Koncerti madhështor që rikthen virtuozin e violinës, Olen Cesarin në Shqipëri

Violinisti i mirënjohur shqiptar, Olen Çezari, vjen me një koncert të veçantë këtë muaj. Me 5-6 Maj në Pallatin e Kongreseve të gjithë do të kenë mundësinë të shijojnë performancat e veçanta ku do të përfshinë jo vetëm violinistin Olen Cezari por edhe plot emrat të mirënjohur të muzikës Italiane. Në emisionin “Rreze Dielli” Olen Cezari ndau detaje tepër interesante nga koncerti i shumëpritur.

“Jemi në finalen e madhe po afrojnë ditët e koncertit, jemi në tension për 100 gjëra, pjesa muzikore është gati, organizimet po mbarojnë. Jam shumë i lumtur që po ia dal të sjellë këtu maksimumin e teknologjisë që ekziston dhe kjo do një falenderim gjigand për partnerët e mi që më kanë mbështetur, mund të them vetëm një detaj, vetëm qeraja e pallatit të Kongreseve është 25 mijë euro. Është një kosto marramendëse për një gjë gjigande që po vjen në Tiranë” u shpreh ai.

Ndryshe nga herët e tjera, ajo që bën edhe më magjik këtë koncert është se si asnjëherë më parë në Shqipëri, do të ketë maksimumin e teknologjisë, që do të sjellë një ndriçim fantastik në sallë.

Është një eksperiencë unike sepse për herë të parë po vjen një ekip nga Roma që merret me ndriçimin lazer që s’ka qenë ndonjëherë në koncertet e mia, është një eksperiencë paparë si për mua dhe për publikun. Çdo këngë, çdo pjesë që ndodh është një spektakël. Kemi të ftuar pa fund që vijnë nga Italia Fiorella Mannoia, Lavilia Mancusi, Carlos Paz,  Salsano Rrapin, kam fatin të kem edhe Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve, pastaj kam edhe një nga balerinat më të famshëm në botë që vjen nga Argjentina. Repertori është pafund.

Pjesë e koncertit do të jetë edhe orkestra muzikore ‘International clandestine orchestra’ e cila prej 12 vitesh tashmë e shoqëron në çdo koncert violinistin e mirënjohur Olen Çezari, duke sjellë tingujt më magjik dhe performancat më profesionale.

“Është familja ime muzikore , kemi 12 vjet që jemi bashkë, janë artistët më të mirë në botë që jetojnë në Itali që unë i kam piketuar me kokrra dhe i kam marr me vete. Ka qenë provokues për faktin se ne një farë momenti të jetës sonë të gjithë ishim klandestinë në Itali ose na kishin skaduar dokumentat ose kishim ardhur dhe s’kishim bërë dokumentat dhe u vendos ky emër” u shpreh ai.

Violinisti, Olen Çezari, dhe grupi i tij do të interpetojnë në skenën e Pallatit të Kongreseve më 5 dhe 6 Maj në orën 19:30. /diasporashqiptare/ KultPlus.com

Violinisti shqiptar Olen Cesari dekorohet nga Presidenti i Italisë

Violinisti shqiptar, Olen Cesari u dekorua nga Presidenti i Republikës Italiane si “Commendatore dell’Ordine della Stella d’Italia”.

Ky titull i është akorduar këtij artisti me përmasa botërore nga presidenti i Italisë, Sergio Mattarella dhe i është dorëzuar artistit durrsak nga ambasadori i Italisë në Tiranë, Fabrizio Bucci në një ceremoni ku ishin të pranishëm personalitete të vendit, artistë të shquar dhe diplomatë.

E pranishme në këtë ceremoni ishte ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali e cila u shpreh se, “jemi shume krenarë për Olenin, artistin virtuoz, një nga violinistët më të mëdhenj botërorë si dhe interpretues absolut i cili e ka lartësuar emrin e Shqipërisë në çdo skenë ku ka jehuar tingulli i tij”.

