Si e ndryshoi kinematografinë përgjithmonë muzika tmerruese e filmit ‘Psycho’

Filmi horror i Alfred Hitchcock-ut, ndoshta nuk do të ishte bërë një klasik i përjetshëm pa shtesën thelbësore të muzikës shqetësuese të Bernard Herrmann.

Violat që bërtasin si të dilnin nga një thertore. Nota të thella basësh që ngadalësohen gradualisht dhe duken sikur imitojnë rrahjet e dobëta të zemrës së një viktime. Nëse heqim muzikën e kompozitorit Bernard Herrmann nga filmi “Psycho” i regjisorit Alfred Hitchcock, i cili po mbush 65 vjet, mund të thuhet me siguri se ky horror i vitit 1960 nuk do të kishte të njëjtin efekt tronditës që shqetëson nervat.

“Kjo muzikë është gjithçka,” thotë Rachel Zeffira, kompozitore filmi. “Janë zogjtë, janë bletët, dhe janë zërat në fund të mendjes tënde.”

Projekti dukej i pafat që nga fillimi, pasi drejtuesit e Paramount-it (që kishin prodhuar pesë filmat e mëparshëm të Hitchcockut) treguan pak interes, nuk i lejuan të xhironte në ambientet e tyre dhe vetëm e shpërndanë filmin, pa e prodhuar vetë. Por, pavarësisht një buxheti të varfër, Hitchcock i provoi të gjithë të gabuar, dhe për këtë ai mund të falënderojë pjesërisht Herrmannin dhe aftësinë e tij për të krijuar kompozime që ngritën skenat në një nivel krejt të ri.

“Psycho” sigurisht që nuk ishte një film i keq para se t’i kompozohej muzika, por i mungonte tensioni,” shpjegon Steve C Smith, autori i librit të ri “Hitchcock and Herrmann: The Friendship and Film Scores that Changed Cinema”. Herrmann i dha filmit një impuls shumë të nevojshëm duke shkruar muzikë për një orkestër me 50 instrumente të gjitha tela, që ai e përshkroi si një „kthim tek uji i pastër dhe i ftohtë”.

Në rastin e skenës më të famshme, kjo rezultoi në një kor të britmave të larta, psikologjikisht shqetësuese, që bënë që audiencat e frikësuara të mos e shihnin më dushin si një vend të sigurt. „Para skenës së dushit, shumë prej motiveve muzikore kanë një cilësi depresive dhe nuk janë shumë të forta,” thotë Smith. „Por papritmas me skenën e dushit, mute-t në tela hiqen dhe tingëllojnë në mënyrë kafshërore. Kjo krijon një lidhje të zgjuar me Norman Bates, taksidermistin e zogjve.”

Herrmann detyroi Hitchcockun, që në fillim e kishte injoruar idenë, të shikonte skenën e dushit me dhe pa muzikën e tij që krijonte frikë të menjëhershme. „Oh po, duhet ta përdorim!” pranoi Hitchcock. „Por mendova se ti nuk doje muzikën time këtu?” iu përgjigj me sarkazëm Herrmann, para se regjisori të qeshte dhe të thoshte: „Djali im, sugjerim i papërshtatshëm.”

Kjo anekdotë reflekton partneritetin e zjarrtë mes tyre. Bashkëpunimi i tyre krijues vazhdimisht rezultonte në muzikë filmash që i bëjnë shikuesit të ndihen sikur janë pjesë e dialogut të brendshëm të turbullt të një personazhi, duke qenë dëshmitarë të ëndrrave më romantike dhe makthit më të dëshpëruar të tyre. Zeffira përshkruan muzikën që luhet sa herë Norman Bates është në ekran si „i dëshpëruar dhe i shqetësuar”, gjë që, sipas saj, „bën që të ndihesh keq për një vrasës. E di që përpara se të shkruante muzikë filmi, Hermann gjithmonë lexonte romanin mbi të cilin bazohej një film dhe studionte literaturën, kështu që muzika e tij ishte më empatike. Çdo notë që luante Herrmann kishte kuptim”./BBC/KultPlus.com

Romani “Psycho” nderohet me çmimin si libri më i mirë i vitit

Shoqata e Shkrimtarëve të Pejës me kryetar Esat Loshaj, sot ka ndarë çmimin për librin më të mirë të vitit 2018.

Ky çmim i takoi romanit triler ‘Psycho” të shkrimtarit Ilir Muharremi.

Para të pranishmëve kryetari Loshaj u shprehë: “Ky roman është vepër e një firme të madhe, dhe autori tashmë është një emër në letërsinë shqiptare. Autori nuk i ndjen firmat, por veprat, jo emrat, por vlerat, dhe ky çmim i takon autorit Muharremi”. ‘Një libër hapet, një dritare më shumë dritë në kalanë e artit dhe kulturës” tha ai.

