Shqipëria parajsa e re mesdhetare

Imagjinoni Mesdheun! Çfarë ju vjen në mendje? Brigjet gjarpëruese të mbushura me shkëmbinj dhe limane. Qielli fantastik, pa një njollë reje. Dhe sigurisht, një det i jashtëzakonshëm, për të cilin nuk ka epitet që mund ta përshkruajë. Nëse nuk i keni planifikuar ende këto pushime verore, ju jeni ende në kohë për të bërë zgjedhjen e duhur. Plazhet fantastike të jugut të Shqipërisë janë perlat e Mesdheut dhe ju duhet patjetër t’i vizitoni, shkruan Traveler.es.

Shqipëria, objektivi juaj i ardhshëm.

Mundohuni të kujtoni plazhe si Costa Brava, Costa Azur ose bregdetin amalfitan… janë destinacionet e para që vijnë në mendje për disa pushime verore të paharrueshme në vijën e bardhë gurore dhe ujin blu të plazheve. Është koha për të shtuar në këtë listë edhe një vend të ri: Rivierën Shqiptare.

Plazhet më të mira të Rivierës Shqiptare

Shqipëria më në fund ka hapur dyert e saj për turistët dhe pushuesit dhe nuk ka nevojë për shumë argumente, thjesht shikoni fotot. Plazhet i ngjajnë parajsës në tokë (dhe disa janë pothuajse të braktisura). Surpriza arkeologjike dhe të gjitha me ndjenjën e zbulimit të një prej sekreteve të mirëfshehura në anën tjetër të Mesdheut.
Një breg i mbushur me surpriza

Riviera nuk ka kufij të përcaktuar, por nëse doni të vendosni një portë, ndoshta do të jetë në Vlorë, 150 kilometra në jug të kryeqytetit shqiptar, Tirana. Këtu është vendi ku Adriatiku takon Jonin, në një takim detar që ju fton të bashkoheni që nga momenti i parë. Vlora vjen me një ngarkesë të madhe historike: Aty u shpall pavarësia e Shqipërisë nga Perandoria Osmane në vitin 1912. Që atëherë, ajo është rritur për t’u bërë një qendër për aktivitetin e rëndësishëm të portit, gjithashtu dhe një nga plazhet kryesorë të Rivierës fantastike .

Plazhi më i ri në dispozicion mund të jetë zgjedhja e ardhshme nëse nuk doni ta ndani veten në shumë bare të këtij plazhi. Uji i Ftohtë, vetëm dy kilometra larg, është një shtrirje e plazheve më pak të frekuentuar, por me një nivel të aktivitetit për t’u pasur zili.

Nëse dëshironi një ofertë të mirë për kohën e lirë, Vlora duhet të jetë zgjedhja juaj.

Pas bregdetit në jug, ndalesa tjetër është qyteti i qetë i Himarës, i ndarë midis vendpushimeve moderne dhe tavernave tradicionale greke. Pak me larg nga Himara është Llamani, një plazh i bukur, i rrethuar nga dy kodra, shumë popullor për turizmin vendas.

Po kërkoni një eksperiencë më të relaksuar? Shkoni në Qeparo, një fshat piktoresk i kapur pas dy shkëmbinjve dhe me pamje nga skena e Mesdheut, pikërisht ajo që keni në mendjen tuaj: portin e artë, detin bruz dhe qiellin e përjetshëm.

Mbërritja në Sarandë, qendra strategjike e Rivierës dhe një destinacion që po fiton popullaritet në Ballkan. Saranda, përkundër popullsisë modeste të saj, po përjeton një periudhë rritjeje të lartë, e cila dallon dukshëm nga “bumi” i ndërtesave në të gjitha kodrat përreth qytetit bregdetar. Por, për momentin (dhe fatmirësisht), Saranda mbetet një opsion i këndshëm si një bazë për të eksploruar plazhet aty pranë, kur ju i keni parë tashmë ata që janë në rrugë.

Oazet e Ksamilit

Midis tyre, Ksamili merr trofeun më të mirë, jo vetëm në zonë, por ndoshta në të gjithë Rivierën. Ky arkipelag i vogël, 20 milje në jug të Sarandës, ka tre plazhe të vogla gurore që pothuajse mund të bashkohen me njeri-tjetrin. Ksamili është shumë afër qytetit të lashtë të Butrintit, sot një nga vendet më të rëndësishme arkeologjike në Shqipëri. Me një park kombëtar, Butrinti tregon shenja të vendbanimeve të lashta romake dhe greke që kanë jetuar aty, në një përzierje interesante që do t’ju marrë një gjysmë dite, për t’ju nxjerrë kështu nga peshqiri i plazhit.

