Qemal Murati, ky kërkimtar i pandalshëm i studimeve të shqipes

Nga Dr. Jolanda Lila

Profesor Qemal Murati është një ndër gjuhëtarët shqiptarë më prodhimtarë të bashkëkohësisë, me mbi 40 libra të botuara në trajtë monografie dhe me dhjetëra vepra të tjera si bashkautor, redaktor apo recensues. I gjithë ky korpus veprash është hartuar brenda një harku kohor 37-vjeçar, gjë që dëshmon se impulset e tij krijuese nuk kanë qenë me hope (siç ndodh rëndom), por kanë vërshuar si një uragan, duke qëmtuar në qelizë problemet akute të gjuhësisë së sotme, por edhe duke mbrojtur me argumente të forta, të vërtetat shkencore dhe historike mbi gjuhën tonë.

Gjuhëtari Qemal Murati lindi me 6 gusht të vitit 1955 në Tuhin të Kërçovës, por qysh në moshën 14-vjeçare u shkëput nga familja për të sakrifikuar gjithçka për shkollimin dhe thellimin e tij në fushën e dijes. Me një motiv të qartë në jetë dhe me dëshirën e zjarrtë për të qenë “dikushi”, ai spikati në gjimnazin e Prishtinës, por edhe në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës, posaçërisht në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe. Ai dallohej si një student tepër aktiv, novator dhe mendjeqashtër, i cili me vendosmërinë, korrektësinë dhe qëndrimet e veta, impononte respekt për rrethin e studentëve, të pedagogëve dhe më gjerë.

Idealist dhe konsekuent në qëndrimet e veta, njëherësh kokulur e modest, duke dashur punën dhe jo dukjen, ai arriti të ngjitet nëpër shkallët e karrierës, ndonëse ishte në një mjedis jofamiljar, në kuptimin që nuk ishte vendas, sepse i përkiste shqiptarëve të Maqedonisë. Me formimin e vet kulturor, arriti t’i krijonte bazat në Prishtinë dhe të ndërtonte mjedisin për t’i shpalosur aftësitë e veta. Qysh në vitin e fundit të studimeve universitare, përkatësisht më 1978, ai punoi për dy vjet radhazi si lektor dhe redaktor në gazetën e studentëve “Bota e re” dhe më pas, u angazhua si redaktor gjuhësor në Televizionin e Prishtinës. Krahas punës, profesor Qemal Murati kreu edhe studimet pasuniversitare në Universitetin e Prishtinës, duke sjellë risi në një fushë studimore jo fort të rrahur, përmes temës: “Ndikimet reciproke midis shqipes dhe maqedonishtes”. Ndërsa në vitin 1989, këtë temë e zgjeroi dhe e rikonceptoi deri në kufij shterues, përmes punimin të doktoraturës: “Sllavizmat në të folmet shqipe të Maqedonisë”.

Zhdërvjelltësinë e karakterit të tij, të kultivuar edhe më tepër gjatë përvojës 4-vjeçare në fushën e gazetarisë, e shpalosi edhe në fushën e shkencës. Në vitin 1982 pranohet si bashkëpunëtor shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës, në Degën e Gjuhësisë. Për shkak të kontributit të tij madhor, në vitin 2003, zgjidhet këshilltar shkencor në këtë Institut (që është i barasvlershëm me titullin profesor ordinar në universitet).

Intuita për të përkapur problemet kryesore dhe më të prekshme të gjuhës, formimi dhe njohja e thellë e problematikave, por edhe stili i qartë, me një gjuhë konkrete e të pangarkuar me terminologji, e bënë veprën e tij që në krye të herës, të qarkullonte gjerësisht jo vetëm në rrethet shkencore, por edhe përtej tyre. Gjithashtu, kryerja e specializimin në Gjuhësi, në Universitetin e Sorbonës, përgjatë viteve 1985-1986, ndikoi jo pak në formimin e tij akademik, duke u manifestuar qartazi edhe në aplikimin e metodologjive bashkëkohore në qasjet e tij studimore.

