Vdes Shaban Demiri, ministrja Dumoshi shpreh ngushëllimet e saj

Ka vdekur sot trajneri dhe gjyqtari i hendbollit, Shaban Demiri.

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi ka shprehur ngushëllimet e saj duke e vlerësuar Demirin si një njeri të dashur e shumë të vlerësuar në hendbollin e Kosovës.

“Me pikëllim të thellë e mora lajmin se është ndarë nga jeta i dashuri i juaj, trajneri dhe gjyqtari ynë i hendbollit, Shaban Demiri. Jo vetëm ju si familje, por ne si Kosovë, humbëm një prej njerëzve më të dashur e më të vlerësuar në hendbollin e Kosovës. Shabani ka qenë lojtar, trajner, gjyqtar e vëzhgues-kontrollues i sportit të hendbollit, duke e dhënë kështu kontributin e tij në këtë sport në të gjitha segmentet e tij, sidomos në vitet e nëntëdhjeta”, ka shkruar Dumoshi.

Tutje është shprehur se Demiri do të kujtohet për përkushtimin dhe kontributin që ka dhënë për sportin e hendbollit.

“Shaban Demiri, do të kujtohet për përkushtimin dhe kontributin që ka dhënë për sportin e hendbollit sepse ai vazhdimisht ka sjellë energji dhe konkretizim në secilin angazhim të tijin. Ikja e tij nga kjo botë ka lënë një boshllëk të madh në hendbollin e Kosovës. I lehtë i qoftë dheu i Kosovës. Ngushëllime familjes, miqve, bashkëpunëtorëve dhe dashamirëve të Shaban Demirit”, përfundon kështu telegram ngushëllimin ministrja Dumoshi. / KultPlus.com