Mall

Poezi nga Sarandë B. Rugova

Në fëmijëri shpesh ëndrrat më kthejnë
në shtëpinë e vjetër me gur,
kur një dhomë të vogël një zjarr e ngrohi
kur sofrën plot e mbushi nëna ime, me dashuri.

Si zogj të vegjël na bashkonte,
se një ditë do t’i ikim kurrë nuk e mendonte,
midis bukës dhe urisë
buzëqeshje e nënës është dashuri.

Zëri i saj i ëmbël kur thërriste
shpesh në rrugët e New Yorkut më jehon,
një buzëqeshje të lehtë atij imazhi i jap
s’dua të besoj që është vetëm mall.

Në mes të rrrugës shikoj përreth
shumë fytyra e asnjë s’më njeh,
ku kam ardhur nuk e di
n’vend të huej, gjithmonë etje për dashni.

Një zbrazëti më prek shpirtin
një merzi ma vret zemrën
kur më ngushtohet gjoksi
une thërrasë vetëm një emër./ KultPlus.com

T’zhdukun n’kujtesë

Poezi nga Sarandë B. Rugova

Sot për ju protestojmë

dhe për ju jehojnë shumë zana

pikërisht sot l’shojmë

piskamën ma t’drojtune

për nji za t’lodhun

për i drejtësi çi shuhet dal’ngadalë

për t’cilën ju luftuat

për t’cilën sot heshtja bahet kangë

vitet numërohen

e munduna po zbehet

por zani i shpresës ka fuqi

‘se eshnat n’Kosovë do të prehen’

Kjo tokë e bardhë e shtrenjtë

natën k’non bashkë me zanin e qyqes

mallkim keka ky

apo vaj shpresë dhe mall

Sot vendosim pëllëmba gjurmësh

se ju mbetët n’harresë

edhe pse në rrahje të shumë zemrave

ju ende po prehi

aty – diku

e nesërmja ka me u ba mirë

ndoshta mirë

për ne për ju dhe për disa

nji ditë kemi me iu gjetë

e s’bashku kemi me i fol

shumë të vërteta

se si ju andrruat

por nuk u flijuat

për nji kësisoji atdhe/KultPlus.com

                                  

ofsh’Amë

Poezi nga Saradë B. Rugova

mendove se n’pjekuni s’ka me te mungua si tash
e tash?!
çdo nat’ bjen me fjet
e para gjumit te ajo rrugëton
a asht’ mall dhimt dashuni mungesë përkrahje nevojë
atëherë kur veç ajo t’mungon
i perqafim me t’zbut mllefin e dynjas
t’kësaj dynjaje!
s’asht larg jo as afër
asht’ atje ku edhe unë isha
me u kthye atje kthehe prapa
e me u kthye prapa puspafun

AJO s’e duron dështimin tat
jo.
jepi vullnetit
po cilit?
t’pluhnosumit me nevojë amnore

N’mes stuhisë t’vijn zana t’njofshëm
po po, t’ ASAJ
s’lanë me gabua as atëherë
vazhdo
e fort midis deshprimit e fort midis dobësive
e fort përballë fjalëve atyne fjalëve që t’gërvishtin
e fort kur e lyp me t’hapë derën e buzëqeshjes
me hy Brenda e mos me i lan ven asnji bakterije prej jashtë
por jo, duhet me prit me t’prit AJO
pritje e shkurt e gjatë e pacaktueme
t’grumbullohet diçka n’fyt
donë me plas n’menime n’paraftyrime qesh e kjan
kthehe n’zbrazëti
prap fjaltë e SAJ t’japin frymarrje t’thellë fuqi
për ma mirë me u zharit me i kënaq shpirtin
atë shpirt t’lodhun e t’pagjumë
e çuem per me t’kqyr me sy t’imagjinatës
me t’përkdhel me energjinë e durve t’buta t’largta
e kështu ti vetperqafohësh n’mallin e saj
e ajo n’tatin./KultPlus.com