Edhe kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako e pranishme në këtë ceremoni tha se, “ne të gjithë jemi krenarë që një nga instrumentistët më të mirë botërorë, me vlera të rralla, i konsideruar si kompozitor eklektik dhe virtuoz  në violinë  dhe një artist i jashtëzakonshëm, Olen Cesari, ngre lart emrin e Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë në skenat ndërkombëtare”.

Olen Cesari konsiderohet si një nga violinistët më të mëdhenj në botë. Kompozitor eklektik dhe virtuoz i violinës, ai është një artist i jashtëzakonshëm.

I lindur në Durrës ai u diplomua në moshën 14 vjeç në Institutin e Lartë të Artit në Tiranë. Në moshën 17 vjeç u diplomua me nderime nga Santa Cecilia (deri më sot ai është violinisti më i ri me një diplomë në historinë e konservatorit romak) dhe vitin tjetër në Mozarteum në Salzburg.

Olen ka luajtur në tempujt e mëdhenj të muzikës botërore, nga teatri i lashtë i Taormina në Wiener Konzerthouse në Vjenë, nga Carnegie Hall në New York në Auditorium Parco della Musica në Romë, nga Teatri Le Palace i Parisit në Teatromonumental RTVE në Madrid. /atsh/ KultPlus.com

5 javë koncert, Olen Cesari: Të rikthejmë vëmendjen te vlerat e trashëgimisë

Violinisti virtuoz Olen Cesari rikthen jetën artistike në vend. Ai ka zgjedhur Porto Palermon për një koncert krejt ndryshe nga 16 Korriku deri 14 Gusht.

Për 5 javë ai do të realizojë një festival dedikuar këtij vendi që sipas tij është lënë në harresë. Synimi është kthimi i vëmendjes të vlerat e trashëgimisë kulturore, por edhe për të dhënë një mesazh për ambientalizmi.

Iniciativës së violinistit, do t’i bashkohen dhe emra të njohur si Inva Mula, Gëzim Myshketa, Kastriot Tusha, Vikena Kamenica, apo këngëtaret e muzikës xhaz Elina Duni dhe Marsela Cibukaj./ KultPlus.com

Tingujt e Olen Cesarit i duhen botës më shumë se kurrë (VIDEO)

Olen Cesari, violinisti i njohur shqiptar që njihet për mjeshtrinë e tij në këtë instrument, është prezantuar shumë shpesh me koncerte të mëdha në Evropë dhe më gjerë, shkruan KultPlus.

Ai ka edhe një performancë të rrallë edhe në Rio, ku shihet duke performuar tingujt e Ave Maria.  

KultPlus ju sjell këtë video që është realizuar më herët./KultPlus.com  

Me 10 maj, Olen Cesari me koncert në Prishtinë

Me datë 10 maj, në kryeqytet do të koncertojë violinist i njohur shqiptar me famë botërore, Olen Cesari.

Cesari do të jetë pjesë e aktiviteteve për Ditën e Evropës, ndërsa aktivitete të ndryshme do të ndodhin gjatë tërë javës në mbarë Kosovën.

Koncerti fillon në ora 20:00 në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare (ish Instituti i Historisë). Koncerti është i hapur por ftesa duhet marrë në Europe House, përballë Komunës së Prishtinës, shkruan KultPlus.

Cesari do të jetë i shoqëruar edhe nga muzikantë të tjerë, ndërsa do të ketë edhe befasi të tjera gjatë natës.

Koncerti organizohet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, në bashkëpunim me Europe House. / KultPlus.com

Violinisti Olen Çezari: Për Shqipërinë time, tinguj nga e gjithë bota

Lucio Dalla e konsideronte si gjeniun e violinës. Virtuozi i muzikës Olen Çezari, i cili ka interpretuar me gjigantët e muzikës botërore, si Bob Dylan, sjell në Pallatin e Kongreseve emrat më të mirë të muzikës botërore.

