Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” ka nisur një projekt për përmirësimin e kushteve të shërbimit në Sallën e Periodikut, duke e rikthyer këtë hapësirë në një ambient më të këndshëm dhe funksional për lexuesit dhe hulumtuesit.
Pas një periudhe pune intensive, janë larguar materialet e vjetra dhe është kryer një pastrim i plotë i sallës. Gjithashtu, gjatë javës së kaluar dhe kësaj jave, janë ndërmarrë hapa për përmirësimin e hapësirës, duke përfshirë lyerjen e mureve dhe përmirësimin e ndriçimit, transmeton KultPlus.
Salla e periodikut është një nga hapësirat më të frekuentuara të Bibliotekës Kombëtare, ku çdo ditë shërbehen dhjetëra numra të gazetave dhe revistave për lexuesit, të cilët kanë mundësinë të studiojnë materiale të ndryshme për kërkime shkencore, profesionale dhe informacione ditore.
Tani, falë përmirësimeve, ky ambient do të ofrojë kushte më të mira për lexim dhe hulumtim. Lexuesve do t’u ofrohet një hapësirë e qetë, komode dhe tërheqëse për të kaluar orë të tëra në kërkim të informacionit dhe leximin e materialeve periodike.
Përveç pastrimit dhe lyerjes, është parashikuar një rritje e kapaciteteve të ndriçimit për të krijuar një atmosferë të përshtatshme për studim, duke u kujdesur për shëndetin dhe komoditetin e përdoruesve. Puna do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme për të mundësuar që biblioteka të jetë një vend ku vizitorët mund të kenë mundësinë të zhvillojnë kërkime dhe të kenë qasje në informacionin më të fundit.
Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” vazhdon të investojë në përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve të saj për të krijuar kushte optimale për të gjithë ata që kërkojnë informacion dhe burime për punë kërkimore e studimore./KultPlus.com
Etiketë: salla
Sallë e re shumëfunksionale në DPA, Bido: Mundësi rinisë për të shpalosur talentin
Një hapësirë e re kulturore i është shtuar kryeqytetit në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave (DPA).
Kjo sallë shumëfunksionale, e çelur sot në prani të dhjetëra studentëve të Universitetit të Arteve (UA) do të shërbejë si kinema, sallë leksionesh, trajnimesh dhe eventesh.
Me rastin e hapjes së kësaj salle, DPA-ja dhe UA-ja nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi, që i hap udhën kryerjes së një sërë projektesh artistike dhe kulturore.
Përfaqësuesit e dy institucioneve bashkëpunuese, Drejtori i Përgjitshëm i DPA-së, Prof. Dr. Asoc. Ardit Bido dhe rektori i UA-së, Prof. Kastriot Çaushi, u dakordësuan mbi kushtet e një marrëveshjeje 5-vjeçare, që parashikon zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta.
Kjo marrëveshje synon po ashtu të sigurojë qasje të lehtësuar për studentët e të gjitha cikleve, si edhe për pedagogët e UA-së, në pasurinë arkivore që zotëron DPA-ja.
Në fjalën e mbajtur, Bido tha se përmes kësaj salle, ofrohet një mundësi shumë e mirë për rininë shqiptare për të shpalosur talentin e saj në disa gjini artistike.
“Është kënaqësi që inaugurojmë një ambient të ri të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave. Një sallë multifunksionale që do të shërbejë si sallë leksionesh, trajnimesh dhe eventesh. Në kuadër të riorganizimit të hapësirës së jashtme të DPA-së, ne duam të zhvillojmë aktivitete kulturore dhe duam t’ia ofrojmë rinisë shqiptare këtë sallë, së bashku me Teatrin dhe Kinemanë e Hapur, që të mund të shpalosë talentin e vet. E nisim bashkëpunimin me Universitetin e Arteve. E falenderoj shumë rektorin për gatishmërinë.”- është shprehur Bido.
Në fjalën e tij të rastit, Çaushi shprehu vlerësimin dhe befasinë për këtë nismë, që e ka shndërruar Arkivin në një alternativë kulturore.
“Në këtë sallë gjej befasinë e një salle që më emocion dhe më gëzon, ku do të shfaqet jeta ime dhe e kolegëve të mi, që është filmi. Pasi komunikova me drejtorin tuaj, kuptova që në Arkiv kishte një realitet tjetër. Është një hapësirë që mund ta perdorim. Edhe hapesira jashtë, mund të përdoret për teatër, balet, ekspozitë pikture, dhe për shfaqje muzikore. Ndërkohë që kjo sallë mund të ishte një depo, ju e keni shndërruar në kinema të vogël. Jam vërtet i lumtur. Shoh një realitet krejt tjetër.”- tha Çaushi.
Në përmbyllje të aktivitetit u shfaqën disa materiale filmike të realizuara nga studentë të ciklit master në UA “Vragë” nga Mario Çaçi, “Punë e pambaruar” nga Redi Jata, “5 1sha” nga Dionis Prifti, “Obituari i nesërm” nga Renis Hyka dhe “Hi në tapet” nga Enea Gramo dhe Enton Lazaj.
Në angazhimin e shprehur përmes kësaj marrëveshjeje, DPA-ja merr përsipër vënien në gatishmëri të hapësirës pa pagesë, me përjashtim të rasteve të përcaktuara në marrëveshje. Në këtë marrëveshje përfshihen shfaqja e filmave dokumentarë, vënia në skenë e shfaqjeve të ndryshme prej trupës studentore të UA-së, aktivitete muzikore dhe të arteve të bukura.
Kalendari i aktiviteteve do të përcaktohet bashkarisht prej institucioneve, me shkrim ose në formë elektronike, minimalisht 30 ditë para datës së parashikuar të aktivitetit përkatës. Kjo marrëveshje ka një vlefshmëri 5-vjeçare dhe mund të qendrojë në fuqi edhe përtej këtij afati, në mungesë të vullnetit të palëve për t’i dhënë fund.
Kjo marrëveshje vjen në vazhdën e nismave të herëpashershme të DPA-së, në funksion të inkurajimit të të rinjve për të njohur historinë dhe trashëgiminë dokumentare kombëtare.
Së bashku me Teatrin dhe Kinemanë e Hapur me një kapacitet prej 140 ulësesh, me Hapësirën e Studimit në Natyrë dhe me Muzeun Arkivor që pritet të hapë dyert së afërmi, DPA-ja ofron një alternativë kulturore kryesisht për të rinjtë, që mund të shërbejë njëkohësisht edhe si një pikë atraksioni për turistët./atsh/KultPlus.com
