Polifonia, kënga që kapërcen kufijtë gjeografikë e ata kohorë

Arian Shehu, një “Mjeshtër i Madh” i polifonisë, është lideri i grupit “Ergjëria” që fillesat i ka prej vitit 1978, me bashkimin e djemve të rinj të lagjes Dunavat i Parë. DRTK Gjirokastër kujton se ishte pikërisht ai, “marrësi” i cili u bë dhe shtysa kryesore e formimit të grupit të lagjes.

Emrat të cilët iu bashkuan grupit ishin: Mevlut Meleqi, Gëzim Haska, Fatos Haska, Jani Hysi të cilët spikatën si grup i të rinjve në Sheshin e Çerçizit.

Koncertin e parë ky grup i këngës polifonike e mbajti pikërisht në Sheshin e Çerçizit, ku interpretuan këngën “Sado Meleqi”, që më pas dëgjohej në radion e qytetit.

Vitet `80 u shenjuan nga arritjet më të mëdha të këtij grupi, me çmime të para në festivale. Kënga e tyre arriti të dëgjohet edhe përtej detit deri në vitin 1994 ku dhe grupi u nda dhe Arian Shehu krijoi grupin e tij me emrin “Ergjëria”, duke e çuar polifoninë shqiptare në shtete të tjera si Francë, Suedi, Danimarkë, Greqi etj.

Tashmë grupi ka marrë titullin “Mjeshtër i Madh” dekoruar nga Presidenti i Republikës si dhe në vitin 2023 titulli “Mjeshtër i Madh” për liderin e grupit Arian Shehu i cili me dashurinë për polifoninë iu shërben edhe sot brezave me përkushtim duke besuar se polifonia duhet mbajtur gjallë në breza.

DRTK Gjirokastër shkruan se së fundmi grupi ka marrë ftesë nga shteti francez për të performuar kënget e vjetra të cilat i rezistojnë çdo kohe./KultPlus.com

Polifonia e jugut prezantohet në festivalin “Lauknos” të Lituanisë

Në koncertin e dytë të festivalit ndërkombëtar të folklorit në Klaipeda të Lituanisë, në skenën kryesore u ngjit edhe  Folk Grup “Bilbili” që u paraqit me tetë këngë të reja.

Me një repertor të ri, me këngë të zgjedhura nga trevat e jugut të vendit, prej Vlore në Gjirokastër, polifonia shqiptare, në këtë rast kënga që vjen nga Labëria mbetet sa befasuese e e veçantë po aq edhe tërheqëse e mahnitëse për spektatorin.

Grupi përcolli për të pranishmit, përveç disa krijimeve nga repertori kënduar në vite, edhe disa këngë që kanë shënuar histori në breza e vite si kënga Treshe e Dukatit, kënga e vjetër gjirokastrite, vallja mikse e kënduar etj.

Përpara se në skenë të ngjitej “Bilbili” organizatorët e festivalit shfaqën për të pranishmit një material me këngë polifonike shqiptare marrë nga fondi i UNESCO-s

U shfaqën para të pranishmëve por edhe përpara anëtarëve të grupit, madje kjo ishte një surprizë për të gjithë, fragmente nga këngët e Xhevat Avdallit, Arjan Shehut, Piro Këlliçit e të tjerë këngëtarë të mëdhenj të polifonisë shqiptare kënduar shumë kohë më parë në Kalanë e Gjirokastrës.

Për herë e më shumë, nga koncerti në koncert, performanca e grupit “Bilbili” pushton zemrat e të pranishmëve dhe tërheq pa prerë shikues e dëgjues të shumtë.

Siç ndodhi edhe në koncertin e mbrëmjes së dytë në Letoni ku skena dhe salla fantastike e Teatrit të qytetit përjetoi një mbrëmje të jashtëzakonshme polifonie e ku “bilbilat” e Vlorës e Labërisë realizuan një tjetër perfomancë befasuese.