Nis restaurimi i një prej shtëpive më të vjetra në komunën e Ferizajt

Kanë nisur punimet restauruese në një prej shtëpive më të vjetra në komunën e Ferizajt, shtëpinë e Hasan Fazlisë në Koshare.

Kështu ka bërë të ditur ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.

Ky aset me vlera të trashëgimisë kulturore karakteristike për arkitekturën e Rrafshit të Kosovës, do të ruhet për brezat e ardhshëm.

MKRS del me sqarim për objektin e Xhafer Devës: Punimet po zhvillohen në përputhje me projektin e miratuar

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit pas disa diskutimeve publike lidhur me punimet restauruese të cilat po realizohen në “Ish-Ambullantën e vjetër – Shtëpinë e Xhafer Devës”, ka dalur me një sqarim publik për punimet në këtë aset të trashëgimisë kulturore, i cili bën pjesë në listën e monumenteve në mbrojtje të përhershme.

Një fotografi e cila paraqet anën e pasme të objektit, ende pa përfunduar procesi i restaurimit, duke e krahasuar me gjendjen paraprake të këtij munumenti, këto ditë ka bërë bujë. Ky krahasim i pamjes aktuale të fasadës me pamjen e dikurshme të objektit me tulla është cilësuar si tjetërsim nga pamja origjinale e këtij monumenti të arkitekturës, të ndërtuar gjatë viteve 1930.

“Jemi siguruar që punimet të zhvillohen në përputhje me projektin e miratuar, duke siguruar kështu edhe cilësi, e në veçanti trajtimi i elementeve dekorative të fasadave, është punuar në mënyrë tradicionale, duke ruajtur origjinalitetin e tyre”, thuhet në njoftimin e MKRS.

MKRS gjithashtu ka bërë të ditur se përzgjedhja e ngjyrës së fasadës, është bërë në bashkëpunim me hartuesit e projektit nga OJQ CHwB dhe përgjëgjësit e QRTK Mitrovicë në cilësinë e organit mbikëqyrës, duke u bazuar në fotografitë e vjetra dhe analogjinë me ngjyrën e cila është përdorur në ndërtesat me po atë stil të ndërtimit gjatë përiudhës së njëjtë të viteve 1930.

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të MKRS në facebook:

“Ish-Ambullanta e vjetër – Shtëpia e Xhafer Devës” është aset i trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përhershme, si monument i arkitekturës së ndërtuar gjatë viteve 1930. Nga zjarrvënia e parë në vitin 2015, e dyta në vitin 2018, ky monument është lënë në gjendje shumë të keqe fizike, në mëshirë të kohës.

Ministria e Kulturës ka përfshirë këtë monument në programin e investimeve restauruese, me qëllim të mënjanimit të rrezikut të mëtejmë për shkatërrim, restaurimin e ndërtesës dhe rifunksionalizimin e saj në shërbim publik për komunitetin.

Projekti i restaurimit të ndërtesës është hartuar nga ekipi i profesionistëve të organizatës jo-qeveritare, Trashëgimia Kulturore pa Kufij, dhe është pajisur me leje nga Instituti i Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve (Nr. 41/2021, data 07.10.2021)

Projekti i restaurimit është hartuar në përputhje me standardet dhe parimet ndërkombëtare të trashëgimisë kulturore, ku krahas rehabilitimit të strukturës së ndërtesës, është marrë parasysh trajtimi i vlerave estetike, me qëllim të rikthimit të pamjes fillestare të saj. Hartimi i projektit gjithashtu ka marrë parasysh transformimet e shumta që janë bërë në ndërtesë gjatë kohës, sikurse hapja dhe mbyllja e dritareve, të cilat nuk kanë ekzistuar në gjendjen fillestare të ndërtesës.

Bazuar në shtresat e ngjyrave në përdhesë, në fotografitë e vjetra të ndërtesës, dhe në analogjinë me ndërtesa të stilit të ngjashëm të ndërtuar gjatë periudhës së njëjtë në Kosovë, kjo ndërtesë është ndërtuar me tulla të argjilës së pjekur, të mbuluar me suva, si material që mbron strukturën e murit të ndërtuar me tulla.

Gjendja e ndërtesës para fillimit të restaurimit, ka qenë si rezultat i zjarreve të shkaktuara, dhe i ndërhyrjeve restauruese të filluara në vitin 2018, e të papërfunduara, ku janë shfaqur muret e zhveshur nga suvaja, të ekspozuar ndaj ndikimeve atmosferike.

