‘Polikarpi’, një nga komeditë e para arbëreshe dhe shqiptare

Santori, ky  pionier në fushën e dramaturgjisë arbëreshe (dhe shqiptare), për një kohë të gjatë është njohur vetëm  në saje të  dramës së parë të shkruar në prozë  në gjuhën shqipe. Po ai ka lëvruar llojet më të larmishme të dramaturgjisë, kështu mund të përkufizohet si themelues i tragjedisë në letërsinë e arbëreshëve të Italisë dhe tërë  letërsinë shqiptare me veprën në vargje.

“Neomenia”, i melodramës me disa krijime  të panjohura  për një kohë të gjatë si “Aleks Dukagjini”, “Sofia”, “Leukotea”, “Pjetër Shterori”, “Klementina” [………………] dhe gjithashtu  i komedisë  me dy  komeditë e mbetura  në dorëshkrim “Kallogrea karroqare” (“Vejusha koprace”) dhe “Polikarpi”.

Të gjitha këto vepra me përjashtim të  “Emirës” që  u botua  pjesërisht në “Fjamurin  e Arbërit” të De Radës, kishin  mbetur dorëshkrim dhe u zbuluan gradualisht falë zellit të studiuesve arbëreshë që bashkëpunuan aktivisht  edhe  me kolegët  shqiptarë. Ata  gërmuan në minierën e pasur dhe të pashfrytëzuar të dorëshkrimeve, Françesk Anton Santorit. Dy komeditë e panjohura  të këtij  autori tepër  pjellor  arbëresh  pati mirësinë të m’i  vinte  në dispozicion studiuesi Belmonte.

Komedinë “Kallogrea karroqare” që ka shumë gjasa të jetë e para komedi arbëreshe dhe shqiptare dhe ka vlera të padiskutueshme estetike, ndonëse e papërfunduar, e kemi trajtuar në një tjetër shkrim dhe konkretisht në një kumtesë të  mbajtur  në Konferencën Ndërkombëtare “Franqisk A.Santori” dhe  trashëgimia gjuhësore e letrare shqipe”, e mbajtur me rastin e 200-vjetorit të lindjes së autorit.

“Polikarpi” është një komedi  satirike që  e ka  të dukshëm elementin autobiografik. Autori e ka vendosur në vendlindjen e vet, në Picilje (Santa Caterina Albanese). Santori e sheh aty veten në optikën aspak  përkëdhelëse të bashkëfshatarëve, i satirizon ata dhe veset e tyre, duke mos lënë mënjanë  humorin  me vetveten. Ai s’del konkretisht si personazh veprues, po vizatohet përmes dialogëve të të tjerëve.

Një nga personazhet e kësaj komedie është prifti  Belvin (armik personal i Santorit) i cili e vetëdemaskon veten duke shprehur lakminë për para dhe vesin e pijes që e karakterizojnë, vese këto që bien në kontrast me vetëpërmbajtjen dhe thjeshtësinë që duhet të dallonin në parim një  klerik, po pasqyrojnë realitetin shoqëror të fshatit ku shumica  e klerikëve  ishin të tillë.

Autori i largohet këtu atij idealizimi të  klerikëve  që te “Emira” shprehej te figura e  Motëmadhit, njeri  me virtyte  të larta.

Belvini  vetërrëfehet përmes  dialogut duke  treguar  kështu  edhe mungesë  zgjuarsie. Ai as  nuk orvatet  të mbulojë  vetveten me  një tis  hipokrit morali  fetar si bënte përkundrazi vejusha  në komedinë  omonime. Ai shprehet kështu: “Një  mesh nëng të ndën/ njeri. Petëkat së japin gjë …/ Mos  pafça allmonu një gjips litri ver  ditën/ ndihem si ji dekur… (S’të kërkojnë meshë/ Tokat  s’të  japin gjë; / Po s’pata gjysmë litri  verë të pi  ditën, ndihem si i vdekur).

Në këtë komedi Santori shpreh aftësitë e veta si vëzhgues  të realitetit që e  çojnë nga romantizmi, një romantizëm i stuhishëm, i afërt me romantizmin kalabrez te realizmi, një  realizëm të ngjashëm me verizmin italian, i cili përfshinte  edhe  elemente  të natyralizmit, të një  fotografimi  tepër besnik  të realitetit.

Ky autor zbulohet  te “Polikarpi” edhe si psikolog që depërton  me mprehtësi në shpirtin njerëzor dhe di  ta pasqyrojë atë  jo vetëm përmes patosit  dramatik ose tragjik që i ofronte  realiteti i kohës, po edhe  përmes  një  patosi komiko-satirik duke e pasuruar letërsinë arbëreshe  dhe shqiptare për herë të parë  me përmasën e humorit, të vështrimit  të të metave  dhe veseve  njerëzore përmes lentes  zmadhuese të  komizmit!

