Silogjizëm futurist

Poezi nga Sadete Tërnava – Osmani

Brof mu ngjite me dorën mbi supe

Thekshëm më dëftove se lakenjtë po kthehen

Mos gabo t’i ndalësh

A i sheh se si himnin  po e krehin

Shtirjen rreth cepave të flamurit

Me dhëmbë të zverdhur po e tundojnë  fatin

“A po i vëren” më thua

Buzësh, duarsh e sysh po mbyten për dashurinë e tij

Tek vringëllijmë bashkë

Ata gojës e ne shpatës

Nëpër dhëmbë vazhdon

“Për zotin dëftuesit edhe djersën e agonisë na e marrin”

Cinizëm do ta quaje ti po të t’thosha se s’kuptoj

Çështja është ta pranosh se ata po kthehen

Këmbëkryq këngën tonë po e këndojnë

Mbi parullën se secili ka të drejtë

Se patriotizmi s’përbën lajm

E heq vështrimin nga  flamuri

Ti përsëri më cyt

“Hë pra do t’rrish, ikësh a fluturosh”

Më mire po rri, them buzësh

Një ditë edhe ne mund të lartësohemi në gurë të bardhë

A i sheh përmasat kallëp për të  gjithë

Flamurin e demokracisë Marksi e paska bërë

Të  mbështjellë  palë-palë

Dhuratë këtyre shpirtrave futuristë

Krahu tashmë mu mavijos e ti s’hesht

Tatjeta të them dhe tek ndahemi pa pajtim 

Mërmëris se  çastin  modern s’e dua

As  imperatorët fitimtarë

Trutë mjaft mu thartuan

Mendimin frazor se zemërimi është emocion negativ

S’e duroj

Dhe, edhe pse me vonesë po them

Po bërtas

E drejta ne emër të futurizmit është marrëzi 

Po aq çmenduri sikur të zgjoheshe në të kaluarën./ KultPlus.com

“Testament lirie për të gjitha gratë, dashurinë veç vetes dhuratë”

Poezi nga Sadete Tërnava Osmani

(Nga rrëfimi i një gruaje në strehimore)

SIKUR

Më mirë hiç mos t’isha ngjizë
As qumështin e nënës mos ta kisha pirë
Asaj udhe shkolle sikur të mos isha përvjedhë
Sot s’do ta dija durimin për vlerë

Më mirë kurrë mos t’kisha pandehur çka është dashuria
Në të vërtetë veç mashtruar paskam qenë
As erën kurrë s’ia paskam nuhatë
Ëmbëlsinë asnjë ditë
Freskinë kurrë një natë

Ah sikur fare vellon e nusërisë mos ta kisha vënë
Ti bija ime mos të më kishe nënë
S’di a do t’ia fal vetes pse e durova atë të bëmë
Atë lëmsh lotësh
Gjithë atë gjëmë

Atëbotë s’e kam kuptuar
Sa thjeshtë paska qenë
Të ikja me ty në krahë
Botës ashpër t’ia përplasja në fytyrë
S’bën të rrisësh fëmijë në mynxyrë

Tani s’kam si të kthehem në kohë
As jetën ta zhbëj në faqen tjetër të saj
Sikur veç një ditë të njëzetat t’i kisha
Testament lirie për të gjitha gratë
Dashurinë veç vetes dhuratë/ KultPlus.com