Ministria e Kulturës ka ndarë buxhet në vlerë rreth 500,000 euro për restaurim të plotë të monumentit. Ndërhyrjet restauruese po zhvillohen nga kompania e licencuar për fushën e trashëgimisë kulturore, në përputhje me rregullativën ligjore, duke siguruar kështu që punimet të zhvillohen nga mjeshtër e profesionistë të licencuar, nën mbikëqyrjen e stafit profesional të institucioneve tona.

Përzgjedhja e ngjyrës së fasadës, është bërë në bashkëpunim me hartuesit e projektit nga OJQ CHwB dhe përgjëgjësit e QRTK Mitrovicë në cilësinë e organit mbikëqyrës, duke u bazuar në fotografitë e vjetra dhe analogjinë me ngjyrën e cila është përdorur në ndërtesat me po atë stil të ndërtimit gjatë përiudhës së njëjtë të viteve 1930.

Jemi siguruar që punimet të zhvillohen në përputhje me projektin e miratuar, duke siguruar kështu edhe cilësi, e në veçanti trajtimi i elementeve dekorative të fasadave, është punuar në mënyrë tradicionale, duke ruajtur origjinalitetin e tyre./ KultPlus.com

Po vazhdon restaurimi i aseteve të trashgëmisë kulturore

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit njofton se po vazhdon puna në restaurimin e aseteve të trashëgimisë kulturore në gjithë vendin.

Sipas njoftimit ka përfunduar faza e parë e punimeve restauruese në Kishën Katolike “Engjëlli i Rojes” në Ferizaj.

Tuje ministria njofton se tashmë është hapur procedura për fazën e dytë të restaurimit dhe për ndërhyrjet e radhës MKRS-ja ka ndarë 1.3 milion euro.

“Ky objekt me vlerë të trashëgimisë kulturore është ndërtuar një shekull më parë, dhe pas restaurimit të plotë do të vazhdoj të jetë i qasshëm për banorët dhe turistët”, thuhet në njoftim.

Rama: Përfundon restaurimi digjital i filmit ‘Gunat përmbi tela’

Kinema “Millennium” shfaqi mbrëmjen e djeshme premierë e filmit të restauruar “Gunat përmbi tela”.

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit në bashkëpunim me Fondazione Gramsci di Puglia kanë restauruar filmin “Gunat përmbi tela” të regjisorit Muharrim Fejzo, prodhim i vitit 1977.

Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale një video nga filmi “Gunat përmbi tela”, i cili i është nënshtruar restaurimit digjital.

“Me një tjetër film të kinematografisë shqiptare që i është nënshtruar restaurimit digjital, “Gunat përmbi tela” i regjisorit Muharrem Fejzo, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama, ndërsa publikon dhe linkun e filmit në Youtube.

Restaurimi digjital i këtij filmi dhe aktiviteti i premierës u financuan nga Fondazione Gramsci di Puglia dhe Regione Puglia në kuadër të projektit “Pulja në njëqindvjetorin e ardhjes së fashizmit”.

Filmi “Gunat përmbi tela” u restaurua nga elementet origjinalë negativë 35 mm të AQSHF-së, në laboratorin Dabimus srl të Universitetit të Barit “Aldo Moro”, Itali. Filmi mban emrat e një sërë artistësh nga më të njohurit e kinematografisë shqiptare si: Ilia Terpini në kamera, muzika nga Kujtim Laro, skenari nga Duro Mustafaj, piktor Azis Karalliu, kostumografia nga Alush Shima etj.

Nis restaurimi i shtëpisë së Adem Aga Gjonit në Prizren

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka bërë të ditur se ka nisur restaurimi në shtëpinë e Adem Aga Gjonit, në Prizren.

MKRS ka njoftuar se objekti në fjalë është një prej aseteve që i përket trashëgimisë kulturore, i ndërtuar në shekullin XVIII.

“Shtëpia interpreton ndërlidhjen e ngushtë ndërmjet kulturës së banimit të shprehur përmes arkitekturës tradicionale të qytetit të Prizrenit që i ka mbijetuar kohës dhe tash me profesionalizëm po punohet në ruajtjen e vlerave të saj.

Ndërtesa në tërësi është e pasur me elemente etnografike që datojnë nga koha e ndërtimit të saj dhe po bëhet funksionale për të dëshmuar para gjeneratave të ardhshme vlerat tona të pasura të trashëgimisë kulturore”, thuhet në njoftim./KultPlus.com

Restaurimi i Muzeut Historik Kombëtar zgjat 4 vite/ Kuratorja: Koha e duhur, gjithmonë do të ketë kontestime

Muzeu Historik Kombëtar është i mbyllur për vizitorët nga 15 marsi 2024, e dhe deri në 15 mars të vitit 2028. Kjo mbyllje është në kuadër të projektit “Restaurimi, rikonstruksioni dhe muzealizimi i Muzeut Historik Kombëtar, Tiranë”.

