Pusi që lahet vetë

Është hapur 618 vjet më parë, në vitin 1460 në një lagje të madhe jo shumë larg qendrës së qytetit të Elbasanit.

Ideja e hapjes së një pusi ishte e dy vëllezërve arabë, besimtarë muslimanë Hyseni dhe Dylgjeri, të cilët mbas hapjes së pusit në këtë vit, do të ndërtonin edhe një xhami shumë pranë pusit.

Kur nisën hapjen e pusit, dy vëllezërit, hodhën brenda tij një çekiç, sqeparin, dhe mistrin prej floriri, vegla pune të cilat sinjifikonin mbarësi përsa i përket ndërtimeve në të ardhmen. Të gjithë besimtarët, para se të kryenin faljen e namazit laheshin në pusin e ndërtuar shumë pranë xhamisë. Që asokohe kjo lagje e cila vinte duke u shtuar nga qytetarë Elbasanas por edhe të ardhur nga fshatrat përreth do të shtohej nga viti në vit.

Mbas ndërtimit të xhamisë dhe hapjes së pusit lagja mori emrin ” Dylgjer Hysen”, në nder të dy vëllezërve arabë, por që asnjëherë nuk u thërrit me këtë emër, por me titullin simbol ” Pusi që lahet vetë”. Por në vitin 1966 sistemi Komunist do të prishte xhaminë, si dhe do të mbyllte pusin që lahet vetë. Që nga ajo ditë pusi u mbyll dhe të shumtit që e dinin vendndodhjen e tij, tashmë nuk jetojnë më, vetëm mbas 45 vjetësh, dikush do të investonte për të hapur sërish këtë pus, i cili njihet tashmë nga i gjithë komuniteti Elbasanas, por edhe shumë vizitorë e turistë për nga vetë historia që ai ka, më së shumti nga gojëdhënat e vetë banorëve. Dhe sot të gjithë këtë lagje e cilësojnë me këtë emër ” Pusi që lahet vetë”.

Shumë pak është shkruar në historinë e Monumenteve të Kulturës për pusin që lahet vetë, por edhe për rrapin i cili ndodhet shumë pranë tij. Sipas rrëfenjave të banorëve të kësaj lagjeje, një herë në dy javë pusi shpërthente ujë dhe nxirrte papastëritë në rrugë, dhe të nesërmen në mëngjes rruga ishte e mbushur me ujë. Pusi lahej për ditë të premte, ç’ka edhe sistemi komunist e prishi atë./ KultPlus.com