënjyer nga miqtë,
E mbylla dhe derën që rrinte e hapur
Për lajkatarët, për rrenacakët e smirëzinjtë,
Që shtireshin ëngjëj të dashur.
Ku vete, s’e di, veç s’dua të kthehem
Sërishmi në rrenat e jetës.
Diku në një skaj të largët do prehem
Me qafën e futur në jakën gri të xhaketës./KultPlus.com

Mos ma kujto

Poezi e shkruar nga Dritëro Agolli.

E shkuara ka çaste dhe orë të hidhura, mos ma kujto
për shembull, më pe me duar të lidhura, mos ma kujto!

Për shembull, më pe në rruge të pire, mos ma kujto,
Të pirë e të humbur, të sharë e të grirë, mos ma kujto!

Për shembull, më rrahën dy-tre vagabondë, mos ma kujto,
Tek shihja një grerëz tek rrinte mbi gonxhe, mos ma kujto!

Për shembull, pësova diku një disfate, mos ma kujto,
Dhe gjumi s’më zinte me ditë e me natë, mos ma kujto!

Për shembull, më pe duke ecur e qarë, mos ma kujto,
Mbështetur pas murit me zemër të vrarë, mos ma kujto!

Për shembull, me pe duke ngrënë e genjyer, mos ma kujto,
Të prishur, të shturur, të rënë e të thyer, mos ma kujto!

Për shembull, në shtrat s’u bëra për burrë, mos ma kujto,
I turpshëm i drodha si qengj nën lëkurë, mos ma kujto!

E shkuara ka orë dhe çaste të hidhura, mos ma kujto,
Ka drojtje dhe heshtje kur lipsen të thirrura, mos ma kujto! /KultPlus.com