E ftuar në emisionin “Pas Mesnate”, kuratorja e muzeve, Yllka Gjikopulli e konsideroi këtë investim në kohën e duhur, pasi pas 4 dekadash duhet rikonceptuar në linja muzeale.

Ajo ka theksoi se pavarësisht kontestimeve, është një hap pozitiv që do të ndihmojë të gjithë publikun.

“Mbyllja e muzeut dhe fillimi i punimeve është një gjë shumë e mirë, një lajm shumë i mirë që do të ndodhi. Është një nga gjërat më të rëndësishme që ka vendi ynë dhe ai muze meriton të jetë patjetër në standardet e një muzeu europian. Gjithmonë, ka një kohë që do kontestohet dhe do thuhet në mos turistike, do dali dhe diçka tjetër. Nuk është dhe një kohë e caktuar kur mund të mbyllet dhe kur mund të hapet një muze. Është një hap pozitiv. Kontestimet do të jenë gjithmonë në çdo rast, ai ka nevojë të shihet dhe nga ana historike, edhe nga ana estetike, pa diskutim dhe t’i përkojë kohës dhe të ketë dhe ndërhyrje dhe të reja ndërvepruese me publikun”, u shpreh Gjikopulli./abcnews.al/KultPlus.com

Nis restaurimi i shtëpisë së familjes Safqiu në Prishtinë

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka bërë të ditur se sot kanë filluar ndërhyrjet restauruese në shtëpinë e familjes Safqiu në Prishtinë, e cila është e ndërtuar rreth vitit 1800.

Sipas Ministrit Çeku kjo shtëpi paraqet vlera arkitektonike, historike e shoqërore.

“Vazhdojmë pa u ndalur me investime në trashëgimi kulturore

Kanë nisur ndërhyrjet restauruese në shtëpinë e familjes Safqiu në Prishtinë. E ndërtuar rreth vitit 1800, kjo shtëpi paraqet vlera arkitektonike, historike e shoqërore.

Asete të tilla janë pasqyrë e trashëgimisë sonë dhe si të tilla po i ruajmë për brezat e ardhshëm”, ka shkruar Çeku në facebook./KultPlus.com

MHK, përfundon restaurimi i kapakut të Ungjillit

Ndërhyrjet konservuese dhe restauruese janë pjesë e punës së punonjësve të Muzeut Historik Kombëtar.

MHK njofton se ka përfunduar restaurimi i kapakut të Ungjillit me numër inventari 3883.

Objekti “Ungjill (Testamenti i Ri)” me nr. inv. 3883 gjendet i ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar dhe i përket vitit 1857. Kapaku i tij është punuar nga mjeshtërit e asaj periudhe ku kanë ndërthurur në harmoni perfekte tekstilin dhe metalin. Në qoshet e librit janë skalitur katër ungjillorët.

Këto lloje objektesh mbartin dëshmi të vlerave shumëshekullore për historinë e popullit shqiptar, veprimtarinë e tyre brenda Perandorisë Osmane, duke çelur dritare njohjeje me krijimtarinë e së shkuarës dhe qytetërimin e trevave të Shqipërisë.

Objekti u zhvendos për në laboratorin e muzeut dhe filloi menjëherë trajtimi në rrugën kimike dhe atë mekanike. Ndërhyrja konservuese u fokusua në heqjen e pikimeve në copën e tekstilit dhe në pjesët metalike prej argjendi, si dhe heqjen e shtresave të papastërtive (pluhura, blozës dhe tymrave) të grumbulluara ndër vite./atsh/KultPlus.com

Projekti për restaurimin e Kalasë së Prezës fiton çmimin BIG SEE

CHwB Albania (Trashëgimia Kulturore pa kufij-Shqipëri) njoftoi se, projekti i tyre për Restaurimin dhe Përforcimin e Kalasë së Prezës është përzgjedhur si fitues i Çmimit të Arkitekturës BIG SEE, në kategorinë e Ndërtesave Publike.

“I jemi shumë mirënjohës ekipit tonë të arkitektëve dhe partnerëve tanë që e kanë bërë të mundur këtë projekt”, shkruan CHwB Albania, organizatë joqeveritare e përkushtuar ndaj shpëtimit e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore materiale dhe jomateriale, të prekur nga konfliktet, fatkeqësitë apo edhe neglizhenca.

“Falënderojmë ekipin e BIG SEE për vlerësimin pozitiv të projektit tonë”, thuhet në njoftimin e ndarë nga CHwB Albania, në rrjetet sociale.

Platforma BIG SEE synon që vazhdimisht të nxjerrë në pah biznese ekselente dhe sipërmarrje krijuese të Evropës Juglindore.