Pavarësisht se jeta e profesor Qemalit është e ndarë mes Kosovës e Maqedonisë, me profilin e vet studimor, ai ka dëshmuar vazhdimisht se u përket të gjitha trojeve shqiptare, sepse për të “gjuha është atdheu i fundit”. Kjo nënkupton kryefjalën e qëndrimeve të tij shkencore, duke e konsideruar gjuhën një thesar “që shtetet e mbajnë të groposur në banka për të garantuar ekzistencën e tyre”. Kështu, sipas tij, gjuha shqipe standarde është një simbol kombëtar dhe identifikues, ashtu siç janë flamuri, apo himni kombëtar. Në funksion të kësaj fryme përbashkuese, ai ka mbajtur qëndrime të rrepta kundër ndërhyrjes në standardin e gjuhës shqipe, duke e parë si një formë që shpie në çarje gjuhësore dhe kombëtare, ndërkohë që ky është kodi më i lartë komunikativ, i cili lidh të gjithë hapësirën shqipfolëse. Pra, “gjuha është indi koheziv kombëtar”. Me të njëjtën forcë argumentuese, ai mbron edhe çështjen e statusit të shqipes në Maqedoni, ku kjo gjuhë nuk gëzon të njëjtën pozitë me maqedonishten, sa nga mungesa e vullnetit politik të klikës drejtuese, po aq edhe nga shkujdesja e shoqërisë. Në këtë kuadër, ai sjell të dhëna e shifra, të cilat flasin më tepër se fjalët, duke ngritur shqetësimin se “99% e shqiptarëve në Maqedoni flasin gjuhën maqedonase, ndërkohë që as 3% e maqedonasve nuk dinë shqip”. Prestigjin e padrejtë të gjuhës së tjetrin në kurriz të shqipes, gjuhëtari Murati e vëren në të gjithë arealin shqiptar, duke theksuar “pushtetin përbuzës ndaj gjuhës shqipe në Maqedoni, në një kohë kur shqiptarët përbëjnë mbi 25% të popullsisë. Në Mal të Zi, të drejtat e shqiptarëve dhe të ligjërimit të tyre shpesh tejçohen prapa diellit, ndërsa në Preshevë, Medvegjë e Bujanovc as që flitet për liri e të drejta të shqiptarëve e të ligjërimit shqip. Përkundër qasjesh të tilla, në Kosovë – ku serbët përbëjnë vetëm 5% të popullsisë – serbishtja është gjuhë zyrtare”. Me të njëjtin pasion mbron edhe ruajtjen e shqipes standarde, mosbastardimin e saj nga fjalët e strukturat e huaja, por edhe nga format jonormative.

Në veprat e veta, ai paraqitet si një qëmtues i vëmendshëm i ligjërimit publik, në media e më gjerë. Në këto qëmtime nuk janë mbizotëruese teorizimet laboratorike, por është lënda e gjallë e terrenit dhe e gjuhës aktive. Librat e tij përmbajnë kaq shumë shembuj konkretë nga ligjërimi i përditshëm, saqë të krijohet përfytyrimi se profesori gjatë 24-orëve është në punë, me laps e letër në dorë, gjithnjë vigjilent për të dokumentuar gjithçka e gjithkënd që kontribuon në shkatërrimin e gjuhës shqipe. Po me kaq përkushtim, për secilin rast, ai shpjegon në imtësi trajtën normative, të cilën duhet ta përdorim të gjithë. Me të drejtë, profesor Rami Memushaj e ka quajtur “gardian i shqipes, i cili bën punën e një agjencie të munguar të këshillimit gjuhësor, apo të sektorit të kulturës së gjuhës, që në fakt duhet të ekzistojë në institutet tona shkencore”.

Kontributi kryesor në fushën e shkencës

Në kontekstin e konstatimeve përgjithësuese që u thanë më lart, mund të bëjmë një përcaktim më konkret e kategorizues për kontributin e deritanishëm të profesor Qemal Muratit në fushën e shkencës: Së pari, si njohës i thellë i shqipes dhe i disa gjuhëve të huaja, ai me studimet e veta ka hedhur dritë mbi çështje të gjuhësisë krahasuese, veçanërisht mes gjuhëve të Ballkanit, ku ka sqaruar shumë aspekte të ndikimeve ndërkulturore e ndërgjuhësore. Këto çështje janë parë gjithnjë me objektivitet, përtej formulës ballkanike, sipas të cilës “gjuha e tjetrit shihet me racizëm” dhe ku “patriotizmi gjuhësor” ia zë frymën argumentit shkencor. Libra të tillë si: “Kërkime miksoglotike në arealet shqipe dhe ballkanike” (2017), “Bashkëmarrëdhëniet gjuhësore shqiptare maqedonase” (2007), “Elementet e shqipes në gjuhët sllave jugore” (1990) etj., përbëjnë një kontribut të rëndësishëm në fushën e studimeve albanologjike, por edhe të linguistikës krahasimtare.

