Ministrja Shahini shprehet e lumtur me shpërndarjen e librave shqip në Luginë

Ministrja e Arsimit e Shqipërisë, Besa Shahini, është shprehur e lumtur me nisjen e aktivitetit të shpërndarjes së librave shqip për nxënësit në Luginë të Preshevës.

“Jam e lumtur teksa Këshilli Kombëtar Shqiptar në Serbi ka nisur shpërndarjen e librave shqip falas nga Shqipëria për rreth 4 mijë nxënësit e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, një kontribut ky i rëndësishëm i qeverisë shqiptare nëpërmjet përpjekjeve të vazhdueshme të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë”, ka thënë Shahini, transmeton Klan Kosova.

“Kjo ditë e shumëpritur për të gjithë, le të jetë një ogur i mirë i punëve të dobishme që çojnë në rritjen e arsimit cilësor në gjuhën shqipe”.

Shahini vijon me videot sensibilizuese: Kujdes të shtuar për shëndetin e gjithsecilit

Ministrja e Arsimit në Shqipëri Besa Shahini ka publikuar një tjetër video sensibilizuese në rrjetet sociale në lidhje me përgatitjet që janë duke u kryer për nisjen e vitit të ri shkollor në këto kushte të vështira të krijuara nga pandemia e koronavirusit.

Shahini përsëriti thirrjen drejtuar mësuesve dhe personelit ndihmës për të zbatuar me kujdes dhe përpikmëri të gjitha protokollet për të mbrojtur shëndetin e të gjithëve.

“Si mësuesit, ashtu edhe personeli ndihmës do të zbatojnë me rigorozitet detyrat që kanë përpara për të siguruar mbarëvajtjen e procesit mësimor dhe shtuar kujdesin për shëndetin e gjithsecilit”, shkruan Shahini në rrjetet sociale./ A2 CNN

Ministrja nga Kosova: Në përfundim të mandatit do të largohem nga qeveria dhe Shqipëria

Besa Shahini, ministre e Arsimit që prej dhjetorit 2018, duket se nuk do të vazhdojë edhe për shumë gjatë të mbajë këtë post.

Gjatë intervistës së dhënë për ‘Ilva Now’ në Euronews Albania, znj. Shahini deklaroi se ka marrë vendimin që të largohet nga Shqipëria në përfundim të këtij mandati qeverisës dhe se ajo nuk do të përfshihet në fushatë elektorale.

“Unë tashmë kam njoftuar dhe kryeministrin Rama dhe kam marrë një vendim se nuk do të vazhdoj të qëndroj në Shqipëri përtej këtij mandati. Jeta ime është e paqëndrueshme në Shqipëri pasi familja ime jeton në Kosovë. Në këto momente kur ka probleme nga këto siç jemi ballafaquar është pak e vështirë. Por, i kam thënë se jam në dispozicion që të shërbej, por nuk do të përfshihem në fushatë elektorale”, tha ministrja e Arsimit.

Zyrat për largimin e saj që qarkullojnë prej ditësh dhe emrat për zëvendësimin e saj, znj. Shahini i konsideroi si të “shëndetshme” pasi tregon jetën dinamike brenda Partisë Socialiste dhe ambiciet në prag të vitit elektoral.

“Mendoj se këto janë diskutime janë normale kur jemi futur zyrtarisht në një vit parazgjedhor dhe këtu reflekton të gjithë vullnetin dhe ambicien brenda partisë. Dhe mendoj se kjo është shumë e shëndetshme”, shtoi ministrja.

Shahini: Mësimi në Shqipëri nis më 14 shtator

Situata me arsimin në Shqipëri ka nxjerrë në një deklaratë për shtyp Ministren e Arsimit Besa Shahini ku foli për masat e ndërmarra për të adresuar problematikat e krijuara pas tërmetit dhe pandemisë, por edhe për vitin e ri shkollor.

Shahini deklaroi se këto dy fatkeqësi nuk lejuan mbajtjen e një procesi normal mësimor, por shtoi se e rëndësishme është që dy projektet e rëndësishme të ministrisë për libra falas dhe “Pakti për Universitetin” do të vijojnë.

Shahini shtoi se viti i ardhshëm shkollor do të fillojë më 14 shtator.

