Sjellë prapë në mendje buzëqeshjen tënde

Nga Eugenio Montale.

Mendoj buzëqeshjen tënde, dhe është për mua një ujë i kulluar

Nisur për aventurë midis guralecëve të zallishtesë së bardhë,

ndjek pasqyrën tënde ku një shelg shikon veten;

e mbi të gjitha përqafoj kthjelltësinë qiellore pa skaj.

Ky është kujtimi im; s’di ta them, e dashur,

Sepse nga fytyra jote shfaqet një shpirt i pafaj,

Apo vërtetë ti je nga ato endacake që të keqen e botës e fshijnë

Dhe vuajtjen e tyre me vete si hajmali e mbajnë.

Por mund të të them se portreti yt i menduar

Fsheh mendime të dalldisura brenda syprinës së qetë,

e pamja jote hyn tinëz në kujtesën time gri

e dlirë si maja e një palme të bleruar…/KultPlus.com

Kam zbrit tu’ t’mbajtë për krahu

Poezi nga Eugenio Montale. Përkthyer nga Orjela Stafasani.

Kam zbritë tu’ t’mbajtë për krahu, t’paktën nji milion shkallë
dhe tash që s’je mâ, boshllëku âsht në çdo hap.
Gjithsesi i shkurtë ka qenë udhëtimi ynë i gjatë.
I imi ende vazhdon, s’ka mâ nevojë për
rastësitë, rezervimet,
kurthet, përbuzjet e atij që beson
se realiteti âsht ai që shikon.

Kam zbritë miliona shkallë tu’ t’mbajtë për krahu
jo veç pse me katër sy ndoshta shihet mâ mirë.
Me ty i kam zbritë sepse e dija që nga ne të dy
t’vetmit sy të vërtetë, edhe pse kaq të turbullt,
ishin të tutë./ KultPlus.com