Së dyti, në fushën e sociolinguistikës dhe dialektologjisë, ai ka sjellë një kontribut të çmuar për studimin shumëpërmasor të arealit shqipfolës në Maqedoni, duke hulumtuar aspekte të gramatikës, leksikut dhe etnografisë, në përqasje me të gjithë arealin ballkanik. Sipërmarrje të tilla nënkuptojnë njohjen e thelluar të historisë së gjuhës, e cila shpaloset qartazi në vepra të karakterit onomastik, si: “Dëshmime onomastike për autoktoninë e shqiptarëve në trojet e tyre etnike në Maqedoni” (1993), “Probleme të gjuhës së sotme dhe historike të shqipes” (1994), “Shqiptarët dhe Ballkani ilirik në dritën e emrave dhe të familjeve” (1999), “Shqiptarët dhe shqipja në një botë emrash të përveçëm” (2014), etj.

Së treti, në fushën e folkloristikës, profesor Qemal Murati ka meritën e studiuesit aktiv, i cili ka mbledhur në terren tërësinë e krijimeve artistike, por edhe të zakoneve e të riteve në krahinën e Kërçovës, por edhe në treva të tjera ku jetojnë shqiptarët në Maqedoni. Vepra të tilla janë: “Kërçova në traditat e saj të vjetra” (1996), “Këngë të moçme kërçovare” (2000), “Lirika gjylvetare e grave” (2001), “Kërçova – hulumtime linguistike, etnografike dhe folklorike” (2008) etj.

Së katërti, në fushën e leksikografisë, ai ka bërë një punë kolosale duke hartuar fjalorë voluminozë në sfera të ndryshme, njëgjuhësh e dygjuhësh, kryesisht të tipit shpjegues. Ndër fjalorët kryesorë të hartuar prej tij janë: “Fjalor i shqipes truallsore të Maqedonisë” (1998), “Fjalori idiomatik shqip-maqedonisht” (2003), “Fjalor i fjalëve të rralla të përdorura në viset shqiptare të Maqedonisë” (2003), “Fjalor i sllavizmave në të folmet shqiptare të Maqedonisë” (2004), “Fjalor toponomastik i tërthoreve shqiptare të Maqedonisë” (2008), “Fjalor i gabimeve gjuhësore – këshilla për t’u shprehur saktë dhe bukur” (2013), “Fjalor i fjalëve dhe shprehjeve nga trojet e shqipes në Maqedoni”, “Fjalor i medieve” dhe së fundi ka përgatitur për shtyp edhe veprën unikale “Fjalor leksiko-frazeologjik i Kosovës” me mbi 16 mijë zëra, që rrok përmasat e 1140 faqeve. “Ky Fjalor thesar do të jetë vepër tjetër në mbërritjet e gjuhësisë shqiptare dhe do të përbëjë një mjet me rëndësi të veçantë për çdo studiues që merret me fjalën shqipe. Me përparësi do të shfletohet lënda e këtij fjalori sidomos nga leksikologët e dialektologët, po edhe nga ata që merren me hulumtimet për etimologjinë e shqipes dhe për një log edhe më të gjerë njerëzish, veçmas nga arsimtarët e gjuhës shqipe e të letërsisë shqiptare” – siç shprehet recensuesi prof. Gjovalin Shkurtaj.

Gjithashtu, ka bërë gati për shtyp edhe veprën “Kosova në toponime – Kontribut për një fjalor onomastik dhe etimologjik”, prej mbi 1200 faqesh, në të cilën autori Qemal Murati ka evidentuar një korpus të përfillshëm prej rreth 30 mijë topoleksemash. Ky vëllim nuk paraqet një regjistër të thatë shkencor, por pa dyshim është një studim i thelluar që posedon cilësi shkencore.

Emri i këtij gjuhëtari gjendet edhe si bashkautor dhe recensues në disa fjalorë, ku ndër më kryesoret përmendim: “Fjalor i fjalëve të huaja” (1987), “Fjalori maqedonisht-shqip” (1999), “Fjalori boshnjakisht–shqip” (2008), “Fjalori kroatisht-shqip” (2010), etj.

