‘Pak ma shumë ta kishe dashtë, vajza jote kish me qenë gjallë, më beso gjallë nuk është kushdo që merr frymë’

Shkruan Rina Vuçetaj

Veç ta kishe dashtë vajzën pak më shumë… aq sa mos me u ngrysë kur Zoti ta ka falë. Ta kishe dasht aq sa me të shndritë fytyra kur ju ke tregu miqve që ajo ka ardh n’këtë botë. Ose, aq sa mos me e rritë t’u i thanë ‘djali u babës’ sa herë të ka ba krenar – mos me e rritë t’u ja deshmu në çdo situatë se ajo duhet me luftu për epitetin që vllau i saj e ka pas që në lindje.

Oh.. veç ta kishe dasht pak ma shumë. Aq sa me u çu me e qitë kafen tende vet, a me shtru sofren edhe për të – me ja deshmu keshtu se n’këtë botë rolet i kanë nda njerëzit e ajo meriton me qenë edhe roli krysor. Ose, me e pritë me buzqeshje kur kthehet e ngrysun prej shkollës, me e pyet çfare dhimbje ka, pa supozu që ka bë ndonji mekat.

Veç ta kishe dashtë paak më shumë, aq sa me i thanë “ndaju çika jeme, se jeta është e jotja – shtepia e zemra ime poashtu” kur e ke pa si një djalë t’cilit ja ka falë zemren po ja ndanë at në copa, pa pike pendimi. Pak më shumë bre, paak… aq sa mos me ja permend që diploma eshtë pergatitje për shpi të huaj, bashk me tana aftësitë tjera. Në vend të kësaj, me i thanë se qielli është limiti dhe ajo mundet me gabu, me provu prap e me e ndertu jetën që e meriton. Ta kishe dasht aq sa me e llogaritë ekzistencen e saj kur i qet temelet e shtepisë ose me e thirrë e me e pyet ‘si je?’ sinqerisht, edhe pasi e ke percjellë n’derë të huaj edhe e ke rritë t’u ja rrenjosë në trup idenë se kudo është e tillë…

Ta kishe dasht, babë, veç pak më shume, ajo e kishte reflektu e shpernda kete dashni. E bashk me këtë edhe zanin, forcën, shpresën te një grua tjetër.

Pak më shumë ta kishe dashtë, vajza jote ose vajza e dikujt tjetër sot kishe me qenë GJALLË… dhe më beso nuk është gjallë kushdo që merr frymë./ KultPlus.com

‘Grua, ti mund të hapësh dyer nëse refuzon t’i mësosh vajzës tënde nënshtrimin që ty të mësuan’

Poezi nga Rina Vuçetaj

Grua,
të thanë të dashurosh
se ti dhe dashuria i falni botës jetë.
E më pas të gjykuan
se u dashurove heret,
dashurove tepër
ose u dashurove shpejtë.
Buzëqesh – të thanë,
se buzëqeshja është butësi
e ndryshe nuk të duan.
E kur dhimbjet e jetës
t’u bënë lot të fshehur,
e sytë refuzuan të qeshin
një ditë…
ti ishte ndryshe,
ti u bëre zhgenjim,
perseri të gjykuan.
Të mesuan të mos lodhesh,
e nëse lodhesh – të mos ankohesh,
ose, edhe nese ankohesh
të mos e bësh zëshem.
E kur u bëre një me heshtjen
të gjykuan pse s’ke zemer,
aq sa për të hapur zemren
për të ndarë lotët
ose buzëqeshjen.
Grua,
ti në krahë mbanë
peshen e dhimbjes së gjeneratave
dhe peshen e rregullave të pa shkruara.
Ti nuk mund të ndryshosh historitë
që të formësuan rrugën,
ose të thashë lotët
që ujvara dhimbjeje krijuan.
Por TI,
je ngjyra që vet e zgjedhë:
e lodhur ose plot jetë,
e buzëqeshur ose e trishtuar,
e urryer ose e dashuruar…
Ti mund të hapesh të tjera dyer,
të fillosh të tjera rrugë,
nese refuzon t’i mesosh vajzes tënde
secilen dromcë nenshtrimi
që ty të mesuan./ KultPlus.com

Letra e një nëne: Biri im nuk mund të rritesh pa u vrarë

Shkruan Rina Vuçetaj

Letra e një nëne

“Biri im,

Mbase do të rrezohesh disa herë, para se të kuptosh se: të jetosh duke tentuar të ngritesh, dhëmb më pak sesa të zvarritesh gjithë jetën. Do të duhet të jetosh me ankthin që shkakton pendimi, kur fjala “më fal” do të të përplaset në fytyrë, para se të mësosh rëndësinë e faljes. Do të duhet ta ndiesh në trup dhimbjen që e krijojnë fjalët e thëna, para se të njohësh vlerën e heshtjes. Do të duhet të përballesh me kritika e me përqeshje, para se të kuptosh çfarë shije të hidhur ka gjykimi.

Më fal nëse nuk do të jem aty për të t ‘shëruar plagët e jetës, siç t’i shërova plagët e rrëzimeve kur po rriteshe. Por, sa herë që ndihesh shumë i lënduar e unë nuk jam aty për të  t‘përqafuar, të lutem kujtoja vetes atë që të kam thënë shumë vite më parë, sa herë me lot në sy m’i tregoje gjunjët e përgjakur: nuk mund të rritesh pa u vrarë!”/ KultPlus.com