Ejani dhe zbuloni parajsën e re mesdhetare. Apo keni nevojë për më shumë arsye?”, përfundon Traveler.es./KultPlus.com

Finlandezët ‘braktisin’ Spanjën për Shqipërinë

Një komunitet finlandez prej disa dhjetëra personash është vendosur vitet e fundit në Sarandë, përmes blerjes së apartamenteve apo vilave në qytetin bregdetar.

Liliana Verdha, Konsulle e Përgjithshme Nderi e Shqipërisë në Finlandë, thotë se një pjesë e tyre kanë ikur nga Spanja për të ardhur dhe për të jetuar në Shqipëri, transmeton ‘monitor’.

Spanja është e tejmbushur me finlandezë, ka fshatra të tërë me pensionistë, por tashmë një pjesë e tyre po zhvendosen në Shqipëri, për shkak të mjedisit dhe detit, por edhe se kushtet ekonomike janë më të favorshme për finlandezët. Nuk janë vetëm pensionistë, ka dhe shkrimtarë në profesion të lirë, që janë vendosur në Sarandë dhe kanë bërë edhe libra, duke e përmendur Shqipërinë.

Liliana thotë se disa prej tyre i ka takuar dhe i ka falënderuar personalisht për promovimin që i bëjnë vendit tonë, pasi “është ndryshe kur flasim ne për Shqipërinë, ndryshe kur flet vetë një finlandez, pasi është një promovim origjinal”.

Znj. Verdha është e bindur se nëse ka një fushë ku Shqipëria dhe Finlanda kanë potenciale, ai është turizmi. Këtë vit është vendosur lidhje direkte mes dy vendeve, përmes agjencisë turistike Apollo. Ka pasur dy udhëtime në maj-qershor dhe dy në gusht-shtator. Këto ishin më shumë si udhëtime prove, por ecuria pritet të jetë pozitive në të ardhmen.

Lili, e cila prej gati 30 vitesh jeton në Finlandë dhe që prej 15 vitesh është edhe Konsulle Nderi, veç promovimit të vazhdueshëm të Shqipërisë, për disa vite ka financuar vetë Pavijonin shqiptar në Panairet turistike të Finlandës.

Ajo thekson se marrëdhëniet e biznesit mes të dy vendeve, Shqipërisë dhe Finlandës, nuk kanë qenë në nivele shumë të larta. Interes sipërmarrjet finlandeze kanë pasur për të investuar në hidrocentrale, por nuk ka pasur konkretizime. Fortum, një konglomerat i energjisë elektrike, ka qenë në bisedime për të ndërtuar një hidrocentral, por nuk ka pasur finalizim me Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë. Dilema tjetër është dhe ndikimi që hidrocentralet mund të kenë në dëmtimin e mjedisit.

Me potencial znj. Verdha shikon eksportin drejt Finlandës të produkteve bujqësore, sidomos të verërave. – “Finlanda merr sot prodhime bujqësore nga

Afrika e Jugut, nga një distancë shumë më e madhe. Pse të mos i marrë dhe nga Shqipëria?!”. Po ashtu, midis Shqipërisë dhe Finlandës nuk shkëmbehen studentë, sepse nuk ka një marrëveshje për shkëmbime në fushën e arsimit dhe kulturës. Kjo, sipas saj, varet dhe nga marrëveshjet shtetërore që lidhen. Deri tani, asnjëra nga palët nuk e ka nënshkruar një marrëveshje të tillë. – “Pse të mos vijnë studentë shqiptarë në Finlandë?!”, – thotë ajo, duke shprehur keqardhjen që nuk ka një marrëveshje mes dy vendeve, e cila do t’u mundësonte studentëve shqiptarë të studiojnë në mënyrë të rregullt, jo siç bëjnë sot kur përpiqen me të gjitha mënyrat, por shpesh nuk është e mundur dhe detyrohen të kthehen mbrapsht.

Finlanda, nga ana e saj, është e interesuar të eksportojë sa më shumë produkte të veta, teknologji dhe dije. Në fushën e dijeve, znj. Verdha përmend arsimin, ku Finlanda është e dalluar për metodologjinë e mësimdhënies, duke arritur rezultate të larta dhe në Programin për Vlerësimin e Studentëve Ndërkombëtarë (PISA). Ajo tërheq vëmendjen se përtej përpjekjeve të saj personale, duhet të ketë më shumë organizim nga strukturat shtetërore.