Së pesti, profesor Qemal Murati është vënë në anën e studiuesve, të cilët kanë mbajtur një qëndrim të prerë për të mos ndërhyrë në modifikimin e standardit të gjuhës shqipe. Për këtë çështje ai ka bërë jo vetëm hulumtime, por edhe polemika të herëpashershme në shtyp, të cilat më vonë janë përmbledhur edhe në vepra të veçanta, të tilla si: “Gjuha shqipe në komunikimet publike – Ligjërimi mes zyrtares dhe sendërgji për përmbysje standardi e kthim dialekti” (2013), “Për shqipen standarde – përmasa komunikuese dhe kombëtare” (2009), “Standardi gjuhësor dhe kultura e shprehjes” (2004).

Për mbrojtjen dhe ndërgjegjësimin mbi përdorimin e gjuhës shqipe në përgjithësi, ai ka botuar një numër të madh veprash, të cilat përbëjnë një kontribut të vyer në fushën e kulturës gjuhësore. Ndër vepra kryesore në këtë lëmi, përmendim: “Probleme aktuale të gjuhës së sotme shqipe” (2014), “Manual i thënieve për gjuhën” (2011), “Drejtpërdorimi i shqipes dhe kultura gjuhësore” (1996), “Kokrra urtësie për gjuhën” (2001).

Së gjashti, kontributi i tij në fushën e shkencës lidhet me përfshirjen në mësimdhënie, ku ka hartuar leksionet për lëndët: “”Fonetikë e gjuhës shqipe”, Dialektologji”, “Histori e gjuhës shqipe”, Leksikologji e gjuhës shqipe”, lëndë të cilat i ka lekturuar në Universitetin e Tetovës, që prej vitit 1994, kohë kur u themelua ky universitet. Ndërsa në disa universitet private në Prishtinë ka qenë titullar i lëndëve: “Kulturë shkrimi dhe të foluri shqip”, “Shkrim akademik”, “Mediet dhe komunikimi”, “Komunikimi ndërkulturor” dhe “Semiotikë”. Gjatë gjithë karrierës si mësimdhënës është shquar për qartësinë e koncepteve dhe aftësitë e spikatura pedagogjike.

Së shtati, përveçse si autor tekstesh studimore dhe si mësimdhënës, ai ka pasur dhe vijon të ketë një veprimtari shumë aktive drejtuese. Përveçse ka organizuar një numër të madh konferencash shkencore, njëherësh si studiues i zellshëm dhe tepër i gjallë e aktiv, ka drejtuar ndër vite një sërë projektesh akademike, mes tyre projekte që lidhem me hartim fjalorësh, por edhe me drejtimin e disa revistave periodike shkencore, të tilla si: “Gjuha shqipe” dhe “Studime Albanologjike”. Për shumë vjet ka qenë dekan i Fakultetit Filologjik në Universitetin e Tetovës dhe themelues e drejtuesi i parë i Seminarit Ndërkombëtar të Albanologjisë në Universitetin Shtetëror të Tetovës (2007-2010) dhe i “Seminarit Ndërkombëtar të Ballkanologjisë” në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve-Shkup (2018).

Veprimtaria e tij e gjerë akademike është tregues i qartë i dashurisë së madhe që ka për punën ky studiues. Këtë e dëshmon edhe studiuesja Russana Beyleri, profesoreshë në Katedrën e Gjuhësisë në Universitetin e Sofjes, e cila në parathënien e librit “Kërkime miksoglotike në arealet shqipe dhe ballkanike” shprehet në këtë mënyrë për gjuhëtarin Qemal Murati: “Shumicën e kohës ai e kalon i përqendruar në tavolinën e punës, i kërrusur para kompjuterit, dhe me siguri nuk i ka mbetur shumë kohë për autoreklamë dhe turizëm shkencor”. / KultPlus.com

Shqipja dhe kujtimi për Skënderbeun, dy shenjat më kryesore të identitetit të shqiptarëve

Qemal Murati

Në hapësirën shqipfolëse Gjergj Kastrioti- Skënderbeu nderohet lart si hero kombëtar. Figura e Skënderbeut edhe sot, 550 vjet pas vdekjes së tij, nuk perceptohet dot pa emocione, kjo sepse shoqëritë kanë nevojë për heronj (Jens Oliver Schmitt). Por derisa te disa popujt e tjerë janë krijuar edhe heronj kombëtarë fiktivë, që nuk kanë ekzistuar, më shumë sipas dëshirës së tyre, te figura e Skënderbeut kemi një hero real historik kombëtar shqiptar të përmasave evropiane e botërore, që sa më shumë kalojnë shekujt emri i tij nuk venitet por rritet, dhe, për famën e tij, një hero që kanë synuar ta përvetësojnë edhe të tjerët. Popuj të ndryshëm të Ballkanit kanë bërë përpjekje për ta përvetësuar këtë figurë madhështore të historisë shqiptare, sidomos serbët, maqedonasit etj.

