Ramë Lahaj: Zgjohuni dhe flini me ëndrrën tuaj

Alberina Haxhijaj

Tenori Ramë Lahaj është rikthyer përsëri në Kosovë, ai kësaj radhë erdhi në kuadër të rrëfimeve TEDx dhe shpalosi me të pranishmit historinë e një të riu nga Kosova më ëndrra të mëdha për të cilat shpresonte që ti bëheshin realitet.

Tenori Ramë Lahaj sot në Prishtinë ndau më të pranishmit rrugëtimin e tij muzikorë. Ai nga një njëri i cili kur kishte qenë i vogël nuk kishte parë asnjëherë filma vizatimorë tregoi sesi ëndërronte që të bëhej një tenor, ëndërr këtë që e arriti vite më vonë. Ai si një 21 vjeçar, për herë të parë filloi që të mësojë notat dhe leximin e notave ne pentagram me ëndrrën se do arrijë të perfomojë nëpër skena operistike. Lahaj tregoi edhe komentet që mori kur nisi këtë rrugë e të cilat sipas tij nuk ishin pozitive pasi që thonin se ai nuk mund të arrinte një gjë të tillë.

“Kam jetu me moton që unë mundem me e arrit. Kur kam qenë në studime dhe kur ishim në pauzë dhe shkonim në librarinë e Akademisë së Arteve dhe merrnim materiale për me degju regjistrime u thoja shokëve të gjeneratës që një ditë kam me këndu me maestro edhe ata më kanë shiku në atë mënyrë edhe më kanë thonë që ti akoma nuk i ke mësu notat mirë ku po don me këndu me maestro. Mirëpo e kam ditë që një ditë ka me ndodh, kam jetu me moton që unë mundem edhe që kam me e arritë këtë”, u shpreh ai.

Rreth moshës 21 vjeçare ai filloi stërvitjen profesionale muzikore dhe një vit më vonë filloi studimet e tij në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë (Shqipëri), ku u diplomua si nxënësi më i dalluar në vitin 2008. Ramë Lahaj fitoi një bursë për në Gjermani mirëpo u rikthye përsëri në Kosovë ku fillon punën si drejtor artistik në kanalin RTV 21 në Kosovë. Gjatë asaj kohë ai vendosi të rrezikonte duke e lënë punën dhe Kosovën dhe duke shkuar jashtë vendit për të ndjekur audicionet që hapeshin. Ai tregon se realizoi audicionin e parë ndërsa në audicionin e dytë filloi provat mirëpo më pas u përjashtua nga produksioni pasi që mendonin se nuk ishte mjaftueshëm i përgatitur, mirëpo Lahajn nuk u ndal me kaq. Sot, ai ka performuar nëpër skenat operistike dhe teatrot me të mëdha në botë si dhe është fitues i çmimit “Operalia”.

“Nuk jam ndal se kam jetu me ato që unë mundem edhe po du me e arritë këto. Mirëpo krejt kjo nuk mjafton veç si ëndërr. Unë jam rritë në këtë shoqëri edhe kohë pas kohë edhe vi dhe na ëndrrat i kemi platonike po ajo që unë e shoh që mungon të shumë prej neve është që me e fokusu krejt energjinë në këto ëndrra. Duhet që fryma jote me qenë me ëndrrën tënde, duhet që ju me u zgju e me ra me flejtë me atë që e dëshironi pasi që atëherë as universi nuk ka zgjidhej pa u përgjigjet mbrapa”, tha ai.

Tutje ai tha se e di që është e vështirë që të realizosh ëndrrat në Kosovë, mirëpo sipas Lahajt koha ka një rol të rëndësishëm dhe siç theksoi ai, asnjëherë nuk ka qenë me e lehtë sesa sot që ato të bëhen realitet falë teknologjisë e cila është zhvilluar.

“Jam rritë në një shoqëri nuk dua të them primitive mirëpo të prapambetur dhe sigurisht që këtu i referohem edhe regjimit që kemi pasur në atë periudhë dhe mundësive që na u kanë ngushtuar apo kanë dashtë me na i ngushtë. Pikërisht kjo është ajo që me ka bo me u shiju këtë rrugëtim dhe me qenë shumë krenar me rrugëtimin im. Nuk ka rëndësi edhe sa ka me vazhdu ajo që është e rëndësishme është që unë kam arritë atë qe e kam ëndërruar, mirëpo mos më pyetni se sa energji kam dhënë, sa vështirë e kam pasur dhe sa herë jam djersitë e sa herë se kam dashtë as veten me e pa sepse me punu për më shumë se dy jave edhe në fund me të thanë se nuk je i mirë aq sa duhet nuk është e lehtë”, theksoi ai duke theksuar se për të realizuar çdo ëndërr sado e vogël që mund të jetë ajo duke shumë punë dhe përkushtim.

Sfidat dhe momentet e vështira që i ka pasur, Ramë Lahaj thotë se e kanë bërë që të tregohet edhe me këmbëngulëse për të arritur ato synimet e tij. Pikërisht këtë këmbëngulësi ai dëshiron që ta shoh tek të rinjtë.

“Po shpresoj që keni shumë ëndrra, mirëpo po shpresoj që nuk janë vetëm ëndrra të kafeve ku uleni boni muhabet edhe mbas kafes gjithçka harrohet edhe ju e filloni prapë atë rutinën”, tha ai.

E krejt në fund Ramë Lahaj befasoi të pranishmit me një këngë shqipe. Lahaj së bashku me korin nga Peja “Siparantum” dirigjuar nga Memli Kelmendi,shoqëruar në piano nga Agron Shujaku dhe së bashku me Adhurim Grezda solli këngën e vjetër shqipe “Vijnë pampurat moj nano”./ KultPlus.com