Mungesa e zhvillimit në Shqipëri sipas Mehdi Frashërit

Shkruan Roland Sylejmani.

Mehdi Frashëri, ndonëse ishte doktoruar për politikë e ekonomi në Universitetin e Stambollit, në veprën e tij “Probleme Shqiptare” vjen në rolin e sociologut, duke diagnostifikuar disa prej problematikave thelbësore që sipas tij e rëndojnë Shqipërinë, të cilat e pengojnë funksionimin e rregullt të saj. “Probleme Shqiptare” është një analizë përplot informacione mbi sjelljet dhe mendësinë e shqiptarëve në tentativën e tyre për zhvillim dhe ndërtim të një shteti të qëndrueshëm, i cili s’po arrin të realizohet dot sipas Mehdiut.

Qysh në hyrje të kësaj vepre shtrohet nevoja e domosdoshme për t’i gjetur një përgjigje mungesës së zhvillimit të ambientit fizik të Shqipërisë. Duke marrë shembullin e sociologut ai vendosë të jap një diagnozë në lidhje me shkaqet që e kanë lënë prapa zhvillimin e Shqipërisë. “Probleme Shqiptare” më shumë mund të konsiderohet si një program politiko-ekonomik për zhvillimin e Shqipërisë. Ai bënë ndarjen e problemeve në disa shkaqe, të cilat duhet ndërlidhur për të dekonstruktuar funksionimin e një shoqërie të tërë. Për fat të keq, shumë prej problematikave të cilat i shtron Mehdiu, si një mënyrë emergjente për të ndërhyrë në riparimin e tyre, i gjejmë edhe sot e kësaj dite në Republikën e Shqipërisë.

Në këtë shkrim, unë kam analizuar vetëm tre nga shkaqet që Mehdiu i paraqet si problematike.

Shkaqet gjeografike
Kur u referohet shkaqeve gjeografike, konstaton se parakusht që të zhvillohet një qytetërim është e domosdoshme të jenë të përshtatshme kushtet gjeografike. Ai përshkruan Parisin dhe Vjenën, si dy qendra të mëdha të zhvilluara pikërisht për shkak se të dyja shtrihen buzë lumenjve të mëdhenj siç janë Sena dhe Danubi. Sipas tij prania e lumenjve ndihmon në krijimin e kushteve për ngritje dhe zhvillim të shpejt.
Shqipëria, ndonëse ka katërmbëdhjetë lumenj në 350 km përgjatë territorit të saj, që do të thotë se është një vend i cili ka burime të mjaftueshme me ujë, vë në dukje se problem kryesor qëndron te malet e mëdha e të rrepta të cilat ndajnë zonat fushore të Shqipërisë duke penguar krijimin e kushteve për ngjizjen e një vendbanimi të madh e të sigurt.
Për të ilustruar këtë problem të madh gjeografik, ai tregon shembujtë e Tiranës me Elbasanin, qytete të cilat në vijë ajrore janë shumë afer me njëra tjetren, por të cilat ndahen në mënyrë të prerë nga malet e rrepta të Krrabës, gjithashtu mali i Dajtit ndan Tiranën me Matin dhe pamundëson një komunikim të rregullt mes tyre.

Shkaqet historike
Aspekti historik është një nga ato që merr dimension qëndror në këtë vepër. Shqipëria shihet si target i fuqive pushtuese, sa herë është dashur të sulmohet. Brigjet e detit, prania e saj e madhe në det e bënte Shqipërinë vendin e parë të sulmit. Skenderbeun e vendosë në qendër të asaj që rilindas e quajnë si periudhën e motit të madh. Nëse analizojme veprat e autorëve të rilinjës kombëtare shqiptare, të gjithë nga ata idealistë kanë ndonjë punim ose vepër e cila u kushtohet kohës së Skëndërbeut. Mehdiu për dallim nga ideologët e rilindjes, thekson luftën e Skenderbeut si një luftë ndonëse është mbeshtetur në mbrotje të krishterimit ajo është bërë për të mbrojtur qytetrimin perëndimor i cili qe pushtuar nga Perandoria Osmane.
Konvertimin e shqiptarëve në muhamedan e sheh si një formë poshtëruese për të arritur sundim më të lehtë në këto vise. Për ata të cilët përqafonin islamin kishte benificione dhe të mira materiale, shmangie nga taksat që përcaktonte perandoria. Në këtë pikë Mehdiu flet me cinizëm në raport me të qenit pragmatik, si shembull përmend faktin se në atë periudhë, nëse në një familje shqiptare kishte tre vëllezër, i madhi merrte riskun e të konvertuarit në mysliman, ndërsa dy të tjerët mbesnin të krishterë. Kjo pastaj sillte edhe gjëra interesante në sjelljet e përditshme të te konvertuarve. “Bie fjala në katunde thjesht muhamedane festohen ditët e shenjtorëve më me rëndësi si Shën- Gjergji dhe Shën Mitri ashtu edhe ditët e shenjtorëve që kanë qenë mbrojtësit e atij katundi si Shën – Kolli e Shën – Pjetri e të tjerë. Gjithashtu gratë muhamedane, kur zënë farën e kosit ose kur bëjnë brumë për të gatuar, pa i ditur shkakun, bëjnë shenjën e kryqit.”

Shkaqet shoqërore
Në këtë pjesë, Mehdiu sulmon shpenzimin e kohës së lirë nga ana e shqiptarëve. Sipas tij, mungesa e salloneve për vallëzim, sallave për lexim, bibliotekave, hapsirave të tjera për dëfrim, është një problem shumë i madh i cili stagnon zhvillimin e shoqërisë shqiptare në Shqipëri dhe dëmton shpenzimin e kohës së lirë nga ana e qytetarëve.
Të gjitha këto po i kontribuojnë krijimit të një gjendje aspak komode për të zhvilluar individualizmin e shqiptarit, përmes të cilit do të niste përparimi i shoqërisë. Një theks tjetër që e plotëson krahas mungesës së ambienteve publike, është edhe mënyra se si ndërtohen raportet brenda familjes. Ai konsideron se bashkëjetesa në një kulm të shumë anëtarëve të familjes paraqet një problematikë të madhe: “Nën një strehë jetojnë vëllezër, por nganjëherë, edhe kushërinjtë të martuar jetojnë së bashku, dhe shumë herë një prej këtyre përpiqet e djersin për të gjithë familjen. “ element i fortë i cili shkakton ndjenjën e pasigurisë tek anëtarët e tjerë të familjes./ KultPlus.com