Kalaja e Prezës, projekti për restaurimin e së cilës është nderuar me çmim, është një Monument Kulture, Kategoria I. E ndërtuar në shekullin e 15-të, kalaja ka një histori të gjatë ndërhyrjesh në strukturë. / atsh / KultPlus.com

Amfiteatri i Durrësit, Margariti: Nis puna për projektin e gërmimit dhe restaurimit

Në Amfiteatrin e Durrësit, i ndërtuar në fund të shek 1 pas Krishtit dhe i zbuluar në vitin 1966 nga arkeologu i njohur Vangjel Toçi, ka nisur puna për projektin e gërmimit dhe restaurimit.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti tha sot se “me vendim të Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale ka nisur puna në hapësirat e amfiteatrit”.

“Projekti madhor i gërmimit dhe restaurimit po paraprihet nga sondazhi arkeologjik dhe aplikimi i sondave gjeologjike vertikale dhe horizontale me qëllim njohjen më të mirë të shtresave nëntokësore, shtrirjen e monumentit, lidhjen e tij me truallin natyror si dhe nivelin e ujërave nëntokësore”, theksoi Margariti.

Ministrja Margariti u shpreh se “rezultatet që po përftohen do të shërbejnë për hartimin e raporteve, të cilat do të krijojnë bazën e shëndoshë për vijimin e projektit për nxjerrjen në dritë të kësaj pasurie të jashtëzakonshme”.

Amfiteatri i Durrësit ka arkitekturë romake dhe është ndërtuar në fund të shek. I pas Krishtit, në periudhën e perandorit Trajan. Ai është shfrytëzuar për dyluftimet e gladiatorëve dhe të shtazëve të egra për afro 2 shekuj.

Monumenti është zbuluar në vitin 1966 nga arkeologu i njohur Vangjel Toçi. Deri tani është zbuluar rreth gjysma e amfiteatrit, me pjesën perëndimore dhe veriore të shkallareve, si dhe një pjesë e galerive.

Amfiteatri i lashtë po tërheq gjithnjë e më shumë turistë vendas dhe të huaj./ atsh / KultPlus.com

Konkurs ndërkombëtar për restaurimin e Kompleksit Memorial “Adem Jashari”

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, pika e parë e rendit të ditës ishte projekti për restaurimin e Kompleksit Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka njoftuar se për projektin do të shpallet një konkurs ndërkombëtar.

Në mbledhje u miratua vendimi për aprovimin e kritereve, kushteve për shpalljen e konkursit si dhe procedurat e aplikimit të përzgjedhjes së projektit.

Kujtojmë që vitin e kaluar MKRS ka ndarë mbi 45 mijë euro për restaurimet emergjente brenda kompleksit të Jasharajve.

Këto ndërhyrje u bënë për të mënjanuar rrezikun e shembjes, së kompleksit. / KultPlus.com

Konkurs Ndërkombëtar për muzeun “Besa”

Ministria e Kulturës ka shpallur konkursin ndërkombëtar për projektide mbi restaurimin dhe muzealizimin e Muzeut “Besa”.

Qëllimi i konkursit është të përftohen koncepte bashkëkohore dhe vizionare për ndërhyrje të karakterit arkitekturor dhe restaurues për rehabilitimin dhe adaptimin e objektit ekzistues me status “Monument Kulture”, kategoria I, si dhe ndërhyrje rijetësuese, të cilat synojnë krijimin e një hapësire të re kulturore të shtuar në kryeqytet.

“Muzeu i Besës” lartëson një nga vlerat më të rëndësishme të trashëgimisë identitare të krijimit të kombit shqiptar.

Ky kod i pashkruar ka orientuar shoqërinë, duke ruajtur ekuilibra moralë dhe shoqërorë. Në cilësinë e fjalës, ajo kornizon sot një popull, i cili orientohet e beson në forcën e fjalës, duke i dhënë asaj një peshë gati hyjnore.

“Besa” nuk është vetëm një muze, ajo do të shërbejë si një pikë takimi, qendër dialogu për shkëmbime kulturore e më tej.

Ndërhyrjet në këtë objekt do të zhvillohen në tre linja: ndërhyrje restauruese, ndërhyrje rijetësuese/funksione të reja si dhe muzealizim.

Konkursi do të zhvillohet në dy faza. Faza e parë ka të bëjë me shprehjen e interesit, në përfundim të së cilës do të shpallen 5 finalistë që do të shpërblehen me çmimin 40,000 euro secili.

Faza e dytë është projektkoncepti, finalisti i së cilës do të lidhë kontratën për hartimin e projektzbatimit. /atsh / KultPlus.com

Rama: Ustallarët po qëndisin Mangalemin e Beratit

Lagjja “Mangalem”, në qytetin e “një mbi një dritareve”, po i nënshtrohet një restaurimi të plotë për të tërhequr vizitorë të shumtë vendas dhe të huaj në të gjitha stinët.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot foto të punimeve që po kryhen në këtë lagje.

