Akademiku Ismajli shpalos çështje shumë të rëndësishme të ndarjes dialektore shqipe

Bujar Meholli

Në kuadër të Seminarit të 38-të, sot kanë filluar aktivitetet me kurset e gjuhës I, II, III, kurse më pas dekania e Fakultetit të Filologjisë prof. Lindita Rugova i ka pritur seminaristët, shkruan KultPlus.

Me fillim nga ora 13:00 në amfiteatrin “Idriz Ajeti” të Fakultetit të Filologjisë kanë vazhduar aktivitetet me ligjëratën “Ndarja dialektore e shqipes dhe konteksti ballkanik” nga akademiku dhe linguisti prof. Rexhep Ismajli.

Prof. Ismajli para një audience të madhe të mbledhur në sallë, trajtoi çështje shumë të rëndësishme të ndarjes dialektore si dhe solli skema para studiuesve dhe dashamirësve të gjuhës dhe kulturës shqipe.

“Bahri Beci dhe Shaban Demiraj pa e mohuar idenë e ndarjes dialektore sipas etnisë ata kanë thënë se ndarja u krijua para ardhjes së sllavëve dhe pas sundimit romak. Kronologjia është kjo. Në 395 u nda Perandoria, shqiptarët mbetën në lindje me Kostandinopojën kryeqytet dhe në shek. 7 u bë greqishtja gjuhë zyrtare në këto anë, para saj ishte latinishtja”, shpjegoi Ismajli.

“Bahri Beci ngul këmbë se kur u krijua dialekti, u krijua përnjëherë, e kjo të çon te ideja e dy etnive që u shkrinë”.

Më tutje prof. Ismajli, u ndal te tiparet dalluese të dialekteve të shqipes. “Në dialektologjinë shqiptare kemi dy konceptime të ndryshme kryesore. Në njërën anë është ideja për ndarjen në dy dialekte si e trashëguar nga lashtësia si refleksion i dy popullatave ilire dhe epirote, ndikime që këtë ndarje e çojnë te kohët pas romake dhe para sllave që është kohë e barbarëve për të cilën nuk dimë shumë. Nuk mund ta marrim me mend si u krijua bashkësia e folësve në këtë kohë brenda së cilës do të reflektoheshin inovacione”, tha mes tjerash Ismajli duke vazhduar me ndarjen e dytë. “E dyta është ideja se fillimet e kësaj ndarjeje janë më të vona. Shquhet ideja e Çabejt, i cili thotë se nuk janë kaq të hershme por janë të shkall-shkallshme”.

Tutje ligjërata vazhdojë duke pas referime nga linguistë të njohur nga të cilët janë gjetur elemente që tregojnë se ka afërsi mes shqipes dhe rumanishtes.

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhësinë, Letërsinë Shqiptare do të vazhdojë nesër me aktivitete tjera sipas programit. /KultPlus.com

Akademik Ismajli, anëtar i jashtëm nderi i akademisë amerikane

Siç njofton Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Akademik Rexhep Ismajli, anëtar i rregullt i kësaj Akademie, anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe të Arteve me seli në Salcburg të Austrisë, në ceremoninë solemne që u zhvillua me 5 e 6 tetor 2018 në selinë e Akademisë në Cambridge të Massachusetts-it u shpall bashkë me një numër anëtarësh të rinj të rregullt dhe të nderit të jashtëm anëtar i jashtëm nderi i Akademisë së Arteve dhe të Shkencave të Amerikës (American Academy of Arts and Sciences).

Në këtë institucion akademik Ismajli u zgjodh në prill të këtij viti. Njoftimin e bëri të ditur vetë kryetari i Akademisë Amerikane, Jonathan F. Fanton, në të cilin shkruante:

“Ky nderim shënjon konsideratën e thellë që kanë drejtuesit e fushës suaj dhe anëtarët tanë”.

Motivimi që u lexua publikisht vinte në pah faktet se Ismajli njihet si studiues i gjuhës shqipe, i historisë së saj ashtu si dhe i gjendjes së sotme, si profesor i gjuhësisë së përgjithshme dhe i historisë së shqipes, si ish-kryetar i ASHAK-ut, etj. Në janar po të këtij viti ai ishte zgjedhur anëtar i përhershëm nderi i Shoqatës së Linguistëve të Amerikës (Linguistic Society of America (LSA).

Akademia e Arteve dhe e Shkencave të Amerikës (American Academy of Arts and Science) është themeluar në vitin 1780 nga dijetarë të shquar të kohës në SHBA dhe anëtarë të saj kanë qenë dhe vijojnë të zgjidhen studiues, dijetarë dhe personalitete nga jeta publike nga vendi dhe bota. Një numër jo i vogël i tyre ishte fitues i Çmimit Nobel dhe i Çmimit Pulitzer.

Akademik Rexhep Ismajli ka zhvilluar veprimtari në fushën e tij në Prishtinë, ka bërë specializime në Francë dhe Gjermani, ndërsa ka mbajtur mësime për fushat e albanologjisë në Universitetin e Mynihut, në Universitetin e Lubjanës dhe ka ligjëruar në tubime shkencore në vende të ndryshme të Europës dhe të Azisë (Izrael, Kinë…). Ka bashkëpunuar ngushtë me profesorët e njohur në Prishtinë si Idriz Ajeti, Besim Bokshi e të tjerët më vonë, ndërsa kontakte bashkëpunimi ka pasur dhe vazhdon të ketë me studiues të njohur në fushat me të cilat merret, si A. Martinet (student i të cilit ishte), E. Çabej, S. Riza, E. Hamp, Sh. Demiraj, K. Topalli, S. Mansaku, B. Beci, V. Friedman, L. Newmark, N. Borecki, I Sawicka, A. Rusakov, W. Fiedler, Brian D. Joseph, L. Savoia, F. Solano, F. Altimari, M. Mandala e shumë të tjerë. Anëtar i ASHAK-ut është nga viti 1993, shkruan koha.net

Është marrë dhe me zgjerimin e bashkëpunimit të Akademisë sonë me botën akademike dhe shkencore në Evropë dhe jashtë saj. E ka përfaqësuar denjësisht Akademinë në raportet me botën shkencore. Ka qenë dhe kryetar i Këshillit Kombëtar të Shkencës të Republikës së Kosovës (2008-2011).KultPlus.com