Ndërsa, për librin foli studiuesi i letërsisë Besim Perjuci i cili theksoi: “Strukturalist romani ka një shtrirje formatike të tillë pa ndonjë ndarje e nënndarje, tema e nëntema, ndonëse ka prerje të theksuara, megjithatë një i tërësishëm mbetet, duke u kategorizuar në konceptin e vetëm “psycho”, si konceptin bazë ideotematik që trajtohet. Në këtë lëmsh mendimesh udhëton autori Muharremi për ta sfiduar imagjinatën e lexuesit si oponentin e vet më të besueshëm”. Sipas tij, ai ironizon me gjendjen e tanishme. Rebelohet jo rastësisht e pa qëllim, me vetëdije apo pa te, kundër individëve qëllimkëqij, pushtave fodull, puthadorëve e pushtetmbajtësve, sahanlëpirësve e fajdexhinjve, kolltukofagëve hipokrit e faqezinjve psikopatëve e maniakëve, sadistëve e kanibalëve, paranoikëve e abuzuesve. Në këtë udhëtim autori e lakuriqëson vertikalen njeri dhe drejtpeshimin e ndërgjegjes njerëzore. Hapi tjetër mund të jetë edhe vetëvrasja, si akti më i ligë i tragjikes njerëzore që arrin kulmin e “vetëkënaqësisë” sepse “vrima” siç e quan autori, e unë do t’ja shtoja edhe mbiemrin “e zezë”, kërkon viktimën e saj. Humb realitetin e kohës, neglizhohet dhe ndahet përjetësisht nga realja për të udhëtuar drejt të padukshmes dhe të panjohurës. Atëherë ndodh ajo që s’duhet të ndodhë, rrëzimi i trungut në horizontalen e mentalitetit të acaruar. Me fjalë tjera kafshohet koha bashkë me qenien njeri të shndërruar tashmë në bishë të egërsuar për vetveten.

Për librin foli edhe drejtoresha e Bibliotekës Shengyl Kelmendi Gashi e cila e vlerësoj lartë punën e Muharremit.
Në fund fjalën e morri autori Muharremi i cili tha se “kam sjellë një roman me një stil të ri, zhanër të pa trajtuar më parë dhe liri totale të shprehjes. Jetojmë në një shekull ku njerëzit më nuk kufizon dhe erotika vjen e drejtpërdrejtë”./KultPlus.com

“Psycho” i Ilir Muharremit promovohet në Akademi të shkencave në Tiranë

Romani “Psycho” i krijuesit Ilir Muharremi së shpejti do të ketë një promovim në Tiranë. Më saktësisht, sipas Muharremit, “Psycho” do të ketë një promovim më 22 qershor në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, shkruan KultPlus.

Studiuesi Vilson Culaj, në një konstatim të tij, pohon se “Psycho” është sfidant për t’u kuptuar dhe i lehtë për t’u lexuar dhe që ta mbarështosh një vepër letrare me fondament, psikologjinë dhe filozofinë e jetës me gjithë kompleksitetin e saj, fiksuar në një gotë vere dhe një banakiere fiktive femër, është thjesht një mjeshtri e rrallë që buron nga një univers njohjeje empirike./ KultPlus.com

U promovua në Prizren romani ‘Psycho’ nga Ilir Muharremi

Sot, në hapësirat e Kolegjit Fama në Prizren u promovua romani “Psycho” i autorit Ilir Muharremi.

Për veprën foli profesori Eqerem Zenelaj i cili e vlerësoi lartë veprën e Muharremit duke i këshilluar studentët të lexojnë më shumë.

Ndërsa, Mensur Bytyqi – drejtor i librarisë “Pena” në Prizren foli fjalë miradije për romanin:
“Ky roman është shkruar me mbi vetëdije, është shumë psikologjik dhe rrëfen për një realitet të pa trajtuar në Kosovë dhe më gjerë”, shtoi mes tjerash Bytyqi, shkruan KultPlus.

Ndërsa, vet autori Muharremi tha pak fjalë rreth librit që tanimë ka marrë vëmendjen e lexuesit shqiptar.

“Jam i lumtur për këtë vepër e cila çdo ditë po gjen lexuesin e vet, shpresoj të promovohet edhe në gjeografitë ndërkombëtare” shtoi Muharremi.

Ky roman rrëfen për erotikën, kanibalizmin, dëshpërimin, psikopatinë, çmendurinë, vrasjet, dhunën, tema këto të ndërthurura në roman në formë interesante. / KultPlus.com