Ti, kurrë s’më njohe mua

Poezi nga Sokrat Habilaj.

Rri e qetë, ti s’më njohe mua ,
As unë s’të njoha asnjëherë.
Në këtë botë, je thjesht grua,
Unë, burrë si mijëra të tjerë.

Në të flet ty një yll pa dashje,
E ti thua një emër nëpër natë.
Rri e qetë, rri pra se më plase,
Është nata që fletë përçartë.

Në të duket, kur puth një tjetër,
Se ngjizen me të, buzë të ftohta.
Rri e qetë, ikja është e vjetër,
E vjetër është vdekja, sa bota.

Në druhesh se kush vjen më pas,
Gjen grimca aty, si mbetje zjarri.
Rri e qetë, burrat janë tuhafë,
Ndërsa thonë, për ty jam i pari.

Në trembesh nën lutje e klithma,
Se pa faj të tradhton ty qerpiku.
Rri e qetë, gratë dinake të gjitha,
E mbulojnë me dhè atë që iku.

Në të ndjej ty ende nën lëkurë,
A ti më ndjen se frymoj brenda.
Rri e qetë, s’të kam takuar kurrë,
Dreqi ta hajë, shohim dhe ëndrra. /filozofia.al/ KultPlus.com