Muzikën e tij plot kontraste, që i përcjell emocionet e njeriut në të gjitha ngjyrat, e kërkojnë kudo. Çdo vend që virtuozi shqiptar i muzikës klasike prek, lë një shenjë të thellë në shpirtin e tij, që mandej jetësohet në tinguj gëzimi e trishtimi, në tinguj violine. Rikthehet Olen Çezari sot dhe nesër në Tiranë në orën 19:00 në Pallatin e Kongreseve, për t’i dhuruar publikut të tij, tinguj nga e gjithë bota. Udhëtimin drejt Shqipërisë ai e ndjen si një domosdoshmëri. “Është diçka që vlon brenda meje, dëshiroj që muzikën që çojmë nëpër botë ta ketë edhe Tirana, ta bëjmë në njëfarë mënyre tonën. Për të na shoqëruar dhe për t’i bërë notat sa më reale unë kam ftuar Alessandro Mannarino-n kantautorin e famshëm italian. Nga Kina do të vijë Guo Gan, një instrumentist i cili do të luajë një nga meloditë më të famshme të Azisë. Vjen po ashtu për herë të parë në Tiranë bateristi që ka performuar për vite me Santanën, Pepe Sanchez. Do të jetë Eden, Shama Milan nga Kuba dhe Lavinia Mancusi”, shprehet artisti.

Në këtë rikthim të tretë në Tiranë, nuk do të mungojnë pjesë të kompozuara nga vetë Çezari të shoqëruara me momente virtuozizmi total, por edhe gjallëri spontane, duke përfshirë të ftuarit që sigurisht do të dialogojnë përmes muzikës me artistin shqiptar.

Improvizimet skenike të artistit, si të fundit herë që Çezari i dhuroi Tiranës një koncert kur i gjithë publiku u ngrit në këmbë, premtojnë edhe kësaj here ndërveprim. “Është diçka që vjen natyrshëm. Siç ndodhi në 2017-ën. Publiku ngarkohet me energji dhe mandej shpërthejnë shkëndijat. Në momente të tilla nuk ka shumë vend për të menduar për programin, ndaj tejkalohet”.

Do ta shoqërojë “gjeniun” e violinës në skenën e Pallatit të Kongreseve grupi i tij ““I clandestini internazionali” (“Klandestinët ndërkombëtarë”) me të cilin ai bën xhiron e botës prej 10 vitesh, duke shfaqur koncerte në SHBA, Kanada, Zvicër, Francë, Vietnam, Tailandë, Kinë etj. Një grup, emri i të cilit mbart një copëz histori të anëtarëve, pasi pavarësisht se kanë nënshtetësi italiane, vijnë nga vende të ndryshme, duke u bërë ambasadorë të muzikës në botë.

Pjesëmarrja e këngëtares (gjithashtu kërcimtare) Lavinia Mancusi, ndër emrat më të njohur të muzikës popullore në Itali, premton se do të këndohet shqip. “Më shoqëron e vetmja këngëtare italiane që këndon shqip në të gjithë botën dhe kësaj here ajo do të performojë një këngë shumë të famshme shqiptare. Se cila do të jetë, do ta zbulojmë nesër (sot)”, shprehet Çezari.

Mes kësaj magjie tingujsh, do të ketë gjithashtu pak nota humori. Komicitetin e Bes Kallakut, që e bëri violinistin virtuoz “ të qajë nga e qeshura” në një tryezë të përbashkët festive,  dëshiron që t’ia dhurojë edhe publikut në këtë mbrëmje të veçantë për të. “Kam qeshur me batutat e tij si rrallëherë, ndaj i kam thënë që për 3-4 minuta skena do të jetë e tij në këtë koncert. Besi do të ketë momentin e tij, por do të ketë gjithashtu një skenë të përbashkët. Do të jetë e gjitha shumë argëtuese!”.

