Digjet objekti i shkollës së vetme shqipe në Dacaj të Rozhajës, cilësohet e qëllimshme

Zjarri ka kapluar një sipërfaqe të madhe të pyjeve në Malsinë e Rozhajës. Ky zjarr është shtrirë edhe më gjerë duke përfshirë fillimisht depon e drurëve e tutje edhe ndërtesën e shkollës fillore “Dacaj” në Dacaj të Rozhajës, përcjellë KultPlus.

Kjo njëherit ishte shkolla e vetme shqipe në këtë krahinë.

Në emër të kryesisë dhe anëtarësisë së shoqatës “Kosova për Sanxhakun”, Ismet Azizi ka reaguar duke kërkuar përgjegjësi nga organet kompetente sepse sipas tyre kjo djegie është e qëllimshme sepse edhe më herët, nga qarqet antishqiptare, është tentuar të digjet e shkatërrohet, duke tentuar që në këtë mënyrë ta ndalojnë edukimin dhe arsimimin e nxënësve shqiptarë të kësaj Malësie ende të pa asimiluar gjuhësisht.

KultPlus ju sjell reagimin e plotë të shoqatës “Kosova për Sanxhakun”:

Me dhimbje të madhe morëm lajmin e hidhur të Malësisë së Rozhajës, pyjet e së cilës janë përfshirë nga zjarri i shtrirë në dhjetëra vendbanime. Por edhe më të indinjuar jemi për lajmin shumë të hidhur për djegien objektit te shkollës së vetme shqipe të kësaj krahine. Dyshohet se parmbrëmë në orët e vona, se shkolla në Dacaj është thyer dhe i është vënë flaka.

Kërkojmë nga organet përgjegjëse shtetërore të rendit e sigurisë që sa më parë t’i zbulojnë shkaktarin përkatësisht autorin e mundshëm të kësaj zjarrvënie të qëllimshme me pasoja të mëdha për këtë shkollë, nxënësit, mësimdhënësit dhe për tërë banorët e Malësisë së Rozhajës, e cila iu ekspozua zjarrit të madh ku u dogjën pyje dhe shtëpi gjithandej.

Kërkojmë nga organet përkatëse një hetim të hollësishëm rreth djegies së shkollës në Dacaj e cila edhe më herët nga qarqet antishqiptare është tentuar të digjet e shkatërrohet, duke tentuar që në këtë mënyrë ta ndalojnë edukimin dhe arsimimin e nxënësve shqiptarë të kësaj Malësie ende të pa asimiluar gjuhësisht.

Në kohën kur Mali i Zi vazhdon të provokohet në mënyra të ndryshme nga qarqet sernomadhe, qoftë edhe nga ato që fshihet pas veladonësh të priftërinjve, është mjaft e qartë që të njëjtat qarqe janë të preokupuara që të shkaktojnë probleme artificiale në vend, qoftë edhe duke ndërmarrur veprime drastike sikurse që është edhe djegia e objektit të Shkollës Fillore “Dacaj“ në Dacaj të Rozhajës, që e ka një histori të bujshme të arsimimit e të edukimit në gjuhën amtare shqipe të shqiptarëve të kësaj malësie.

Deklaratat dhe dëshmitë e mësimdhënësve të kësaj shkolle, na bëjnë të dyshojmë se objektit të shkollës i është vu zjarri me qëllim, andaj kërkojmë që urgjentisht të ndërmarrën masa për zbulimin e shkakut dhe autorit. Me zbulimin e autorit largohet dyshimi dhe duke qenë prore në favor të bashkëjetesës dhe bashkëpunimit ndërkulturor të popujve në këto hapësira, Shoqata “Kosova për Sanxhakun” e sheh si çështje të ngutshme zbulimin e këtij rasti dhe dënimin e autorëve të mundshëm të kësaj zjarrvënie që nuk dogjën vetëm objektin e shkollës por dogjën sipërfaqe të tëra, objekte banimi dhe rrezikuan jetën e banorëve, dhe ky është një tentim mizor i helmimit të marrëdhënieve të njerëzve të një nën qielli e fati të përbashkët jetësor. / KultPlus.com