“Duart e arta të ustallarëve po qëndisin Mangalemin e Beratit, ku kryetari i Bashkisë në partneritet me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, po sjellin ngado ndryshime të bukura”, u shpreh Rama në rrjetet sociale.

Ansambli muzeal i lagjes “Mangalem” shtrihet në formë gjysmëharku në pjesën jugore dhe lindore të kodrës së kështjellës. Ky kompleks banimi mund të ketë qenë nga të parët që përfaqëson dukurinë e zhvillimit të qytetit mesjetar jashtë mureve të fortifikimit gjatë shek. XV-XVI, duke formuar në këtë mënyrë zonën e varoshit.

Arkitektura unikale dhe origjinale e banesave duket se i përket kryesisht fazës ndërtimore të shek. XVIII-XIX me ndërthurjen e elementëve të gurit me atë të drurit. Kompaktësia e ndërtimeve, lidhja e përkryer e tyre me truallin ku vendosen dhe pamja pak a shumë e njëjtë arkitekturore, e bëjnë këtë ansambël një prej pikave më tërheqëse në tërësinë e vlerave të qendrës historike të Beratit.

Banesat janë shumë të ngjeshura njëra me tjetrën dhe në pjesën dërrmuese janë të dimensioneve të vogla. Shumica e tyre janë pa oborr dhe pa kopshte, si pasojë, hyrjet e banesave dalin drejtpërsëdrejti në rrugicë.

Një hijeshi të veçantë arkitekturës së lagjes i jep edhe prezenca e radhës së dyqaneve në rreshtin e parë, aty ku aktualisht ushtrojnë veprimtarinë e tyre biznese të ndryshme të qendrës historike të qytetit. Në shumicën e literaturës turistike, për vetë kompozimin arkitekturor të ansamblit të “Mangalemit”, Berati cilësohet ndryshe edhe si “Qyteti i një mbi një dritareve”./ atsh / KultPlus.com

Punimet po vazhdojnë me ritme të shpejta në Kullën e Sahatit

Në Kullën e Sahatit në Kalanë e Prezës vijojnë me ritme të shpejta punimet për restaurimin e saj, pas dëmtimit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Sipas CHwB Albania, këndi i shembur dhe muratura e sipërme e kullës po rindërtohen gradualisht, me synimin për të siguruar një lidhje më të mirë të muraturës së re me atë ekzistuese si dhe në të njëjtën kohë duke e siguruar atë ndaj fatkeqësive të mundshme natyrore, përmes përforcimit strukturor.

“Kulla e Sahatit përfaqëson një monument shumë të rëndësishëm dhe simbolik për Prezën dhe jo vetëm, prandaj po bëjmë çmos për t’u siguruar që të rezistojë në kohë, më e sigurtë dhe për brezat që do të vijnë”, thekson CHwB Albania.

Tërmeti i rënë më 26 nëntor 2019 shkaktoi dëme edhe në kalanë e Prezës, monument kulture, e cila nisi të ndërtohej në shekullin e 14-të dhe përfundoi në fillim të shekullit të 15-të. Si pasojë e tërmetit muri i kalasë u ça, ndërsa ranë edhe disa gurë.

Projekti i restaurimit është zhvilluar dhe po zbatohet nga ChwB Albania dhe Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore.

Kalaja e Prezës është ndërtuar mbi një shkëmb i cili zgjatet duke u ulur në drejtim të jugut. Ana lindore e kalasë është e mbrojtur nga vetë terreni, kurse ana perëndimore përbën një territor të sheshtë, prandaj dhe fortifikimi është përqendruar pikërisht në këtë pjesë e cila përforcohet nëpër qoshe me katër kulla që kanë planimetri rrethore.

Kalaja e Prezës është një kala tipike mesjetare. Lulëzimin më të madh e ka pasur në shekullin XV, por të dhëna të ndryshme i kanë shtyrë të mendojnë specialistët, se duhet të jetë ndërtuar që andej nga shekulli XIII–XIV. Kalaja ka planimetri katërkëndore me brinjë 80 x 50 m. / KultPlus.com

Filmi i restauruar ‘Vdekja e Kalit’ me audiencë nga e gjithë bota

Filmi shqiptar me titullin “Vdekja e Kalit” pas restaurimit u shfaq për publikun me cilësi të re të figurës por edhe të zërit.

Filmi mban firmën e regjisorit Saimir Kumbaro, skenar të Nexhati Tafës dhe është realizuar më 1992. Timo Flloko, Rajmonda Bulku, Niko Kanxheri janë ndër aktorët të cilët interpretojnë në mënyrë të shkëlqyer në këtë film.

