Ruajtja e veshjeve me vlera historike

Një grup vullnetarësh po japin kohën dhe aftësitë e tyre të rrobaqepësisë për të ruajtur veshjet e vjetra. Siç njofton Zëri i Amerikës, Projekti i Tekstilit bën lidhjen mes të kaluarës dhe të tashmes.

Një fotografi e së kaluarës së Distriktit Harford është e thurur me këto veshje, doreza dhe këpucë.

“Është pjesë e historisë sonë shoqërore. Si visheshin njerëzit, çfarë tregonin me veshjet e tyre. Mendoj se është po aq pjesë e historisë sonë sa edhe dokumentet nga e kaluara jonë”.

Kjo është arsyeja që Shoqata e Historisë në Distriktin Harford në Merilend filloi Projektin e Tekstileve. Veshjet dhurohen nga familjet e zonës që mund t’i kenë mbajtur ato për gjenerata të tëra, para se të vendosnin t’i dhuronin.

Vullnetarët shohin me kujdes nëpër rroba për të vendosur çfarë të ruajnë.

“Çdo veshje duhet ta vlerësosh dhe të vendosësh nëse ka ndonjë dëmtim nga mola. Mund të kenë nevojë për ndonjë qepje apo restaurim”.

Me durim, pasion dhe punë të kujdesshme, vullnetarët zbulojnë sekretet e secilës pjesë.

“Mund të gjesh çdo gjë në Internet. Përdorim edhe disa libra. Kur nuk jemi të sigurt për diçka dhe kemi kohë dhe mundësi financiare, punësojmë një profesionist që di të përcaktojë mirë secilën veshje.”

Veshjet datojnë nga fundi i viteve 1700 në fillimin e viteve 1800 e deri në 1970-ën.

“Ky është një fustan nusërie nga viti 1969 dhe është e një ish-anëtareje të bordit.”

Për të ruajtur veshjet nga dëmtimet e mëtejshme, vullnetarët përdorin kuti të veçanta për magazinimin e tyre.

Shoqata për Historinë e Harfordit është një organizatë jo-fitimprurëse 132 vjecare që i ka zyrat në një ndërtesë postare në Bel Air të Merilendit.

“Ne përpiqemi të gjejmë gjurmët e historisë sonë të kaluar dhe ta ruajmë atë, në mënyrë që njerëzit të dinë se nga kanë ardhur dhe si kjo e kaluar na ka ndihmuar të bëhemi këta që jemi sot”.

Vizitorët e muzeut të shoqatës mund të shohin dokumentet historike dhe gazetat si dhe artefakte, mobile dhe fotografi.

“Më pëlqen të shoh veshje të vjetra. Nëna ime është rrobaqepëse, kështu që unë mund të vlerësoj kohën që duhet për të krijuar diçka të tillë, veçanërisht punën e ndërlikuar që kanë bërë. Ruajtja e këtyre veshjeve është shumë mbresëlënëse “.

Ky qëllim është ai që i motivon vullnetarët dhe i bën të punojnë shumë për të ruajtur çdo pjesë dhe fije të historisë. / KultPlus.com