“Old”, trileri i fundit i regjisorit të famshëm M. Night Shyamalan

M. Night Shyamalan thotë se ambienti i plazhit ku është xhiruar filmi “Old”, e bënë atë ndryshe nga projektet e tij të kaluara.

Regjisori i njohur shquhet për filma të tillë si, “The Sixth Sense” dhe “The Village”, por ai thotë se i vjen mirë që është larguar nga xhirimet në qendra qytetesh të ndryshme, për realizimin e filmit të tij të fundit i cili fokusohet në një grup të njerëzve të cilët shumë shpejtë plaken, teksa mbesin të ngujuar në një plazh misterioz. Çifti i martuar, Guy dhe Prisca, udhëtojnë në një resor tropikal me dy fëmijët e tyre të vegjël, Maddox dhe Trent, për t’i bërë pushimet e fundit si familje para se të shkurorëzohen. Atje ata takohen me disa familje tjera dhe së bashku përfundojnë në një plazh të bukur e të izoluar. Por shumë shpejtë ata e kuptojnë se gjenden në një vend misterioz, që ua merr jetën një nga një dhe ata nuk kanë se si të largohen.

“Kjo ishte një mundësi e mirë për mua që ta krijoj një projekt filmik që jo shpesh më vjen rasti ta bëjë. Normalisht unë xhiroj brenda një dhome dite apo gjumi, ose në ndonjë korridor, kurse tani pata rastin të xhiroj në një plazh dhe të krijoja versione tjera të klaustrofobisë me shfrytëzimin e mjeteve të ndryshme. Ishte një mundësi e mirë të punoja në një formë paksa ndryshe nga ajo që jam mësuar, dhe isha shumë i emocionuar për këtë gjë”, ka deklaruar regjisori.

Tutje, Shyamalan shpjegoi se ka dashur që publiku të ndihet ngjashëm me personazhet, duke e bërë filmin me një ritëm të shpejtë. Ndër të tjera, regjisori ka treguar se i pëlqen sfida e përzierjes së zhanreve të ndryshme në një film.

Në këtë projekt të fundit të filmbërësit M. Night Shyamalan luajnë aktorët: Gael García Bernal, Vicky Krieps, Rufus Sewell, Alex Wolff, Thomasin McKenzie, Abbey Lee, Nikki Amuka-Bird, Ken Leung, Eliza Scanlen, Aaron Pierre, Embeth Davidtz dhe Emun Elliott.

“Old” tashmë ka filluar së shfaquri nëpër kinematë e Amerikës Veriore. / KultPlus.com