Filmi evropian “Heldin”, me aktorin shqiptar Ridvan Murati, tani në Netflix

Një tjetër sukses për kinemanë evropiane dhe talentin shqiptar vjen përmes filmit “Heldin” (Late Shift), i cili është bërë zyrtarisht pjesë e katalogut të Netflix. Në këtë dramë të vitit 2025, me regji të Petra Volpe, luan edhe aktori i njohur shqiptar Ridvan Murati, duke sjellë një interpretim të fuqishëm në një rol dytësor me peshë.

Murati, i cili ka ndërtuar një karrierë të suksesshme në teatër dhe film në Zvicër, konfirmon edhe një herë aftësinë e tij për të dhënë dimension të thellë roleve që portretizon, duke forcuar gjithnjë e më shumë praninë e aktorëve shqiptarë në produksione ndërkombëtare të nivelit të lartë, përcjellë KultPlus.

“Heldin” trajton një histori intensive që ndodh gjatë një ndërrimi të natës në një spital zviceran, ku protagonistja Floria, një infermiere kirurgjie, përballet me sfida ekstreme, përfshirë ndihmën ndaj disa pacientëve në gjendje kritike. Një gabim i vetëm kërcënon të rrëzojë gjithë përpjekjet dhe etikën e saj profesionale, duke e vendosur nën presion moral dhe emocional.

Filmi është një bashkëprodhim mes Zvicrës dhe Gjermanisë, dhe pati premierën botërore më 17 shkurt 2025 në seksionin Berlinale Special Gala të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Berlin. Pas Berlinales, filmi u shfaq në kinematë zvicerane më 27 shkurt dhe tani është i qasshëm globalisht përmes platformës Netflix.

Ky projekt përbën një tjetër arritje të rëndësishme për Ridvan Muratin dhe një dëshmi se talenti shqiptar po gjen gjithnjë e më shumë hapësirë dhe vlerësim në skenën ndërkombëtare të filmit./KultPlus.com