Të rralla janë figurat historike kombëtare, si Gjergj Kastrioti Skënderbeu, që me bëmat e tyre i kanë krijuar vetes një aureolë të tillë sa të identifikohen me gjithçka që është kombëtare dhe universale: me epokën historike (Epoka e Skënderbeut 1443), me simbolet nacionale (Flamuri i Skënderbeut), me armët (Shpata e Skënderbeut), me kohën (shekullin XV: Shqiponja dykrenore ka zënë vend që nga koha e Skënderbeut); me Skënderbeun matet dhe koha: thuhet para kohës së Skënderbeut, pas kohës së Skënderbeut, në kohën e Skënderbeut; me të drejtën zakonore (Kanuni i Skënderbeut); me gjuhën (gjuha e Skënderbeut). Kështu, deri dhe gjuha shqipe është ngritur në shenjë identiteti dhe është bërë sinonim i emrit të tij. Kur flitet për arbëreshët e Italisë, thuhet: “Flasin me gjuhën e Skënderbeut.
Dhe kjo sigurisht jo pa ndonjë arsye, sepse gjuha e të parëve tanë, e quajtur në mesjetë arbnishte/ arbërishte, ka mundur të mbijetojë përballë stuhive e rrebeshe asimiluese të pushtuesve në radhë të parë edhe falë shpatës së kryeheroit tonë Skënderbeut. Shpata e Skënderbeut i dha fuqi edhe penës së shkrimtarëve që ta ruanin e ta kultivonin këtë gjuhë me shkrim. Prandaj edhe poetët do ta vinte në spikamë këtë:

“Atë që bëri Skënderbeu me shpatë/ Ti e bëre me penë, o i madhi De Radë”.

Me Skënderbeun ka qenë e lidhur ekzistencialisht edhe jeta (bota) arbëreshe. Arbëreshët e konsideronin veten si ”Populli i Skënderbeut”. Në fshatrat e arbëreshëve ekzistojnë akoma emra njerëzish që quhen Skanderbeg, siç janë gjetur në regjistrat e vjetër të formularëve të pagëzimeve një numër shumë i madh që kishin emrin e heroit kombëtar. Komunitetet arbëreshe në Itali për ta ruajtur të gjallë mitin e Skënderbeut i kthyen edhe Pashkët si festa kombëtare të arbëreshëve dhe kjo festë nisi të mbahej në emër të kujtimit të Gjergj Kastriot Skënderbeut.” (Françesko Altimari).

Skënderbeu sa është hero kombëtar i shqiptarëve po aq është bërë hero edhe i civilizimit botëror. Monumenti i Skënderbeut ka zënë vend në sheshet e kryeqyteteve ballkanike, evropiane dhe botërore: në Tiranë, në Shkup, në Prishtinë, në Romë, në Gjenevë, në New York. Edhe në Beograd një rrugë mban emrin e Skënderbeut.

Skënderbeu si figurë historike ka kaluar edhe në legjenda, që ka frymëzuar edhe poetë të mëdhenj si Grigor Përliçev (1830-1893) të ekzaltohej e frymëzohej aq shumë, sa të shkruante poemën “Skënderbeu” në greqisht me 3000 vargje. Në të poeti i këndon me ton të ngritur patetik heroizmit të luftëtarëve shqiptarë dhe të prijësit të tyre, Skënderbeu është dhënë si mbrojtës i popujve të tjerë të Evropës (vepra është përkthyer dhe botuar shqip më 1967 prej S. Çomorës). Se ai e dinte që Skënderbeu ishte një figurë e tillë universale, që në thelb ka bashkimin, jo ndarjen.

