Jashari: Orët e humbura gjatë grevës nuk do të kompensohen

Pas vendimit për pezullimin e grevës, kryetari i SBAShk-ut, Rrahman Jashari, ka njoftuar se orët e humbura gjatë grevës nuk do të kompensohen, përcjell KultPlus.com

“Sa i takon orëve të humbura me Kontratën Kolektive që e kemi nënshkruar me Ministrinë e Arsimit thuhet qartë se orët e humbura në grevë nuk do të mbahen. Unë uroj që MAShT-i të mos dalë me deklarata kërcënuese, mbase ne do t’i relaksojmë marrëdhëniet dhe sa i takon SBAShK-ut do të bëjmë këtë.”, u shpreh Jashari

Ai tutje i bën thirrje MAShT-it që të ulën dhe të bisedojnë për një marrëveshje mes dy palëve./ KultPlus.com

Kjo është oferta e fundit e Qeverisë për SBASHK-un, Nagavci: Mësimi të fillojë që sot

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci tha se do të shqyrtohet vazhdimi edhe gjatë vitit tjetër i Pakos për Përballje me Inflacionin.

Nagavci nga Kuvendi i Kosovës iu tha mësimdhënësve që ta ndalin grevën dhe pastaj tha “bisedojmë dhe adresojmë çdo kërkesë që e keni”, raporton Gazeta Express.

“Duhet ta përmendim edhe një gjë. E kemi thënë edhe publikisht që mbështetja prej 50 eurosh, gjegjësisht Pakoja nga Qeveria do të rishqyrtohet në fund të dhjetorit në mënyrë që të planifikohet me buxhetin e vitit të ardhshëm”, tha Nagavci.

Ministrja bëri thirrje që mësimi të fillojë “që sot”.

“Dhe nga këtu – ndonëse jam akuzuar për presion, dhe nëse kjo është presion unë e them dhe nuk dyshoj se është e drejtë dhe përgjegjësi e secilit prej nesh – bëj edhe njëherë thirrje që mësimi të fillojë në shumicën e shkollave ku s’ka filluar që nesër, që sot dhe të mos privohen fëmijët nga e drejta për mësim”, tha ajo./ KultPlus.com

Nuk ndikojnë masat e qeverisë, SBASHK-u do të mbajë grevë

Sindikata e Bashkuar e Arsimit ka reaguar rreth vendimit të Qeverisë së Kosovës, e cila ka ndarë nga 100 euro për disa kategori, në të cilën përfshihen edhe punonjësit e arsimit, përcjell KultPlus.

Ata përmes një njoftimi për media kanë thënë se ky vendim nuk i tërheq ata nga greva e paralajmëruar me 20 prill.

Reagimi i plotë:

Pjesa e parë e deklaratës së kryeministrit Kurti  para medieve të nderuara për 100 euro shtesë edhe për të punësuarit në sektorin publik krijoi një lloj entuziazmi dhe sindikatat menduan se Qeveria ka ndryshuar qëndrimin e gabuar  ndaj sindikatave dhe kërkesave të tyre legjitime, por pjesa e dytë e deklaratës së tij tregoi se ai bashkë me Ministrin Murati këtë veprim e kanë bërë pse u është tekur ashtu dhe se mbështetja me 100 euro vlen vetëm për një muaj.

SBASHK-u  i thotë Kryeministër t’u rrittë ndera, por kërkesat e SBASHK-ut dhe sindikatave tjera mbesin të parealizuara sepse nuk ka dialog fare e as takime përmbajtjesore me sindikatat për të gjetur zgjidhje të përbashkët e të pranueshme për kërkesat e tyre që me 100 euro mbështetje të vazhdohet për gjithë të punësuarit në arsim, që nga çerdhet e deri në universitete dhe për shumë institucione të kulturës edhe në tërë sektorin publik  deri të nis së implementuari Ligji i pagave. Që përfaqësuesit e sindikatave  të jenë të kyçur e të barabartë në procesin e përgatitjes së versionit të këtij Ligji, që është jetik për gjithë të punësuarit në sektorin publik dhe që të merren parasysh propozimet konkrete e të argumentuara të tyre dhe të inkorporohen në këtë Ligj me qëllimin e vetëm që punëtorët arsimorë të kenë vend meritor në këtë Ligj. Që të ketë  takime me Ministrit gjegjëse në vazhdimësi për të zgjidhur edhe kërkesat tjera legjitime të anëtarësisë. Kjo nuk po ndodh dhe pas 20 prillit do të fillohet me veprime sindikale  në tërë sektorin e arsimit sepse kështu kanë vendosur, jo një individë, por delegatët e Kongresit të SBASHK-ut, që janë përfaqësues dhe zë i gjithë të punësuarve në sektorin e arsimit, që nga çerdhet, Arsimi Parauniversitar, Universitete dhe në shumë institucione të kulturës.

