“Me i la të dekunit”


Nga Semezdin Mehmedinović
Përkthyer nga Vlora Konushevci 

Qyteti asht i shkretë e i përgjysmuem. Rrallë kush kalon me veturë pranë Kazermës. Duhet me pas aftësi të mira drejtuese që me nji shpejtësi të madhe me i anashkalu pengesat e hekurta në rrugë. Prandej se kam fort kandshëm me vozit çdo ditë pranë Kazermës. Edhe pse duhet me pranu se ka njifarë tërheqje të paarsyeshme kur vozitë në nji qytet të shkretë…
Çdo mëngjes nji grue në Maltë banë autostop. Në rrugë kam përshtypjen se jam i vetmi i mbijetuem në qytet. Andaj me shumë qejf e ndali golfin, ndjej se kështu rrezikun e udhëtimit e ndaj në dysh…
Hajra punon në Gasilhane, ku lahen xhenazet. Për çdo të dekun ajo thotë: e bukur! Ose – i bukur! Për disa thotë: – E bukur, e bukur, e bukur! E lava me ujë të nxehtë…
Kur ajo thotë se për të dekunit asht e randësishme a lahen me ujë të nxehtë a ftohtë duhet me i besue… Hajra asht aq afër dekës! Aq sa mundet me u thanë që deka asht punëdhanësi i saj…
Në nji farë mënyre bestytnore, ndjeja se deka tek Kazerma asht tue u tregu fort e butë me mu, po përbirohet nëpër gishtat e mi, ngase çdo mëngjes pe voziti këtë grue të hareshme, “punëtoren e saj”. Sidoqoftë, jo krejt shërbimet e mia të transportit duhet me u nënvlerësu. Si ajo varka mitike, une me golfin tem – shumë shpesh – i çoj të dekunit në spital prej rrugës. Hajra këtë punë e quen sevap….
Kështu unë i zbulova disa gjana; si p.sh. që deka përsëritet. Në udhëkryqin karshi Tvinit e kam marr nji plak që diq në spital. Mas dy muajve e mora nji djal të ri prej të njajtit vend. Në te dy rastet u prita nga i njajti ekip i mjekëve; ata të dy i vendosën në të njajtën dhomë, në të njajtin shtrat. Simetria plotësohet kur t’ju tregoj se ata ishin babë e bir.
Asgja për dekën s’mundet me u thanë me fjali të trishta…
Kur i diq baba nji kojshiu, vendosëm me varros tek varrezat afër xhamisë së Perandorit. Atëherë ja nisën granatat me ra mbi xhenaze. Aty e vërejta nji gja. Besimtarët nuk bajshin panik; ata u larguen me qetësi në verandë nën strehën e xhamisë. E ata tjerët që Allahut i drejtohen me “Ju” në panik u rrasën nëpër vetura e u thërrmuen rrugëve të shkreta. Njajt ja bani edhe kojshia jem. Që sa ditë po e luti me e çu te varrezat. Masi babën nuk e ka varros … megjithatë, ai refuzon, tue u arsyetu se tutet me kalu pranë Kazemrës.
Kur jemi te deka, tek sot Hajra mi ka shti ethet. Sa u ulë në golf me nxitim nisi me ma dhanë nji dhuratë. Sapun dhe peshqir. Unë rezistova ndaj kësaj dhurate kur ajo me tha mos hezito se unë kam boll … sinqerisht nuk dyshova që s’ka! Hjeka dorë prej rezitencës kur më tha:

– E kam ba nijet për ty …

Gjithë ditën tash dridhem prej sapunit, që asht ba nijet për mu, në bagazhin e golfit tem. Gjersa koha shkon, unë nisi me ndje njifarë tërheqje me sapunin, nji njeri i dekun që ka me u la me ujë të nxehtë. / KultPlus.com