Fotografi brazilian Sebastião Salgado ka sjellë mbi 200 foto bardh e zi të bëra gjatë qëndrimit të tij shtatë-vjeçar në pyllin e Amazonës.
Efekti i fotove të Salgado forcohet nga bashkëpunimi i tij me muzikantin Jean-Michel Jarre, i cili kompozoi një kolonë zanore origjinale posaçërisht për ekspozitën, shkruan euronews, përcjell KultPlus.
I quajtur “Amazônia”, Salgado beson se qëllimi i kësaj ekspozite nuk është estetik, por politik, veçanërisht në lidhje me qeverinë braziliane.
Salgado i referohet letrës së Presidentit Brazilian, Jair Bolsonaro, drejtuar Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, në të cilën ai premton të ndalojë shpyllëzimet ilegale në Amazonë.
“Qeveria e Bolsonaro thotë gënjeshtra pas gënjeshtrave,” tha ai. “Ai jep përshtypjen se po zgjidh problemet, por në fakt po thotë gënjeshtra për të vazhduar shkatërrimin.”
Ndërkaq muzikanti Jean-Michel Jarre, i cili ka siguruar kolonën zanore të fotove të kësaj ekspozite, ka shpjeguar se i është dashur shumë punë për ta krijuar një melodi që do t’i përshtatej fotografive.
“Të gjithë tingujt e një pylli janë tinguj krejtësisht të pavarur nga njëri-tjetri d.m.th. zogu që këndon i injoron plotësisht njerëzit që kalojnë aty, shiun që bie mbi gur, etj. Dhe megjithatë, për veshin e njeriut, kjo formon një harmoni të pyllit”, shton ai.
Salgado u takua me të paktën njëzet komunitete vendase teksa ishte në Amazonë për këtë projekt./ KultPlus.com