Arkivi shqiptar del jashtë kufijve shtetëror, hap sallë studimi në Shkup

Nga sot salla e studimit e Arkivit të Shqipërisë do të jetë përtej kufirit, edhe në Maqedoninë e Veriut.  

Këndi Arkivor është hapësira e re e krijuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave e që do të jetë tek Leximorja e Çairit në Shkup.

Në prezantimin e këtij bashkëpunimi që ua lehtëson punën studiuesve dhe të interesuarve për arkivat, ishte drejtori i Përgjithshëm i Arkivit, Ardit Bido, kryetari i Komunës së Çairit Visar Ganiu, zëvendësdrejtori i Arkivit të Maqedonisë, Muzafer Bislimi dhe zyrtarë të tjerë nga Maqedonia e Veriut.

Drejtori i Përgjithshëm Bido, në fjalën e tij tregoi se përmes kësaj platforme, çdo studiues pa qenë nevoja për të udhëtuar drejt Tiranës, mund të kërkojë dokumente arkivore të fondit të pasur me mbi 300 milionë dokumente që ka Arkivi i Shtetit në Shqipëri, e që është e gjithë historia e kombit para vitit 1945, përfshirë edhe viset e Maqedonisë, Kosovës e Rajonit.

“Studiuesi që do të vijë në Këndin Arkivor në Shkup, është njësoj sikur të ishte në Tiranë. Edhe në Tiranë do të bënte të njëjtën gjë, pa as edhe një lloj ndryshimi. Është ekzaktësisht e njëjta formë bashkëpunimi, që nesër pasnesër ta kemi, jo vetëm kombëtar, por dhe rajonal. Ta kemi edhe në Arkivin e Maqedonisë, që ka dokumentacion mbi shqiptarët, por shumicën dërmuese e ka mbi kombin maqedonas, ta kemi edhe me Arkivin bullgar, ta kemi edhe me Arkivin grek, pse jo” u shpreh Bido.

Zëvendësdrejtori i Arkivit të Maqedonisë së Veriut, Muzafer Bislimi, përshëndeti këtë nismë të DPA-së, ndërsa theksoi bashkëpunimin e shkëlqyer që ka Arkiva e Maqedonisë me atë të Shqipërisë, duke shtuar se synimi është që të gjitha fondet që kanë të bëjnë me historinë shqiptare, të jenë si në Shkup, po ashtu edhe në Tiranë.

“Me kalimin e kohës synojmë që fondet që janë për historinë shqiptare, t’i kemi jo vetëm në mënyre elektronike, por edhe fizikisht të kenë mundësi të studiohet edhe në Arkivin e Maqedonisë por edhe në Arkivin e Tiranës. Unë besoj se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe më tej”, – theksoi zv/drejtori i Arkivit të Maqedonisë së Veriut, Muzafer Bislimi.

Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, në territorin e së cilës është hapur Këndi Arkivor, tregoi se e kanë mirëpritur ardhjen e Arkivit të Shqipërisë në Komunën e tyre.

“Jam tepër i lumtur që sot kemi mundësinë që bashkërisht ta hapim, që të gjithë studiuesit të kenë mundësi dhe qasje në të gjithë informacionin dhe të gjitha ato që i kanë lëndë hulumtimi, që të kenë mundësi që edhe pa qenë me prezencë fizike në Tiranë, të kenë mundësi nga këtu të hulumtojnë! Projekti është i qëlluar dhe më vjen mirë se pas Shkupit, projekti menjëherë bartet në Prishtinë!”, u shpreh Ganiu.

Kjo nismë e DPA-së ka për qëllim nxitjen e kërkimit shkencor dhe ofrohet me të njëjtat rregulla, të njëjtat procedura, të njëjtën shpejtësi dhe të njëjtën formë siç ofrohet në Sallën e Studimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.

Procedura e regjistrimi në Sallën e Studimit kryhet përmes internetit, jashtë këtij Këndi Arkivor, në adresën katalogu.arkiva.gov.al. Pas aprovimit, që zgjat një ditë pune, aplikuesi përmes E-mailit do të pajiset me fjalëkalimin për të hyrë në Sallën e Studimit.