Muzika e Olen Çezarit është aktualisht në kërkim të “7 mrekullive të botës së re”. Artisti shqiptar duke luajtur në violinë në supin e statujës së Krishtit në Rio de Zhaniero, është hapi i parë i këtij projekti dhe padyshim një nga performancat më sugjestive të tij. “Ne udhëtojmë shumë, pasi na vijnë propozime për koncerte, kështu pata fatin dhe nderin të interpretoj edhe aty. Ishte një mundësi e mirë, madje ndonjëherë më duket e pabesueshme. Kur shikoj videon, në supën e Krishtit në Rio pyes veten: Unë jam ai?!”.

Për violinistin, “Ave Maria in Rio” është një udhëtim shpirtëror dhe introspektivë në një vend të fshehur në zemrën tonë. “Një dhomë e vogël që ne kemi harruar se ekziston ‘dashuria e pastër’. E pastër, si dashuria e një nëne për fëmijën e saj, që e ndjek në eksplorimin e botës hap pas hapi”.

Dashuria është një nga elementët që njerëzit kanë më së shumti nevojë, për më tepër një vend si Shqipëria, ku sipas tij, marrëdhëniet janë më të ftohta e urat e komunikimit më të largëta. “Njerëzit në vendin tonë kanë nevojë t’i shprehin më shumë dashuri njëri-tjetrit. Kjo do t’i bënte disi të zbuteshin, pasi janë gati të egërsuar, të tendosur si telat e një violine”.

Dashurinë për Shqipërinë, Oleni e tregon duke lartësuar emrin e saj dhe vlerave kulturore e historike që mbart. Si gjatë fundit të vitit që lamë pas, ku në 550-vjetorin e ndarjes nga jeta të heroit tonë kombëtar Skënderbeut ai bëri bashkë emra të njohur artistësh shqiptarë në mbarë botën në teatrin “Argentina” në Romë. Një ngjarje që u shoqërua edhe me praninë e Papa Françeskut.

“Gjeniu i violinës”

Pavarësisht suksesit të madh botëror Olen ruan të forta lidhjet me rrënjët e tij. Në vitin 2017 ai zgjedh Tiranën për të regjistruar një DVD ‘live’ gjatë një koncerti të madh në Pallatin e Kongreseve. Dhe në të njëjtën periudhë merr pjesë si i ftuar special në “The Voice” në Shqipëri. Vijon turet në botë me grupin e tij muzikor, duke mbajtur koncerte në SHBA, Kanada, Brazil, Zvicër, Francë por edhe në anën tjetër të globit, në vende si Vietnami, Tajlanda dhe Kazakistani. Ka interpretuar përpara shumë personaliteteve shtetërore në botë, mes të cilëve  Giovanni Paolo II, Ratzinger dhe Papa Francesco. Lucio Dalla e konsideronte Olen Çezarin si “gjeniun e violinës”. Kantautori i madh bolonjez ishte vetëm një nga shumë artistët që kanë dashur ta kenë në krahë në skenë apo në sallë të regjistrimit: nga Bob Dilan, tek Michel Petrucciani, Lenny Kravitz, Maroon 5, Sheryl Crow, Sergio Cammariere, Franco Califano, Claudio Baglioni, Simone Cristicchi (luan në violinë tek “Ti regalerò una rosa”) apo Anna Oxa dhe Zucchero.

“Përfaqësoj popullin tim!”

Komunizmi ishte në rënie kur violinisti nga Durrësi, falë një burse u largua për të studiuar në Santa Cecilia-s në Romë. Gjeniu që mundi të performojë para publikut kur ishte vetëm 5 vjeç, e të bëhet pjesë e Institutit të Arteve në moshën 10- vjeçare, e kishte përfunduar të gjithë repertorin në dispozicion në periudhën e diktaturës, duke u bërë kjo një tjetër arsye e transferimit të tij jashtë shtetit, së bashku me emra, si Tedi Papavrami, Klodiana Skënderi etj.

