Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga kantieri i Muzeut Kombëtar të Arteve të Bukura në Tiranë që po shndërrohet në një qendër bashkëkohore për artin dhe kulturën në Shqipëri.
Rikonstruksioni total i Muzeut Kombëtar të Arteve të Bukura është investim i qeverisë shqiptare, dhe do të ruajë dhe evidentojë vlerat e projektit të prof. Enver Fajës.
Rama shprehet se “dita-ditës po merr formë një hapësirë e re arti, që do t’i shtojë kryeqytetit hapësira të zgjeruara për ekspozita, kushte të avancuara për ruajtjen e veprave, laborator modern restaurimi dhe teknologji, gjithçka për të mirëpritur vizitorë, kuratorë dhe artistë nga vendi dhe bota”.
Investimi përfshin gjithashtu aksesueshmërinë me dy hyrje të reja, sistem sigurie të avancuar, shkallë emergjence dhe sisteme HVAC për ruajtjen e veprave në kushte optimale.
Një godinë simotër do i shtohet asaj ekzistuese, në pjesën e pasme, me të njëjtat volume, duke zgjeruar hapësirat e fondit të ruajtjes së veprave të artit, ekspozimit, laboratorëve restaurues, aktivitetit edukues për të rinj e fëmijë e shërbime për vizitorët.
Nga 4.600 m2 që është sot, muzeu do të shtrihet në 10.100 m2./atsh/KultPlus.com