Pasi të jetë bërë ky regjistrim, qytetari dhe studiuesi mund të porosisë dosjet që dëshiron, ta konsultojë, si në këtë Kënd Arkivor, po ashtu edhe në adresën katalogu.arkiva.gov.al.

Dosjet e porositura do të shërbehen ditën që është përzgjedhur nga aplikuesi në sistem dhe do të qëndrojnë të qasshme për pesë ditë pune. /ata/ KultPlus.com

8 shtatori, Dita Ndërkombëtare e shkrim-leximit

Sot është Dita Ndërkombëtare e Shkrim-Leximit, e cila ka për qëllim të nxjerrë në pah rëndësinë e leximit për individët, komunitetet dhe shoqëritë.

Dita Ndërkombëtare për avancim të shkrim-leximit e cila shënohet çdo vit më 8 shtator ka për qëllim që të ngritë vëmendjen e opinionit ndërkombëtar në lidhje me problemin e analfabetizmit i cili fatkeqësisht si proces është prezent në shumë shoqëri.

Iniciativa e shënimit të Ditës Ndërkombëtare për avancimin e shkrim-leximit rrjedh nga Konferenca botërore e ministrave të arsimit e organizuar në muajin shtator të vitit 1965 në Teheran e cila temë si bazë e kishte zhdukjen e analfabetizmit, ndërsa UNESCO si ditë ndërkombëtare e shënon nga viti 1966 me qëllim të promovimit të rëndësisë së arsimimit të fëmijëve dhe të rriturve.

Sipas të dhënave të UNESCO, rreth 775 milionë persona të rritur në planet nuk kanë as minimumin e nivelit të shkollimit, 1 në 5 persona të rritur janë analfabet nga të cilët 2/3 janë femra. Rreth 75 milionë fëmijë nuk vijojnë shkollimin, nuk ndjekin rregullisht shkollimin ose e kanë braktisur tërësisht atë./ KultPlus.com

Rreth 750 milionë njerëz në botë nuk dinë shkrim-lexim

Edhe pse numri i personave që shkruajnë e lexojnë është rritur ndjeshëm në 50 vitet e fundit, në mbarë botën ndodhen ende 750 milionë njerëz, dy të tretat e të cilëve janë gra, që ende nuk dinë të shkruajnë e lexojnë.

Sipas të dhënave të Organizatës Arsimore, Shkencore dhe Kulturore të Kombeve të Bashkuara (UNESCO), gjatë 50 viteve të fundit shkalla e shkrim-leximit në mbarë botën është rritur ndjeshëm, sidomos në popullatën me moshë të re. Megjithatë, UNESCO ka tërhequr vëmendjen se 750 milionë njerëz në botë ende nuk e kanë këtë formim.

Teksa vihet theksi se gratë përbëjnë dy të tretat e personave që nuk dinë shkrim-lexim, bëhet e ditur se 45 përqind e personave që nuk dinë shkrim-lexim jetojnë në Azinë Jugore, 27 përqind në Afrikën Sub-Sahariane, 10 përqind në Azinë Lindore dhe Juglindore, 9 përqind në Afrikën Veriore dhe Azinë Perëndimore dhe 4 përqind në Amerikën Latine dhe Karaibe, shkruan Anadolu Agency (AA).

Rritje në normat e shkrim-leximit

Sipas Institutit Statistikor të UNESCO-s, rritja më e madhe në normat e shkrim-leximit në vitet e fundit është arritur në Azinë Lindore dhe Jugore dhe Afrikën Veriore dhe Perëndimore, ku shkrim-leximi është shumë prapa.

Në Azinë Jugore, shkalla e shkrim-leximit për periudhën 1990-2016 u rrit nga 46 për qind në 72 për qind, ndërsa në Afrikën e Veriut dhe Azinë Perëndimore u rrit nga 64 për qind në 81 përqind.

Kjo normë është rritur nga 82 përqind në 96 përqind në Azinë Lindore dhe Juglindore dhe nga 52 përqind në 65 përqind në Afrikën Sub-Sahariane. Ndërkohë shkalla e shkrim-leximit u rrit nga 85 për qind në 94 për qind edhe në Amerikën Latine.

