Ja artistët e ftuar në skenën unike të Porto Palermo Festival

Këtë javë nis zyrtarisht edicioni i pestë i Porto Palermo Festival.

Ky festival, me skenën më të veçantë nga cilido tjetër, zhvillohet në kalanë mesjetare të Ali Pashës, në Porto Palermo. Festivali është një udhëtim artistik në zemër të natyrës dhe historisë, por synon të tërheqë vëmendjen e publikut jo vetëm për këto, por edhe për mbrojtjen mjedisore.

Ditën e enjte, 31 korrik, do të nisë festivali i cili zgjat deri më 17 gusht, por përpara se të nisin me muzikë, organizatorët zhvilluan një aksion pastrimi të territorit.

Festivali synon që jo vetëm të sjellë artistët më të mirë, por edhe të promovojë turizmin e qëndrueshëm kulturor në Shqipëri. Kalaja historike e Ali Pashës do të mbushet me muzikë, emocion dhe energji pozitive për 12 netë të paharrueshme gjatë të cilave do të interpretojnë artistë të jashtëzakonshëm me emocione të forta në një skenë unike.

Natën e çeljes do të performojë vetë ideatori i këtij festivali, violinisti Olen Cesari. Në datën 1 gusht është i ftuar Ansambli Folklorik Shqiptar, ndërsa një natë më pas (2 gusht) interpretojnë Ledina Çelo, Genc Tukiçi, Dëshira Ahmeti, Anamaria Beqaj.

Mbrëmja e së dielës (3 gusht) do të jetë nën magjinë e këngëve të Dren Abazit. Të enjten e 7 gushtit do të performojë e mirënjohura Aurela Gaçe, një natë më pas Adrian Trebicka dhe Kastriot Tusha. Ndërsa më 9 gusht, Carlo Paz dhe Sin Fronteras.

Këngëtari Alberto Laurenti do të performojë të dielën e 10 gushtit, ndërsa në netët finale do të performojnë disa prej artisteve që janë bërë pjesë e pandarë e këtij festivali si Marsela Çibukaj, Eda Zari etj./atsh/

Porto Palermo Festival nis me pastrimin e zonës dhe detit rreth kalasë

Dita e parë e Porto Palermo Festival nisi përtej skenës, me një akt simbolik por shumë domethënës: pastrimin e zonës përreth kalasë dhe detit nga mbi 150 vullnetarë e zhytës të përkushtuar.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja solli në rrjetet sociale momente nga ky aksion pastrimi, duke u shprehur se shembujt që zgjojnë ndërgjegjen kolektive dhe kujdesin për natyrën meritojnë vëmendje të veçantë.

“Pastrimi i detit dhe i zonës përreth nuk është vetëm një punë fizike, por një akt ndërgjegjësimi, një mesazh dashurie për natyrën dhe një premtim për të ardhmen”, u shpreh Gonxhja.

Edicioni i 5-të i Porto Palermo Festival sapo ka nisur dhe premton emocione dhe atmosferë për pjesëmarrësit dhe vizitorët.

Ky festival synon, jo vetëm të sjellë artistët më të mirë për të performuar në skenën e vet autentike, por edhe të promovojë turizmin e qëndrueshëm kulturor në Shqipëri./atsh/KultPlus.com

Porto Palermo Festival, rikthehet për edicionin e pestë, nën organizimin e Olen Cesari

Festivalit më të njohur artistik të verës në Shqipëri, Porto Palermo Festival, po i afrohet edhe një edicion i ri, për të pestin vit radhazi. Ky festival i veçantë do të zhvillohet në kalanë historike të Porto Palermos, në Himarë, nga data 31 korrik deri më 17 gusht 2025, duke ofruar 12 netë të mbushura me art, muzikë dhe performanca të jashtëzakonshme.

Organizuar dhe ideuar nga artisti i mirënjohur Olen Cesari, Porto Palermo Festival ka përzgjedhur një listë emrash të njohur të skenës shqiptare dhe ndërkombëtare për të performuar gjatë mbrëmjeve artistike. Disa nga emrat që do të ngjiten në skenë janë: Ledina Çelo, Genc Tukiçi, Aurela Gaçe, Marsela Cibukaj, Eda Zari, Ardian Trebicka, si dhe artistë të huaj si Carlos Paz & Sin Fronteras, Alberto Laurenti, dhe Laraine Cañizares, transmeton KultPlus

Këtë vit, festivalit i është shtuar edhe një aktivitet special më 26 korrik, në orën 11:00, me qëllim ndërgjegjësimin dhe sensibilizimin për ruajtjen e mjedisit. Ky aktivitet do të organizohet në bashkëpunim me organizata dhe vullnetarë të dedikuar që mbështesin nisma për ruajtjen e natyrës dhe promovimin e turizmit të qëndrueshëm kulturor.