Skënderbeu është edhe vetë gjuha shqipe. Ai me gjuhën arbneshe i dha kësaj gjuhe forcë si forca e Anteut që ishte e lidhur për toke. Bëri që kjo gjuhë të jetë edhe më e dashur ngaqë lidhet edhe me një emër të tillë të madh dhe t’u shërbejë shqiptarëve si mburrje para të tjerëve.
Gjuha shqipe e Kryezotit të Arbërit, Skënderbeut, injektonte krenarinë tek shqiptarët.
Për Skënderbeun, si për asnjë gjeni tjetër të artit luftarak, është shkruar shumë dhe në shumë gjuhë të botës. Janë shkruar histori, romane, poema, drama, poezi; janë thurur legjenda pa fund. Edhe në fushën e terminologjisë janë krijuar mjaft terma dhe shprehje terminologjike që lidhen me figurën e Skënderbeut, si:

Skënderbeolog: “Kristo Frashëri, nderohet Skënderbeologu (titull, Shekulli, 10.11.2005); Ai konsiderohej si një nga “Skënderbeologët” më të rëndësishëm…” (Gazeta “Shekulli”).
Skënderbegian: Epoka skënderbegiane; Bibliografia skënderbegiane, etj.
Edhe gjeografia shqiptare është plot me toponime e legjenda që lidhen me emrin e heroit, që flasin për gjurmët e këtij vigani:
Shkall’e Skënderbeut – shkallë ku sipas legjendës do të ketë luftuar Skënderbeu – mbi Ladorisht të Strugës.
Shkalla e Skënderbeut – në veri të fshatit Rrajcë.
Shpella e Skënderbeut – në jugperëndim të Bërzeshtës.
Kalaja e Skënderbeut – në Kepin e Rodonit.
Kalaja e Skënderbeut (ose dhe Kalaja e Varoshit) – ndodhet në skajin verilindor të luginës së Matit.
Kalaja e Skëndërbeut – te kjo kala dallohet si në pëllëmbë të dorës gjithë lugina e Bulqizës, e Grykës së Madhe dhe deri edhe Dibra dhe gryka e Radikës.
Gurët e Skënderbeut – një vend që ndodhet në lindje të fshatit Vajkal në kufi me Dragunin në të cilin ndodhen disa gurë shumë të mëdhenj si të ngulur në dhe që duket se janë hedhur në sipërfaqen e një vendi të sheshtë me bar në formë livadhesh.
Kepit i Skënderbeut – në fshatin Sinë të rrethit të Dibrës. Sot dibranët festojnë festën e “Shën Gjergjit”, në kujtim të ditëlindjes së Skënderbeut në datën 6 maj, duke shtruar darka në shtëpitë e tyre.
Kungullari – një grumbull gurësh e dheu me perimetër 90 metra në qendër të fshatit Malishevë, që gjendet në kryqëzimin e rrugëve Rahovec-Prishtinë-Dulë e Klinë . Sipas një legjende, në Kungullar Gjergj Kastrioti Skënderbeu ka mbajtur një fjalim para ushtarëve të tij.
Sofra e Skënderbeut (ose Guri i Pishkashit) – shkëmb monumental i natyrës, një pllakë e madhe gëlqerorësh me formë pak a shumë të rrumbullakët e vendosur mbi shkëmbinj në skajin juglindor të rrethit të Librazhdit, në veri të Përrenjasit (ku është dhe fshati Pishkash), rrëzë malit të Skurës.
Figura historike e Skënderbeut në mendësinë popullore në toponimi është identifikuar a njësuar me legjendën mitike të Dragoit, si te topiku Gjurma e Kalit të Skenderbegut. Në shpjegimet popullore thuhet se Skenderbeu ka qenë Dragua dhe kërcente nga mali në mal gjatë luftimeve dhe se aty ku ka rënë ka mbetur gjurma e kalit të tij.
Veki i Kaurreshës – toponim në grykën e Deçanit. Sipas legjendës, aty ka ardhur gruaja e Skënderbeut, e ka ngritur vekun dhe ka bërë pëlhurë për ushtarët.
Në Shqipëri janë evidentuar 73 toponime që lidhen me emrin e Skënderbeut, me kujtimin, bëmat, legjendat dhe imazhin e Skënderbeut: në Krujë (11 toponime), Mat (20), Dibër (12), Kukës (5), Elbasan (7), Kurbin (3), Librazhd (8), Vlorë (2), dhe në vende të tjera (4).
Toponimet apo emërtimet e kësaj natyre, pavarësisht strukturës gjuhësore dhe formimit me kalimin e kohës kanë marrë funksione simbolike, d.m.th. kanë përfituar natyrën valorizuese të komunikimit. Gjetja e këtij areali në këtë hapësirë, si një prerje kohore e rëndësishme që nga shekulli XV apo dhe më vonë është i rëndësishëm për shumë çështje etnogjuhësore, historike dhe dije të tjera./KultPlus.com