Ky film u mendua që të rishfaqet edhe një herë tjetër për publikun, por tashmë me këtë cilësi maksimale. Shfaqja u bë në kanalin zyrtar të YouTube të Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit nga datat 19 deri më 26 maj. Për publikun ndërkombëtar u mendua edhe shoqërimi i tij me titra në anglisht.

Restaurimi dhe prezantimi i filmit “Vdekja e kalit” (The Death of a Horse) u mundësua falë programit sezoni i filmave klasikë (A Season of Classic Films), nismë e Shoqatës së Kinematekave Europiane – ACE (Association des Cinémathèques Européennes) ku AQSHF është anëtare prej 2019, dhe me mbështetjen financiare të programit Creative Europe MEDIA. Gjithashtu filmi u restaurua falë punës së ekspertit izraelit të restaurimit Shai Drori, dhe kineastit australian, Steven Kastrissios.

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit bën me dije se “gjatë ditëve që u shfaq ky film, u ndoq nga 2977 shikues kudo në botë. Shikuesit ndër të tjera ishin nga Japonia në Gjeorgji, të cilët e  ndoqën online restaurimin Vdekja e Kalit, ndërsa vijnë lajme të mira nga partnerët tanë në laboratorin Cinegrell, Zvicër – ku po restaurohet filmi i parë artistik shqiptar, Tana”.

AQSHF falënderon Cinegrell dhe supervizoren Louise Burkart. /atsh/ KultPlus.com

Rilindja e Kalasë së Skënderbeut pas restaurimeve dhe ndriçimit artistik (VIDEO)

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka publikuar një video nga Kalaja e Krujës.

Pas ndërhyrjeve restauruese për shkak të dëmeve nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, në Kalanë e Krujës ka përfunduar edhe ndriçimi artistik.

Rama shprehet se ky është një tjetër zhvillim pozitiv për Krujën turistike, ndërkohë që pamjet që ofron kjo Kala janë fantastike.

“Rilindja e Kalasë së Skënderbeut pas restaurimeve dhe ndriçimit artistik, një tjetër zhvillim pozitiv për Krujën turistike”, shprehet Rama. / KultPlus.com

Përfundon faza e dytë e restaurimit të filmit ‘Vitet e Pritjes’

Përfundon faza e dytë e restaurimit të filmit “Vitet e Pritjes”.

Lajmin e ka bërë të ditur drejtoresha e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, Iris Elezi e cila është entuziaste për finalizimin e procesit të restaurimit të këtij filmi dhe vazhdimin gjithashtu të punës me restaurimin e të tjerë titujve të filmave shqiptar të para viteve “90”.

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit ka restauruar filmin “Skënderbeu”, komedinë “Përrallë nga e Kaluara” dhe të tjerë tituj të rëndësishëm që përfaqësojnë si vlera profesionale të nivelit të lartë por edhe element të rëndësishëm të historisë së kombit shqiptar.

Ky projekt i iniciuar nga Ministria e Kulturës dhe AQSHF ka gjetur edhe mbështetjen e “ACP” dhe gjithashtu edhe me ndihmën e arkivistit zviceran Reto Kromer në laboratorin e tij që konsiderohet shumë i përshtatshëm për këto projekte.

Premiera e filmit të restauruar totalisht “Vitet e Pritjes” është menduar të shfaqjet për publikun menjëherë pas tejkalimit të situatës nga pandemia ku të bëhet e mundur rihapja e kinemave. /atsh/ KultPlus.com

Meta në Devoll kujton Dritëro Agollin: Shtëpia e tij të restaurohet sa më shpejt

Presidenti Meta ka vizituar këtë të shtunë shtëpinë e braktisur të shkrimtarit Dritëro Agollit në Devoll.

Ai i bën thirrje kryetarit të bashkisë, Eduart Duro që të fillojnë punimet për restaurimin e saj dhe kthimin në një shtëpi-muze.

“Sa herë e vizitoj Devollin, e kam të pamundur të mos ndalem në Menkulas, vendlindjen e Dritëroit tonë të dashur e të paharruar, për t’u përshëndetur me banorët dhe për të ndarë me ta kujtimet tona të shtrenjta për patriarkun e letrave shqipe.

Vizitova godinën e caktuar për t’u kthyer në shtëpi-muze dhe e inkurajova Kryetarin e Bashkisë, Eduart Duro për të vijuar pa vonesa projektin e restaurimit të plotë të saj me qëllim që vitin e ardhshëm, 90-vjetori i lindjes së shkrimtarit tonë të madh, ta gjejë plotësisht funksionale për të mirëpritur vizitorët e shumtë.

