Vdiq regjisori amerikan Bob Rafelson

Ka vdekur në moshën 89-vjeçare, Bob Rafelson i cili u nominua për katër çmime Oscar për filmin “Five Easy Pieces”.

Shkrimtari dhe regjisori i mirënjohur – i cili ishte i njohur për bashkë-krijimin e grupit pop të viteve 1960 The Monkees – vdiq në shtëpinë e tij në Aspen, Kolorado të shtunën (23.07.22) pas një beteje me kancerin në mushkëri, konfirmoi gruaja e tij Gabrielle Taurek për New York Times.

Si dhe Gabrielle, Bob ka lënë fëmijët e tyre Harper dhe E.O si dhe djalin 61-vjeçar Peter, të cilin e kishte me ish-gruan Toby Carr.

Rafelson gjatë karrierës së tij bashkëkrijoi grupin e sajuar pop dhe njëherësh serialin televiziv “The Monkees” bashkë me të ndjerin Bert Schneider. Falë këtij seriali në vitin 1967 u nderua me Emmy, në kategorinë për komedinë e pazakontë.

Megjithatë ai më shumë u bë i njohur për punën e tij gjatë epokës New Hollywood, kur dolën në skenë zëra të rinj dhe kur u krijua një stil i ri i realizimit të filmave. Në këtë periudhë dolën në skenë një radhë talentësh të rinj prodhues të filmave, si Martin Scorsese, Brian De Palma, Francis Ford Coppola e Steven Spielberg.

Rafelson bëri regjinë dhe skenarin e filmit “Five Easy Pieces”, që flet për një pianist të klasës së lartë, si dhe fimit “The King of Marvin Gardens”, që flet për një nikoqir të një programi të vonë në radio në depresion.

Në të dy filmat luan aktori Jack Nicholson.

Coppola një herë e quajti Rafelsonin “njëri prej artistëve më të rëndësishëm kinematik të kohës së tij”, fansat e të cilit ishin dhe mbesin Quentin Tarantino e Wes Anderson.

Refelson në vitin 1990 realizoi filmin biografik “Mountains of the Moon”. Ky film rrëfen tregimin për dy eksplorues të cilët janë Sir Richard Burton e John Hanning Speke.

Rafelson për punën e tij është inspiruar nga vendet si Morocco, India, Azia juglindore, Meksika e Guatemala. / KultPlus.com