Ishte i pari i diplomuar në Konservatorin e Tiranës në moshën 14-vjeçare. Mirëpo edhe pse në Itali do t’i propozonin të kalonte direkt në provimet finale, ai do të zgjidhte të thellonte studimet e tij, duke shënuar një tjetër rekord. Studenti i parë i diplomuar në konservatorin “Santa Cecilia” kur ishte vetëm 17 vjeç. Më tej do t’i vijonte studimet në “Mozarteum” të Salzburgut, por Roma do ta thërriste përsëri. Kësaj here për të jetuar do të performonte në rrugë. Aty do të njihej edhe me një muzikant që do ta ndihmonte të çonte muzikën e tij në SHBA. E priste një udhëtim plot sfida, të cilin e nisi në New York me vetëm një violinë dhe 1 dollar në xhep.  Por talenti e parapriu fatin e tij, e pas punëve në kafene do të bashkëpunonte me emra të njohur të muzikës. Të parin album e publikoi pas 20 vitesh karrierë dhe si zë përfaqësues në të zgjodhi muzikantin e njohur italian, të ndjerin Lucio Dalla. Virtuozi i violinës interpreton në të gjitha zhanret e muzikës nga klasikja, muzika pop, rok etj.

Sot, pohon se ndihet i lumtur që përfaqëson popullin shqiptar përmes artit të tij, po ashtu edhe Italinë. “I bëj të dyja dhe ndihem sikur krijoj një tjetër urë mes këtyre dy vendeve që kanë një vëllazëri shekullore”.

Edhe pse do të interpretojë në një skenë si ajo e Pallatit të Kongreseve, që siç edhe vetë tregon, nuk u krijua për artistët, e ku duhet që të gjitha pajisjet t’i marrësh nga jashtë, kjo nuk e bën të ndihet keq para kolegëve të tij të huaj që ka ftuar.  “Me Teatrin e Operës në rikonstruksion mund të thuhet se aktualisht nuk ka një skenë, por unë ndihem keq për të tjera motive”.

Ndër të cilat përmend mungesën e vëmendjes ndaj historisë e arkeologjisë, edhe në qytetin e tij, Durrësin. “Dua t’u tregoj miqve të mi periudhat që kemi jetuar, ndaj do preferoja që Muzeu Kombëtar të kishte më shumë objekte arkeologjike”. Vëren përparime përsa i përket pasqyrimit të periudhës së diktaturës, por mendon se duhet të bëhet më shumë për të ilustruar përmes artefakteve të gjitha periudhat, që nga ajo mesjetarja. / Gazeta Shekulli /KultPlus.com

Violinisti shqiptar Olen Cezari me performancë në statujën e Rio de Zhanieros (VIDEO)

“Ave Maria”, ka jehuar nga tingujt e violinistit shqiptar Olen Cesari i cili në krahun e statujës së famshme në Brazil, ka bërë këtë performancë të mrekullueshme, shkruan KultPlus.

Olen Cesari ka thënë për këtë performncë se i dedikohet dashurisë së pastër të nënës dhe fëmijës. /KultPlus.com

Inva Mula me koncert në Vjenë, përfshihen edhe shumë artistë të famshëm shqiptarë

“Vienna Salutes To Tirana”, është koncerti që do të mbahet në Vjenë të Austrisë, shkruan KultPlus.

Artistja kryesore që do ti paraprijë këtij koncerti është Inva Mula, koncert i cili do të ngërthejë edhe shumë artistë të rëndësishëm shqiptarë si: Genc Tukici, Eno Peci, Olen Cezari e Gëzim Myshketa.

Koncerti do të mbahet në shenjë të marrdhënies diplomatike mes Shqipërisë dhe Austrisë, dhe kjo ngjarje artistike është mbështetë nga Ambasada e Shqipërisë në Vjenë dhe Ambasada e Austrisë në Tiranë.
Koncerti do të mbahet më 16 nëntor, në Konzerthaus të Vjenës, në Mozart- Saal, me fillim në ora 19:30./KultPlus.com