Devolli i dha Shqipërisë Dritëroin, por edhe shumë Dëshmorë, personalitete dhe arsimtarë si mësuesja Luiza Dule, shembuj të përhershëm frymëzimi dhe krenarie për devollinjtë e të gjithë kombin tonë” – shkruan Meta në Facebook. / shqiptarja/ KultPlus.com

Përfundon restaurimi i çatisë së banesës së familjes Ago në Berat

Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare në Berat ka përfunduar restaurimin e çatisë së banesës Ago në lagjen Goricë, monument kulture kategori e dytë.

“Një tjetër ndërhyrje ka përfunduar. Restaurimi i çatisë në banesën e familjes Ago lagjen Goricë u krye në bashkëpunim me Chwb Albania dhe konsistoi në zëvendësimin dhe trajtimin e elementëve të drurit të tavanit të strehës së çatisë”, – shprehet DRTK Berat.

Më herët në këtë banesë është kryer edhe restaurimi i fasadës që përfshiu ndërhyrje në strukturën e catmasë dhe sovatimit të saj, lyerjen me gëlqere, restaurimin e dritareve, fashaturave, lyerje me vaj lini e antimol të gjithë elementëve drusorë duke nxjerrë në pah vlerat e këtij monumenti shumë pranë urës së Goricës.

Banesat karakteristike të Beratit, reflektojnë influencat e traditës së banesave popullore ballkanike, që datojnë kryesisht në shekujt e 18 dhe 19 të erës sonë.

Këto banesa, një dëshmi e vyer e diversitetit urbanistik dhe arkitektonik, janë gjithnjë e më shumë në vëmendjen e specialistëve të monumenteve të kulturës.

Në vitin 1961, Berati u shpall zyrtarisht qytet muze. Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë./ atsh/ KultPlus.com

Një tjetër vepër e shpëtuar, përfundon restaurimi i ikonës “Shën Joan Pagëzori”

Qendra muzeore Berat sapo ka përfunduar ndërhyrjen restauruese të ikonës “Shën Joan Pagëzori” e vitit 1835, që mban firmën e Naum Çetirit.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila theksoi se “pas një muaji pune intensive, ajo i shtohet ekspozimit ikonografik në muzeun “Onufri””.

“Vepra paraqiste shumë problematika, por pas ndërhyrjes u arrit rezultati i dëshiruar, duke nxjerrë në dukje ngjyrat e ikonës, freskinë dhe madhështinë e veprës. Ajo pasuron jo vetëm koleksionin e muzeut “Onufri”, por plotëson kronologjinë në artin e autorëve ikonografë Çetiri”, – theksoi Margariti. / atsh/ KultPlus.com

Miratohet projekti për restaurimin e Kalasë së Prezës që u dëmtua nga tërmeti

Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale ka miratuar projektin e restaurimit të Kalasë së Prezës në kushte të emergjencës, pas tërmetit të 26 nëntorit.

Projekti i hartuar nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore parashikon ndërhyrje konservuese dhe restauruese në elementët konstruktivë të kullës së sahatit në kala.

Kalaja e Prezës është ndërtuar mbi një shkëmb i cili zgjatet duke u ulur në drejtim të veri-jugut. Ana lindore e kalasë është e mbrojtur nga vetë terreni, kurse ana perëndimore përbën një territor të sheshtë, prandaj dhe fortifikimi është përqendruar pikërisht në këtë pjesë e cila përforcohet nëpër qoshe me katër kulla që kanë planimetri rrethore.

Kalaja e Prezës është një kala tipike mesjetare. Lulëzimin më të madh e ka pasur në shekullin XV, por të dhëna të ndryshme i kanë shtyrë të mendojnë specialistët, se duhet të jetë ndërtuar që andej nga shekulli XIII – XIV. Kalaja ka planimetri katërkëndore me brinjë 80 x 50 m.

Kalaja e Prezës u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntori 2019 e cila do t’i nënshtrohet rikonstruksionit pas miratimit të projektit për Rindërtim në fazë emergjente.

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore mirëpret çdo bashkëpunim dhe mbështetje që kontribuon në ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore. /KultPlus.com

Egjipti fillon restaurimin e arkivolit të artë të Tutankhamonit

 Egjipti ka filluar të restaurojë arkivolin e artë prej druri të Tutankhamonit, për herë të parë, që kur u zbuluan në vitin 1922.

Ministria egjiptian e Antikiteteve tha në një deklaratë se arkivoli vuan nga disa forma të dëmtimit duke përfshirë çarje në shtresat e saj të arit.

”Rivendosja dhe mirëmbajtja e arkivolit do të përfundojë në tetë muaj”, shtoi ajo.