Në fund Kryeministër me qëllimin më të mirë SBASHK po të këshillon qortoj pak dofarë zëdhënësish të Partisë, dofarë analistësh, që po flasin në emër të partisë tuaj e madje edhe ndonjë deputet, po ashtu të partisë suaj, që të ndalin deklaratat me plot shpifje e fyerje e kërcënime ndaj SBASHK-ut dhe në veçanti ndaj kryetarit Jasharaj. Ato nuk i bëjnë  nder as atyre e as Qeverisë dhe as Kosovës”. /KultPlu.com

Jasharaj: Duhet të bëhet ligji që ia pamundëson politikës përzierjen në arsim

Sindikata e Bashkuar e Arsimit të Kosovës (SBAShK), po e konsideron si problem tejet të madh rekrutimin e punëtorëve arsimor, duke i quajtur konkurse burokratike.

Kryetari i kësaj Sindikate, Rrahman Jasharaj, në një intervistë ka thënë se zëvendësimi me kuadro jo-adekuatë do të sjell probleme në arsim.

“Rekrutimi i punëtorëve të arsimit gjithmonë ka qenë problematikë, ngase është një procedurë kogja burokratike, shpallen konkurse pastaj institucioneve i duhen diku dy muaj për ta realizuar sepse ligjet e kanë bërë shumë komplekse këtë dhe ajo çfarë duhet të arrihet, se marrëveshja është dhe nëse papritur mbet një vend i zbrazët pune për arsye të ndryshme të lejohet që të merren kuadro nga ai kuadër i cili është në pritje dhe që ka konkurruar në konkurse por nuk është pranuar sepse në Kosovë kemi që për një vend janë 30-50 e më shumë”, tha Jasharaj.

“Zëvendësimi me kuadro jo-adekuatë do të na sjellë probleme. Shteti ka siguruar mjete që ata të zëvendësohen me kuadrat që janë në pritje dhe falë Zotit në Kosovë ka mjaft kuadro të reja, të përgatitur dhe është mëkat që ata të lihen në pritje e pa punë e të bëhen zëvendësime të ashtuquajtura brenda shkollave”.

Sipas tij, për shkak të pandemisë do ishte e mjaftueshme nëse arrihet të realizohet plan-programi mësimore deri në 70%.

“Do të jetë fitore e madhe që secili shtet ta mbyll këtë vit shkollor me sa më pak pasoja, me sa më pak të prekur, të vetëdijshëm se viti shkollor nuk është kryer në tersi sa duhet. Kemi dhe manualin i cili parasheh se do të jetë i kompensuar materia që punohet në shkolla do të thotë se është thënë që do të realizohet plan-programi, nëse arrihet të realizohet 70%”, u shpreh tutje ai për EO.

Ai shton se pas tejkalimit me pandeminë, ekspertët arsimorë kanë një punë të gjatë për të bërë analiza dhe të shikojnë gjendjen dhe pasojat në këtë sektor.

“Unë po them uroj që ta tejkalojmë betejën me Covid, dhe pastaj ekspertët me kokat e ftohta duhet të ulen dhe të bëjnë analiza duke mos tentuar ta hedhin fajin herë andej e herë këndej. Ne kemi një komunikim të vazhdueshëm nga larg në takimet që mbahen në vazhdimësi në unionin e sindikatave të Evropës, dhe edhe ata kanë ngritur alarm mbi telashet e arsimit”, shtoi kryetari i SBAShK-ut.

Ligjet mbi arsimin, Jasharaj konsideron se duhet, duke ia pamundësuar politikës ndikimin në arsim.

 “Unë mendoj që në të gjithë infrastrukturën që ka të bëjë me arsimin, qoftë atë parauniversitar, dhe atë universitar duhet bërë ndryshime dhe të ecet me kohën”.

“Ajo që mendoj që institucionet nëse vërtet siç po thonë se e duan arsimin dhe si prioritet duhet të bëjnë ligje për t’ia pamundësuar politikës përzierjen direkte në arsim dhe duhet që shkollave dhe universiteteve duhet t’ua kthejmë autonominë”, përfundoi ai, në një intervistë për Ekonomia Online. / KultPlus.com