Saranda, “perla” e jugut tërheq vëmendjen e turistëve nordikë

Rreth 80 mijë turistë vizituan Sarandën nga rrugët detare në 2 muaj (qershor-korrik) 2018-

Saranda, një nga perlat e bregdetit shqiptar sa vjen edhe frekuentohet më tepër nga turistët vendas dhe të huaj.

Të mahnitur nga bukuritë që të ofron qyteti me një vijë bregdetare për t’u pasur zili, Saranda ofron gjithçka për një pushues, plazh të pastër dhe cilësor, akomodim si dhe një larmi vendesh për t’u vizituar, ku një prej tyre është edhe Kalaja e Lëkurësit me pamjen përrallore që të ofron.

Zëdhënësi i bashkisë së Sarandës, Thoma Nika, në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare theksoi ne në qytetin bregdetar vetëm në 2 muajt e këtij viti (qershor-korrik) nga rrugët detare kanë ardhur rreth 80 mijë turistë të huaj.

“Saranda është duke jetuar ditët e bumit turistik dhe kjo është lehtësisht e dallueshme në këto ditë të para të gushtit por e krahasueshme dhe e ngjashme ka qenë situate në muajin korrik. Ajo që nuk duhet lënë pa thënë është që sivjet ka një frekuentim të shtuar nga turistët e huaj në qytetin e Sarandës, e cila vërehet nëpërmjet shoqërive turistike apo nëpërmjet lëvizjeve që vet turistët kanë bërë zbulime për Sarandën nëpërmjet parablerjeve që kanë bërë me sistemin “booking”. Vetëm nga rrugët detare kanë hyrë rreth 34 mijë në muajin qershor dhe rreth 45 mijë në muajin korrik, që është një shifër goxha e madhe krahasuar me vitin e kaluar, duke shënuar një rritje prej 14% sipas raportit detar”, theksoi Nika.

Duke folur për turizmin si një nga karakteristikat kryesore për zhvillimin ekonomik të qytetit dhe zonës përreth, Nika shprehet se në qytetin e Sarandës ka një dominim nga turistët Nordikë, të cilëve u pëlqen të vizitojnë “perlën” e jugut, Sarandën.

“Është një dukuri 6-7 vjeçare që turistët nga vendet Skandinave e kanë të programuar ardhjen në Sarandë dhe në harkun kohorë të 7 viteve numri i turistëve të këtij rajoni ka shkuar nga 1 mijë që ishte në vitin e parë në 10 mijë sivjet.

Kjo është shifër e konfirmuar pasi ka një parablerje të rezervimeve në hotele.

Janë 14 hotele të Sarandës të preferuara dhe të përzgjedhura prej tyre të cilat janë të rezervuar nga ata. Lëvizja e turistëve Nordik është në mënyrë të tillë që ata vijnë çdo javë nga 100 turistë dhe akomodohen në këto hotele dhe turi i javës paraardhëse ua lë vendin atyre të javës pasardhëse dhe ky është lloji i turizmit “back to back”./ KultPlus.com

Pas Vlorës, aeroport turistik edhe në Sarandë

Qeveria shqiptare tashmë po bën realitet ëndrrën dhe ambicien e shprehur ndër vite për fuqizimin e infrastrukturës aeroportuale.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Tepelena, ku mori pjesë në ceremoninë e çeljes së punimeve për bypass-in e Tepelenës se paralelisht me infrastrukturën rrugore, mund të themi se ëndrra dhe ambicia e shprehur në fushata elektorale për të fuqizuar infrastrukturën aeroportuale të Shqipërisë është në rrugën e realizimit.

“Jemi në proces dhe së shpejti do të finalizojmë edhe kontratën për të çelur aeroportin e Kukësit. Po ashtu jemi në proces dhe së shpejti finalizohet kontrata për të ndërtuar aeroportin e ri ndërkombëtar të Vlorës. Kemi nisur procesin për të bërë vlerësimet e nevojshme për të ndërtuar aeroportin turistik të Sarandës”, informoi kreu i qeverisë./KultPlus.com

Kështu dukej Saranda në vitin 1974 (FOTO)

Saranda është një ndër pikat kryesore të bregdetit shqiptar dhe pikërisht për bukuritë që ka ky vend edhe kostoja për të kaluar pushimet në këtë vend është mjaftë e lartë, shkruan KultPlus.

Tashmë është publikuar një fotografi e viteve të 70-ta, pikërisht e vitit 1974, ku Saranda shihet mjaftë ndryshe.
KultPlus ju sjellë këtë fotografi që mund të shihni dallimin e këtij vendi./KultPlus.com