Ky komizëm  në komedinë  në fjalë përqendrohet te karakteret, njëri prej  të cilëve  është  vetë  autori, personazh mungues, po që jeton  përmes  perceptimit të personazheve të tjerë. Kjo komedi ka një shije moliereske (le të  kujtojmë se si  vetë  Molieri  bën ironi me veten  dhe alergjinë e vet  ndaj mjekëve  te “I sëmuri imagjinar” nëpërmjet thënieve  të protagonistit, Argantit, njeri  narçizist  dhe me një  kujdes të  tepruar  ndaj vetes  që shpik  njëmijë sëmundje  imagjinare nga frika dhe  egoizmi i tepruar.

Ky personazh që është  bërë skllav i  mjekëve, shfaq  armiqësi ndaj vetë autorit duke  folur  për të  me tallje dhe nënvleftësim. Në mënyrë  analoge,  bashkëfshatarët e quajnë Santorin  njeri pa vlerë  dhe të paditur që, sipas tyre, pretendon  më kot  nëpërmjet disa shkrimeve “të  kopjuara andej – këtej” për mendimin e tyre, të luajë  rolin e  një njeriu  të përgatitur  dhe të  talentuar, prandaj  ai quhet  prej tyre me llagapin “gomar”. Njëkohësisht, ata  duke bërë  aluzion  për aventurat e tij me vajzat  që s’i përshtaten  një kleriku, e quajnë “cjap”.

Këtu Santori, përveç  qëndrimit satirik ndaj  bashkëfshatarëve që e gjykojnë  atë me  rreptësi  të tepruar pa qëndruar  aspak më lart nga morali, ka edhe një  qëndrim ironik ndaj vetes. Vlerësimit të rreptë dhe të pamëshirshëm të bashkëfshatarëve  të paditur dhe  ziliqarë (jo  më kot,  njëri prej tyre, sipas  zakonit  të autorit për t’i individualizuar personazhet sipas emrit  quhet Cilosëri – Zilitari). Santori i kundërvë  vlerësimin plot respekt  e dashamirësi  ndaj tij  të Dora d’Istrias dhe krijon efekte  komike  duke ia  kundërvënë famën e saj të madhe  paditurisë së  ndonjë  bashkëfshatari që duke  mos ia  njohur emrin, e gjykon  si po aq  të paaftë  dhe të  paditur  se sa njeriu që ajo vlerëson (pra, ai vetë).

Autori gjen rast këtu  për ta lartësuar emrin e kësaj  princeshe shqiptare  të famshme përmes thënieve  të intelektualëve të shquar evropianë për të: të  parën Zonj të Europs, atë çë gjith  shkruaj tart/ allaman, frangjiz, glereq e itallir e vun/ për urtëri mbi Modhamen Stall, atë  çë thon/ se s’ka  nj’etër  grua të e përgjas ndë sa  gjëllinjën  sod ditë … (të  parën Zonjë të Europës, atë që tërë  shkrimtarët gjermanë, francezë, grekë dhe italianë e vunë/ për  urtësi më lart se Madam de  Stal; atë  për të cilën thonë se s’ka  grua tjetër  t’i përngjajë  ndër ata  që jetojnë  sot).

“Polikarpi” njihet  përmes një dorëshkrimi prej vetëm  tri faqesh. Nuk dihet nëse autori nuk ka arritur  dot ta  përfundonte veprën ose nëse  dorëshkrimi i saj  ka humbur.

Kjo komedi, tok me  binjaken e saj “Kallogrea  karroqare” (binjake nga lloji se nuk u dihet  viti i  saktë në të cilin  janë shkruar, sipas të gjitha gjasave në vitet e pjekurisë së autorit – 60-70 të shekullit XIX), ndonëse e paplotë, dëshmon  për aftësinë e autorit arbëresh  për të lëvruar  llojin e komedisë së karaktereve.

Pra, ndonëse çan në një “tokë të  virgjër” Santori  shfaq vlera estetike në vizatimin e karaktereve dhe në humorin e mprehtë që është i afërt me humorin e “satirave” dhe “rrëfimeve satirike”, të zbuluara dhe të analizuara më parë nga studiuesit, të cilave edhe ne u kemi  kushtuar  një shkrim të veçantë.

Është për të ardhur keq që ky autor, nismëtar  dhe tepër pjellor në aq fusha, të mos ketë arritur as  t’i shfaqë, as të paktën, t’i botojë komeditë e veta në mënyrë që  të ballafaqohej me bashkësinë e vet  arbëreshe  dhe me  kritikën e kohës, meqenëse, si  komediograf, i ka  prirë  shumë  në kohë Çajupit që për  një kohë  të gjatë është quajtur si komediografi i parë  shqiptar.

Santori, pra, ka qenë, në  vijë  kronologjike, komediografi i parë shqiptar dhe, për më  tepër, një  komediograf i  talentuar./ KultPlus.com

“Polikarpi”, një nga komeditë e para arbëreshe dhe shqiptare