Havzi Nela, poeti shqiptar të cilin e varën midis qyteti, por la poezinë më prekëse

10-të gushti i këtij viti shënon 33 vjetorin e vdekjes së poetit të njohur shqiptar, Havzi Nela. Poet ky, i cili ra viktimë e diktaturës komuniste në Shqipëri, duke u varur midis qytetit, shkruan KultPlus.

Havzi Nela padyshim mund të konsiderohet si ndër të paktët shkrimtarë disidentë që ka pas Shqipëria e periudhës komuniste.

E gjithë jeta e tij ka kaluar mes peripecirash të panumërta, midis burgut, internimeve, arratisjen për një kohë të shkurtër në Kosovë nën ish-Jugosllavi, kapjes nga policia jugosllave dhe rikthimit në burgjet komuniste në Shqipëri, dhe në fund dënimi me varje në mes të qytetit të Kukësit. Por, pavarësisht të gjithave, poeti shpirtlirë i “brezit të humbur” të periudhës së zezë komuniste shqiptare, asnjëherë nuk iu nënshtrua këtij regjimi, dhe e luftoi me të gjitha mënyrat që kishte mundësi.

Që kur ishte adoleshent në shkollë të mesme në Kukës, Havzi Nela shfaqi kundërshtitë e para ndaj regjimit komunist në Shqipëri. Ndër varfërisë ekstreme në të cilën jetonte dhe persekutimit, ai arriti të gjente punë si mësues në shkollën fillore të Planit të Bardhë, një fshat i vogël në rrethin e Matit. Por, nuk do kalonte shumë kohë që Havzi Nela të dëbohej edhe nga ky fshat si armik për shkak të “aktivitetit të tij të dyshimtë” duke qënë se i lexonte vjersha të ndaluara nxënësve të tij. Me datë 26 prill 1967, Havzi Nela dhe gruaj ae tij rrezikuan jetën e tyre duke kaluar ilegalisht kufirin midis Shqipërisë dhe Kosovës (nën Jugosllavi atë kohë), ndërsa me pezmatim në zemër për ditët e errëta që kalonte atdheu i tij nën regjimin komunist, ai do të linte një letër në të kaluar të kufirit:

“”Lamtumirë, atdhe i dashtun, po të la, por zemërplasun…” duke e vendosur në degën e një peme.

Por, fati tragjik e ndjek poetin kuksian dhe gruan e tij edhe në Kosovë, ku vetëm pak ditë pas kalimit të kufirit, ato arrestohen nga policia jugosllave, të cilët do t’i rikthenin sërish në Shqipërinë komuniste. Menjëherë pas rikthimit, poeti dënohet me plot 50 vite burg. Por, Havzi Nela kurrë, edhe në burgjet famëkeqe komuniste, nuk u përthye dhe nuk rreshti kurrë së urryeri “Partinë” dhe kriminelat e saj. Në vitin 1988, poeti shpirtlirë kuksian u dënua me varje dhe kjo ndodhi në mes të qytetit të tij të lindjes.

Më poshtë gjendet një nga poezitë më të bukura dhe të ndjera të tij, si një trashëgimi për periudhën e zezë komuniste të Shqipërisë së atyre ditëve. Në atë kohë, sic kishte edhe një shprehje në Shkodër, “të gjithë ishin të vde,kur; ndaj atyre që vdi,snin u thonin se ato thjesht kishin ndërruar jetë”.

Kur të vdes

Kur të mësoni se kam vde.kë,
Kur të thoni: “Ndjesë pastë!”
A e dini se çfarë kam hjekë
Unë, poeti zemërzjarrtë?

Kur të pyesni: “Ku e ka vorrin?”
Kur t’kërkoni me ma gjetë.
Thoni: “Ai urreu mizorin”.
Thoni: “Dheu s’ka me e tretë”.

Thoni: “Ai e deshi jetën,
Jeta n’vuetje e dërmoi”.
Thoni se ka mbrojtë të drejtën,
Grusht tiranësh nuk duroi.

Thoni: “Desh, kërkoi lirinë,
Si skifter në fluturim,
Provoi prangat, t’errtë qelinë,
Për të mjerët lëshoi kushtrim”.

Thoni: “Dritë ai kërkoi,
E vetë dritë nuk pa me sy”
Thoni: “Për njerëzinë këndoi,
E për vete mbajti zi”.

Thoni se e qërroi terri
Thoni: “Dielli nuk u ngrohu”.
Thoni se e trishtoi tmerri
E të shtypunit i tha: “Çohu!”

Kur të vijë, të çelë pranvera,
Kur bilbili nis me këndue.
Mbi vorr tim me gur’e ferra,
Nji tufë lule me ma lëshue.

Prekni vorrin, mos ngurroni,
Kush ka lindë, ai ka me vdekë,
Veten ju kur t’a ngushëlloni,
Thoni:”Gjallë kurkush s’ka mbetë!”
/ KultPlus.com

Poezia e fundit e Yllka Domit: Përmendore nuk dua

Janë bërë 22 vite nga rënia heroike e luftëtares 17 vjeçare, Yllka Domi, e cila ra dëshmore në Betejën e Çabratit, më 7 maj të vitit 1999.

Yllka u vra bashkë me disa bashkëluftëtarë dhe ushtria serbe, për të fshehur gjurmët, trupin e Yllkës bashkë me trupat e tjerë të vrarë, i dërguan në një varrezë masive në Batajnicë, për t’u gjetur e rivarrosur më 23 dhjetor 2003 në Kodrën e Çabratit, në Gjakovë.

Në kohën kur ajo u vra, ishte në vitin e fundit të shkollës së mesme “Mazllom Këpuska” dhe nuk arriti ta përjetonte diplomimin e saj. Por, Yllka ishte shumë më tepër se kaq. Ajo ishte poete që premtonte të sillte një frymë të re në poezinë shqiptare.

Sipas profesorëve dhe njerëzve që e njohën, vdekja e Yllkës ishte humbje e një kuadri intelektual, e një atdhetareje dhe poeteje, e cila do të ishte prijatare e proceseve te ndërtimit të shtetit, por edhe shtyllë e kulturës dhe letërsisë.

Yllka u rrit në një frymë atdhetare dhe po përballej gjithmonë me padrejtësitë që po i bëheshin atë kohë kombit shqiptar. Prandaj, ajo ishte e interesuar gjithmonë që të informohet saktë se si po lëvizin gjërat.  Kudo ishte aktive, në shkollë, në grupe humanitare, në ndihmë banorëve të zhvendosur dhe aty ku e kërkonte nevoja. Si e tillë, ra në kontakt me shumë të rinj e të reja, të cilët ishin kyçur në bërthamat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ka kryer kurset për ndihmë të plagosurve në luftë dhe ka ushtruar përdorimin e armëve dhe pastrimin e tyre.

Poezitë e Yllkës, kushtuar dashurisë ndaj jetës, lirisë dhe vdekjes, sot e asaj dite janë të njohura dhe shpërndahen vazhdimisht.

Sonte, KultPlus ju sjell poezinë e fundit të heroinës së kombit tonë.

Amanet ju le nëse nuk pritoni
të ma shkruani emrin në rërën e detit,
dhe dy vargje mi shkruani me shkrimin e saj.
Në krahët e valëve të ketë epope te pambaruar
dhe arena e kafazit të jetë e hapur.

Përmendore nuk dua!
Nëse në kurrizin e qytetit gjeni një shkop
vendoseni afër kokës sime
. / KultPlus.com