“Vargjet tua janë për t’i lexue në heshtje, e jo para mikrofonit”

Poezi nga Martin Camaj

Nji poeti të sotëm

Rruga jote â e mirë:

Parkat janë fytyrat ma të shëmtueme

të miteve klasike. Ti nuk shkrove për to,

por për rrasa guri e ballë njerzorë

me rrudha shum e për dashuninë.

Vargjet tua janë për t’i lexue në heshtje

e jo para mikrofonit

si të çetës së poetëve tjerë,

zemra

ndonëse nën shtatë lëkura

akull,

akull

ndonëse nën shtatë lëkura./ KultPlus.com

‘Sonte më lajmëruen se ka vdekë një njeri, prandej jam i trishtueshëm’

Poezi nga Martin Camaj

Sonte më lajmëruen se ka vdekë një njeri
Prandej jam i trishtueshëm, Lule.

Dashunia ashtë e vetmja shtyllë guri
Kur andej gardhit fluturojnë
Shëgjetat e akullit.

Dy zemra bashkë janë ma rrufeprojse
Se dy shpata tu për tu
Me teha përjashta
Ideja e sosjes, Lule,
kur je ti pranë ik si shpend i egër
andej kah vjen terri. / KultPlus.com

Nata e koncertit

Poezi nga Martin Camaj

As bora nuk asht e bardhë në këtë muzg.
Gjindja me kambë të randa vrapon
kah dritaret e tingullit.

Në sallën e koncertit edhe diktatorët
marrin vesh masën e instrumentave.

Ndëgjuesit veshë-imët mbyllën sytë
e kapën currila pullazesh të lashta,
djegie qytetesh e drush të thata.
Në tempon e dytë gzhatshëm era
përkuli grurin deri në tokë.

Në sallën e koncertit edhe dirigjenti
symbyllë s’pau tjetër pos tingujsh
të ndezun mbrenda nji rrotulle terri. / KultPlus.com

Mbramja asht larg

Poezi nga Martin Camaj

Mbramja asht larg
e ti je atje mbi kodër të blerueme
ku gurzit që bashin zhurmë
i përpiu dheu.

Ti je atje me të bijën e heshtjes
e me shoqe tjera e mendon për mue.
Unë jam në detin e tingujve
e ndër gjujt e mij ndieva
peshen e tramit tue u ndalue me turr.

Mandej i lëshova vendin një të vjetri
e mes tallazit të krahve thashë:
mbramja ashtë larg e ti andej lumit.

Heshtja prek qiellin me dorë
E ti atje mbi kodër të blerueme
njeh gjurmët e diellit npër qiell. / KultPlus.com