Ministria tha se koleksioni i djaloshit-faraon duke përfshirë të gjithë arkivolin e tij, do të ekspozohet në Muzeun e Madh të Egjiptit, i cili është në ndërtim e sipër, pranë piramidave të Gizës dhe pritet të hapet në vitin 2020.

Tutankhamoni ishte nëntë vjeç kur u bë faraon. Ai sundoi midis 1333 dhe 1323 para Krishtit, si një nga mbretërit e fundit të Dinastisë XVIII.

Egjipti në muajt e fundit njoftoi një sërë zbulimesh, me shpresën e ringjalljes së industrisë së turizmit, një burim kryesor i të ardhurave kombëtare.

Industria është goditur rëndë nga trazirat e gjera që nga kryengritja e vitit 2011 kundër sundimtarit më të gjatë të kohëve moderne të Egjiptit, Hosni Mubarak/ ATSH/ KultPlus.com

Procesi i kujdesshëm i restaurimit të pikturave të periudhës së Barokut

Restaurimi i pikturave kërkon një delikatesë dhe një mjeshtri të jashtëzakonshme.

Piktura që shihni është një vet-portret nga piktorja italiane Emma Gaggiotti Richards, e cila ishte piktore e oborrit mbretëror të Mretëreshës Viktoria dhe Princit Albert.

Restaurimi i pikturave të kësaj kohe fillimisht kërkon largimin e pikturës nga korniza dhe largimin e pluhurit dhe instekteve që mund të kenë mbetur Brenda kornizës.

Pastrami kryesor i pikturës bëhet me dyll, në mënyrë që të largohet rrëshira dhe të qartësohen ngjyrat. Restauruesit e pikturave zakonisht bëjnë disa teste mbi një pjesë të vogël të pikturës pasi që disa ngjyra reagojnë me dyllin dhe mund ta shkatërrojnë të gjithë pikturën po të hidhen menjëherë sipër saj.

Pjesa e dytë e pastrimit bëhet me sulfur të zbutur, e në disa raste edhe me varnish, një lëng që e zbut sipërfaqen e pikturës..

Me anë të makinerive të presionit të lart pikturat drejtohen dhe riparohen në vene ku mund të jenë shqyer.

Qepja e pikturës bëhet me fije të vogëla të copës së piktirës dhe lihet në ambijent të mbyllur derisa dy materialet të kapen mes vete.

Pjesa e fundit e restaurimit të pikturave është zgjerimi i rretheve të pikturës që piktura të mund të ngjitet pa problem me kornizën e saj.

Gjëja më e rëndësishme gjatë kësaj pune është që asnjëherë të mos fshihet emri i autorit, i cili zakonisht është i shkruar në pjesën e pasme të pikturës./RronaJaka/KultPlus.com

Restaurimi i kishës më të vjetër në Shqipëri është bërë keq, një vit pas e kap lagështia

Kisha e Labovës së Kryqit më e vjetra në Shqipëri dhe ndër më uniket në të gjithë botën bizantine përfundoi vitin e kaluar punimet restauruese.

Ndërhyrja konsistoi në fasadën e jashtme, lehtësimin e peshës së kupolave, çatinë e objektit dhe ndërhyrjet për zbulimin e pastrimin e pikturës murale.

Një vit pas përfundimit të ndërhyrjes lagështia në mjedisin e brendshëm të objektit ka rikthyer punimet në çatinë e objektit, ndërsa Drejtoria e Monumenteve të Kulturës nuk ka asnjë shpjegim për këtë ndërhyrje. Drejtori Albert Kasi tha se nuk ka dijeni rreth situatës së objektit dhe se nuk po kryhen punime të tjera restauruese.

Sipas banorëve në Labovë, kisha nuk ka shpëtuar nga problematika e lagështisë. E gjithë periudha e reshjeve ka vijuar ta kërcënojë objektin e restauruar një vit më parë. Mjeshtrit lokalë jashtë kamerave flasin për cilësi të dobët të tjegullës dhe pllakës që mbuloi objektin si dhe për punime me cilësi të dobët dhe restaurim të nxituar.

Kisha e Labovës së Kryqit e vendosur në fshatin me të njëjtin emër në Gjirokastër prej vitesh ishte e ekspozuar ndaj një rreziku evident shembjeje.

Kupola kryesore e kishës që është duke jetuar “efektin e Pizës” arriti të stabilizohej pas ndërhyrjes restauruese, por probleme të tjera duket se ju shfaqën objektit pas restaurimit.

Vizitorët e shumtë kësaj vere janë befasuar prej pikturës origjinale, ikonostasit, madhështisë së kupolës 17 m të lartë dhe qasjes origjinale në raport me mjedisin natyror e gjeografik të Labovës./TCH/ KultPlus.com