Revista kulturore e shkencore ”Diturija”, korpus albanologjik

Botimi anastatik i revistës së mirënjohur kulturore e shkencore ”Diturija” u promovua sot në kuadër të kremtimit të 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit.

Ky botim erdhi si frut i bashkëpunimit të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë me Fondacionin ALSAR si dhe me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, e cila do të mirëpresë në Prishtinë në javët e ardhshme promovimin dhe konferencën kushtuar “Diturisë” dhe themeluesit të saj Lumo Skendo.

Ky botim anastatik u organizua në dy vëllime të hijshme, vëllimi I: janar 1909 – tetor 1927 dhe vëllimi II nëntor 1927 – dhjetor 1929.

Natyra anastatike e tij sjell në të tashmen tonë vullnetin e autorit, botuesit, pse jo edhe shijen, finesat apo trillet e tij njerëzore. Por mbi të gjitha mundëson një lexim tërësor, një rrokje të plotë të të gjithë koleksionit të çmuar të “Diturisë” si për lexuesin e pasionuar ashtu dhe për studiuesin e ardhshëm të një prej personaliteteve dhe të një prej veprave më monumentale të jetës kulturore e shkencore kombëtare.

Gjithashtu përveç promovimit të botimit anastatik të revistës, u zhvillua dhe Konferenca Shkencore kushtuar kontributit të themeluesit të saj të shquar ”Lumo Skendo dhe themelimi i revistës ”Diturija”.

Pjesë e konferencës ishte Xhevat LLoshi, Luan Malltezi, Persida Asllani ,Uran Butka si dhe Mehdi Gurra i cili hapi dhe konferencën shkencore.

Persida Asllani drejtoreshë e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë mbajti ligjëratën e saj në këtë konferencë me temë ”Revista e Lumo Skendos dhe misioni i dijes”.

Ajo u shpreh se ” revista “Diturija” mbetet shprehja më e plotë e profilit intelektual të Lumo Skendos. Në të ai zhvilloi linja të gjera studimore duke ndërtuar korpus të mirëfilltë albanologjik në çështje të historisë, të udhëpërshkrimeve, të dëshmive, të gjuhësisë shqipe e drejtshkrimit, të bibliografisë etj. Ndër to spikasin cilki “Udhëtarët e huaj në Shqipëri”, rubrikat “Shtim në rradhojtë e Legrandit”, “Duke lexuar një libër”, “Tribuna gramatike dhe gjuhësijë”, biografi të shumta, vëzhgime zakonore, dëshmi historike si dhe shkrime me interes të veçantë mbi historinë e besimeve dhe kultit ndër shqiptarë etj”.

Ajo vijoj se ,”botimi anastatik i saj në prag të 110 –vjetorit të Kongresit të Manastirit sjell në vëmendjen tonë faktin se për nga rëndësia e dijes që ajo përcolli “Diturija” është tashmë në një monument kulture, themelet e të cilit u hodhën në vitin e largët 1909 për t’u shndërruar në ngrehinën madhështore të dijes dhe “bujarisë së dijes” gjatë viteve 1926-1929”

Në fund ajo tha se ,”bashkë me Albaninë e Konicës dhe me plejadën e simotrave të saj gjatë viteve ‘20-‘40 të shekullit të kaluar (Hylli i Dritës, Zani i naltë, Leka, Shkëndija, Përpjekja shqiptare, Minerva) këto revista përbëjnë një nga entitetet themelore të kulturës së shkruar shqipe”,përfundoi drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare Persida Asllani.

Revista “Diturija”…

Revista “Diturija” u themelua nga Lumo Skendo (pseudonim letrar i Mid’hat Frashërit) menjëherë mbas përfundimit të Kongresit të Manastirit, kryetar i të cilit u zgjodh njëzëri 110 vjet më parë. Numri i saj i parë doli në Selanik më 1 janar të vitit 1909 dhe qysh në fillim spikati me frymën e thellë kulturore dhe informacionin dituror që do të rrugëtonte së bashku me revistën drejt një enciklopedie të mirëfilltë albanologjike. Pavarësisht mbylljes së saj mbas një viti, Lumo Skendo e vijoi projektin e tij duke e botuar tri vite me radhë në Tiranë 1926-1929 (përveç 3 numrave që botoi në Bukuresht më 1916 që autori i konsideroi të humbur).

Nga përcaktimi “E përkoshme shqip literare dhe diturake” më 1909, revista do të shkojë drejt formulimit “E përkohëshme shqipëtare” (1926) pikërisht sepse thelbi i saj ishte dija mbi kombin, që për themeluesin e saj do të thoshte dashuri e pakushtëzuar për dijen e mbrujtur me dashurinë e pakushtëzuar për atdheun. “Diturija” e Lumo Skëndos shfaq simbiozën e rrallë të nocionit të dijes, diturimit, dhe atij universal të atdheut. Ajo e lidh njeriun individual me tërësinë e entitetit kombëtar, përmes të cilit ai shndërrohet në “njeriun në botë”, në qenien universale./a.a/KultPlus.com