“Symbol” në Estoni

Rrjeti më i madh i revistave europiane, Eurozine, është duke mbajtur Takimin e Njëzetetetë Europian të Revistave Kulturore, në Tartu të Estonisë, përcjellë KultPlus.

I ftuar nga Kosova është botuesi i revistës “Symbol” dhe i Shtëpisë Botuese “Om”, Xhemajl Avdyli, i cili ka folur për gjendjen kulturore në Kosovë dhe për promovimin e vlerave kulturore shqiptare në revistën “Symbol”, si revista më e madhe shqiptare, me katalogim ndërkombëtar, redaksia e së cilës përbëhet nga anëtarë të tri shteteve (Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia), në të cilat edhe shpërndahet revista në versionin e shtypur, përveç versionit online (www.omprom.com), që lexohet dhe klikohet edhe nga lexuesit e huaj.

Ndër të tjera, Xhemajl Avdyli, në prezantimin që ka bërë në Estoni, ka thënë: “revista jonë, si partnere e rrjetit Eurozine, promovon vlera dhe provokon debate, qoftë nëpërmjet intervistave të realizuara me personalitete të njohura botërore, qoftë me shkrime autoriale. Deri tani nga personalitetet e njohura botërore kemi intervistuar studiues, kritikë, romancierë, poetë dhe piktorë, si: Linda Hutcheon, Raoul Eshelman, Gottfried Helnwein, Mieke Bal, Andreas Huyssen, D. M. Thomas, Rita Dove, Jonathan Culler etj.

Qëllimi i revistës sonë është të ndjekë hapin e kohës, të krijojë mundësi të shfaqjes së ideve dhe të tezave të rëndësishme kulturore nga njerëz të rëndësishëm dhe të kontribuojë në ruajtjen e vlerave kulturore, si dhe në prurjen e risive.

”Në Takimin Europian të rrjetit Eurozine, në Tartu, është duke u diksutuar edhe tema “Europa midis shpëtimit dixhital dhe dorëzimit para post-të-vërtetës”, temë kjo e trajtuar edhe në numrin më të ri të revistës “Symbol”. / KultPlus.com