“Metamorphosis” i rikthen gjallërinë ish-mensës së punëtorëve të kompanisë “Ramiz Sadiku”

Alberina Haxhijaj

Mbrëmë, të paktën për një natë, projekti “Metamorphosis” ka rikthyer të kaluarën dhe gjallërinë e ish-mensës së punëtorëve të kompanisë “Ramiz Sadiku”, me ekspozitë, performancë e muzikë, shkruan KultPlus.

Në fund të viteve ’40 dhe në fillim të viteve ’50 lagjja Pejton kishte një gjallëri tjetër. Kjo lagje ju ‘takonte’ klasës së punëtorëve të cilët kohën më të madhe e kalonin në mensën e punëtorëve, të “Ramiz Sadikut”. Në këtë mensë ushqeheshin punëtorët e kompanisë por edhe banorët e lagjes dhe familjarët e tyre. Pikërisht kjo ndërtesë ishte vendtakimi i tyre dhe hapësirë ku ata diskutonin por edhe festonin së bashku.
Përtej shkallët, të cilat kanë mbetur akoma brenda hapësirës, improvizohej një skenë ku mbaheshin edhe aktivitet të ndryshme kulturor por jo vetëm. Ky objekt ka shërbyer edhe për të organizuar dasmë. Çdo herë kur kalohej në këtë rrugë, gjatë atyre viteve, ajo çka kujtojnë së pari banorët, është gjallëria që ka mbizotëruar aty.

Por, pas vitit 1989 kur “Ramiz Sadiku” falimentoi si rezultat i tensioneve politike, mensa mori tjetër funksion. Ajo, do bëhej një prej qendrave humanitare për refugjatët e luftës së fundit në Kosovë, e më pas edhe restorant. Me kalimin e viteve ky objekt do mbetej një gërmadhë. Një strehë për qentë endacak, apo vend jo i zakonshëm për të luajtur fëmijët e lagjes. Shpesh herë muret e tij u bënë identifikues të portës, gjersa fëmijët që banonin pranë luanin futboll dhe gjuanin për të shënuar gol. Në mesin e tyre ka edhe të tillë që kanë kaluar andej duke mos e pyetur vetën se për çfarë ka shërbyer ky objekt më herët.

Gresa Gashi e cila për tri ditë u bë pjesë e ekipit prej 20 të rinjve e të rejave, pjesë e projektit “Metamorphosis”, u shpreh se pjesa më emocionuese e punës së tyre ka qenë rezultatin final, pasi që arritën t’i rikthejnë gjallërinë objektit, edhe pse ndoshta vetëm për një natë.

“Kam dëgjuar prej një shoku për këtë aktivitet dhe që në fillim kam menduar që ideja është shumë e mirë. Kemi intervistuar banorët edhe kemi marrë shumë informata sa që kemi arrit me e kriju një lloj historie për këtë objekt. Objekt për të cilin as që e kemi ditë që ka ekzistuar më herët, ose kemi kaluar dhe as që jemi ndalë. Përveç që kemi arrit me e ringjallë historinë e këtij objekti na e kemi shfaq edhe kreativitetin tonë. Kemi realizuar diçka vet”, u shpreh ajo.

Këta të rinj dhe të reja kanë arritur që të gjejnë informata të ndryshme dhe interesante për objektin e braktisur, me qëllim që më pas përmes një ndërhyrje artistike ta shpalosin atë histori. Të ndarë në dy grupe, Konstruksion dhe Performancë, kanë reflektuar mbi të kaluarën e mensës së punëtorëve të një prej kompanive më të mëdha të ndërtimit në kohën e ish-Jugosllavisë, por edhe funksioneve tjera që ka pas ndër vite. Ata gjatë tri ditëve krijuan ulëse dhe tavolina, të ndihmuar nga Besnik Leka, për të sjellë kështu performancen “On the loop”.

Performanca “On the loop” nëpërmjet “statujave lëvizëse” solli disa karaktere që portretizojnë më së miri funksionin e këtij objekti. Aty njerëz të profesioneve të ndryshme ndanin me njëri-tjetrin detaje nga përditshmëria e tyre.

E në këtë rivitalizim të objektit të braktisur nuk kishte sesi të mungonte muzika. Prandaj ritmet e muzikës repetitive që dëgjoheshin përçonin emocionet e bukura dhe të errëta që bartë në vete ky objekt për një përjetim krejt ndryshe. Duke e shoqëruar këtë rikthim me një instalacion arkitektonik, planimetria e objektit dhe me një rrëfim të detajuar të historisë së objektit, ashtu siç banorët e lagjes “Pejton” e kujtojnë.

“Metamorphosis” është projekt i cili përkon me një prej qëllimeve kryesore që ka fondacioni “Shtatëmbëdhjetë” e që është rivitalizimi i hapësirave të braktisura, tregoi për KultPlus, Nita Zeqira nga ky fondacion.

“Kemi përzgjedh këtë lokacion që edhe pse është goxha i fshehur është në qendër të Prishtinës. Kemi hulumtuar dhe e kemi sjellë historinë e këtij objekti përmes arteve bashkëkohore. Jemi mundu që më hulumtu sa më shumë dhe me kriju një memorie kolektive të hapësirë. Kjo është edhe një ndër qëllimet tona si fondacion që të rikthejmë këto hapësira përmes kulturës, artit dhe qytetarisë aktive”, u shpreh ajo për KultPlus.

Tutje tregoi se fondacioni “Shtatëmbëdhjetë” është çdo herë në kërkim të hapësirave të tilla të braktisurave, dhe shumë shpejt mund të presim kthimin e vëmendjes së njerëzve të ndonjë hapësirë tjetër./ KultPlus.com