Në disa vende niveli i shkrim-leximit nuk është në nivelin e dëshiruar

Me rritjen e mundësive arsimore sot më shumë të rinj janë në gjendje të lexojnë dhe të shkruajnë.

Instituti Statistikor i UNESCO-s ka theksuar se shkalla e shkrim-leximit në mesin e të rinjve është rritur nga 83 për qind në 91 për qind dhe se numri i të rinjve analfabetë, i cili ishte 170 milionë në vitin 1996, është ulur në 102 milionë në vitin 2016.

Sipas UNESCO-s, 50 vjet më parë, teksa një e katërta e të rinjve 15-24 vjeç nuk dinin shkrim e lexim, theksohet se sot kjo shifër është më pak se 10 përqind e kësaj grupmoshe. Përkundër kësaj, shkalla e shkrim-leximit në mesin e të rinjve në disa vende, veçanërisht në Afrikën Sub-Sahariane dhe Azinë Jugore, ende nuk është në nivelin e dëshiruar.

Pothuajse të gjithë të rriturit në Azinë Qendrore dhe Lindore, në Evropë dhe Amerikën e Veriut dinë të shkrujnë dhe lexojnë. Krahas këtyre rajoneve, shkrim-leximi i të rinjve në Amerikën Latine dhe në Karaibe është gjithashtu i avancuar.

Në disa vende afrikane, shkalla e leximit në popullsinë e moshës së re është më pak se 50 për qind. Ky problem zakonisht është për shkak të mungesës së shkollimit dhe disa problemeve arsimore. Pavarsisht se në vende të tilla si Malavi dhe Zambia, e drejta për arsim është siguruar për të gjithë, niveli i shkrim leximit ende vazhdon të jetë në nivele të ulëta. Besohet se kjo situatë është shkaktuar nga problemet në lidhje me cilësinë e arsimit dhe marrëdhënien e vendosur me arsimin.

Numri i femrave që lexojnë dhe shkruajnë është më i pakët

Vlen të përmendet se numri i shkrim-leximit te femrave në botë është më i ulët se ai i meshkujve. Sipas të dhënave të viteve të fundit, gratë e reja përbëjnë 59 për qind të njerëzve që nuk dinë shkrim-lexim.

Teksa është i pakët dallimi i shkrim-leximit mes meshkujve dhe femrave në Azinë Qendrore dhe Lindore, Europë, Amerikën e Veriut, Amerikën Latine dhe Karaibet theksohet në Afrikën e Veriut, Azinë Perëndimore dhe Jugore si dhe Afrikën Subsahariane, dallimi në normat e shkrim-leximit midis gjinive është më i madh.

Megjithëse në gjysmën e fundit të shekullit të kaluar ka pasur një progres të konsiderueshëm në botë, numri i shkrim-leximit të femrave nga 5 vende në njërin prej tyre është ende nën numrin e shkrim-leximit të meshkujve. Kjo konsiderohet si një problem i rëndësishëm që duhet të kapërcehet si në aspektin e mundësisë së barazisë ashtu edhe nga ajo e problemeve me të cilat përballen gratë në botën e sotme.

Dita Botërore e shkrim leximit

UNESCO në vitin 1967 vendosi që 8 shtatori të festohet si Dita Botërore e shkrim leximit. Në Ditën Botërore të shkrim leximit, që festohet çdo vit më 8 shtator, organizohen aktivitete të ndryshme për të theksuar rëndësinë e shkrim-leximit të individëve dhe shoqërive dhe për të rritur ndërgjegjësimin për çështjet që lidhen me këtë temë.

Në vitin 2018, përveç tërheqjes së vëmendjes ndaj mungesës së punësimit të fokusuar në aftësi, pavarësisht nga përparimi i arritur në shkrim-lexim, Dita Botërore e shkrim leximit do të festohet në temën e “shkrim leximi dhe zhvillimi i talenteve”, me qëllim të përmirësimit të kushteve të jetesës dhe të punës veçanërisht për të rinjtë./ KultPlus.com