Ky festival jo vetëm që mbledh së bashku artistë dhe vizitorë nga e gjithë bota, por gjithashtu luan një rol të rëndësishëm në promovimin e turizmit të qëndrueshëm dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore të Shqipërisë, duke kontribuar në ndërgjegjësimin e turistëve dhe vizitorëve të zonës së Porto Palermos./KultPlus.com

Ul siparin edicioni i katërt i “Porto Palermo Festival”

U mbyll këtë të diel edicioni i 4, i Porto Palermo Festival, me një mbrëmje të dedikuar për turistët dhe vendasit në qytetin e Himarës, mbështetur nga Bashkia Himarë dhe Green Coast.

Kjo mbrëmje e organizuar në detaje nga violinisti virtuoz me famë botërore Olen Cesari, kishte të ftuar special artistë nga zhanere të ndryshme muzikore si grupi polifonik Muza, tenori i mirënjohur shqiptar Kastriot Tusha, artistja e muzikës klasike italiane Francesca Carli, e shumë dashura për publikun Marsela Cibukaj dhe i ashtu quajturi “Mbreti i Natës” Dren Abazi me grupin e tij Zig Zag Orchestra.

Secili prej artistëve performoi këngë të njohura për publikun që i shoqëroi gjatë gjithë mbrëmjes.

Porto Palermo Festival, një organizim i cili promovon rritjen e turizmit të qëndrueshëm shqiptarë në zonën e Rivierës Shqiptare dhe sitet historike, u zhvillua përgjatë një muaj në Kalanë historike të Ali Pashës për 12 netë me artistë të ndryshëm duke u ndjekur nga dashamirës shqiptar dhe turistë të huaj.

Organizatori Olen Cesari, synon dhe shpreson se me hapjen e tunelit në Porto Palermo si atraksion turistik, festivali do të internacionalizohet më shumë dhe do të ketë më shumë vizibilitet tek të huajt për ta ndjekur, sidomos nga vendet fqinje si Italia, Greqia, Mali i Zi etj./tema/KultPlus.com

‘Porto Palermo Festival’ sjell në skenë Inva Mulën, Elina Dunin dhe Eda Zarin

Nga dita 1 deri në 18 gusht do të mbahet në kalanë e Ali Pashës “Porto Palermo Festival”.

Violinisti Olen Çesari, në një konferencë për mediat ka njoftuar se festivali do të mbahet për tre javë, ndërsa të pranishëm do të jenë emra të kalibrit botëror.

“Java e parë do të hapet nga dy mbretëreshat e muzikës shqiptare në botë, Elina Duni dhe Eda Zari ndërsa do të ndiqet nga një tjetër dive e muziks, Marsela Çibukaj.

Ndërkohë javën e dytë do të jenë për herë të parë trioja Inva Mula, Genc Tukiçi dhe unë’, u shpreh ai./tema/KultPlus.com

Porto Palermo Festival rikthehet me edicionin e katërt, 12 mbrëmje me 12 artistë

Porto Palermo Festival rikthehet edhe këtë sezon veror me edicionin e tij të katërt.

Festivali i ideuar nga violinisti Olen Çesari kësaj here do të sjellë 12 artistë në 12 mbrëmje magjike të cilat si çdo verë, do të zhvillohen në kalanë e Porto Palermos. Aktiviteti artistik mbështetet nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit duke ndërthurur nga zërat, meloditë, aktrimet dhe performancat e mrekullueshme të artistëve, nga e enjtja në të diel, në datat 1-18 Gusht.

“Përjetoni eksperiencën fantastike që krijojnë emrat e shquar të muzikës dhe artistët e mirënjohur të skenës shqiptare, në Kalanë e Porto Palermo”, shkroi ministri Gonxhja në rrjetet sociale, duke promovuar këtë aktivitet.

Nga informacionet e shpërndara prej vetë festivalit, në Porto Palermo pritet të mblidhen emrat më në zë të muzikës bashkëkohore shqiptare, një pjesë e të cilëve tashmë janë artistë që rikthehen për të disatën herë, si psh: Elina Duni e Eda Zari. Në festival do të jetë e pranishme ylli shqiptar i muzikës klasike, Inva Mula, këngëtarë si Marsela Çibukaj, Vitmar Basha, Dren Abazi, por edhe emra nga arena ndërkombëtare si Manuela Villa, Lavinia Mancusi etj. Si në të gjitha edicionet e kaluara edhe krijuesi i Porto Palermo Festival, Olen Cesari, do të interpretojë me violinën e tij, natën e parafundit.

Në edicionin e tretë, nuk u performua vetëm brenda mureve të kalasë së Porto Palermos, por edhe në ambient të hapur, në qytetin e Himarës.

Madje organizatorët thanë se kjo gjë do të kthehej në një traditë të mbrëmjeve përtej mureve të kalasë.

Ky festival synon, jo vetëm të sjellë artistët më të mirë për të performuar në skenën e vet autentike, por edhe të promovojë turizmin e qëndrueshëm kulturor në Shqipëri./atsh/KultPlus.com