“Tërmeti dhe pandemia e bënë të pamundur që të zhvillojmë një proces normal mësimor. Buxheti i ministrisë për investime madhore tashmë është orientuar drejt rindërtimit të shkollave. Besoj se këtë vendim e mbështesni të gjithë. Në fund të vitit do të ndërhyhet në 38 shkolla të Tiranës dhe 20 të tjera jashtë kryeqytetit. Nga dhjetori do të kemi dhe shkollat e reja. Prioritet kanë shkollat me më shumë nxënës”.

“Përkundër presionit buxhetor të shkaktuar nga krizat kemi ruajtur dy projekte të mëdha për vijimin e arsimit. Arritëm të ruajmë projektin e librave falas. Kemi rritur fashat dhe të atyre që përfitojnë libra falas dhe në shkollën e mesme. Braktisja e shkollës është ulur shumë, por nuk jemi në zero. Të gjithë duhet të kenë qasje në mësim. Projekti i dytë është pakti për universitetin dhe subvencionimin e tarifave për studentët”, tha mes të tjerash Shahini./ A2 CNN

Shahini: Shkollat në Shqipëri do të hapen vetëm për maturantët

Shkollat do të hapen tre javë vetëm për maturantët, ndërsa të tjerët do të vijojnë procesin mësimor online nga shtëpia.

Vendimi u bë publik nga ministrja shqiptare e Arsimit, Besa Shahini.

“Shkollat për maturantët do të hapen nga data 18 maj deri 5 qershor për lëndët e maturës shtetërore. Mësimi nga shtëpia do të vijojë nga klasa e parë deri në të 11 deri në fund të majit. Hapja për maturantët do të zbatohet duke zbatuar rregullat e distancimit social. Arsyeja pse nuk i hapim të gjitha ka të bëjë me numrin e madh të nxënësve që kemi në shumë shkolla. Për shkak të tërmetit një pjesë janë dëmtuar dhe një pjesë kanë kaluar me dy turne. Prandaj vendosëm të hapim shkollat vetëm për maturantët”, tha Shahini.

Minstrja e Arsimit njoftoi se viti shkollor do të mbyllet në qershor 2020, provimet e maturës shtetërore do të mbahen mes datës 8-18 qershor 2020 dhe provimet e klasës së 5 dhe të 9 do të anulohen.

“Kjo na jep mjaftueshëm kohë për të përgatitur diplomat për maturantët që duan të studiojnë jashtë vendit. Provimet e klasës së 5 dhe të 9 do të anulohen. Klasa e 9 nuk e mban të njëjtën peshë si ato të maturës dhe nuk mund të sigurojmë kushtet për kthimin e nxënësve në shkollë. Klasa e 1-11 deri në fund të majit dhe mësimi online për to, do të mbyllet 2 javë më herët”, vijoi ajo.

Shahini theksoi në këtë kohë pandemie procesi mësimor për maturantët do të zhvillohet me distancë 1.5 metra mes tyre dhe numri i nxënësve në një klasë jo më shumë së 15 vetë. /TCH/ KultPlus.com

Gafa me hartën e Kosovës, reagon Shahini: Librin e ndaluam para se të dilte në treg

Pak ditë më parë kryeministri Edi Rama publikoi një video, ku tregohej në hartë se Kosova ishte pjesë e Serbisë dhe jo një shtet i pavarur.

Pas 5 orësh Rama e zëvendësoi videon me një tjetër, postim, por duke mos bërë asnjë reagim për këtë “gafë”.

Sot ministrja e Arsimit, Besa Shahini shkruan se në një libër që përdoret nga nxënësit e klasave të teta në vend ka një tjetër hartë që nuk e njeh Kosovën si shtet.

Shahini shkruan se ky gabim është i paqëllimshëm dhe se ky libër është ndaluar para se të dilte në treg.

REAGIMI I PLOTË

Më erdhi keq kur pashë të postuar në rrjete sociale një faqe të një libri me pasaktësi në hartën e rajonit të Ballkanit.

Kosova është Republikë dhe njihet si e tillë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, 22 vende anëtare të BE-së, SHBA-të dhe shumë shtete të tjera aleate.

Por nga autori i librit, te artisti grafik, te redaktori i shtëpisë botuese e deri te komisioni që ka dhënë OK për botim, nuk kanë qenë në gjendje ta vërejnë mungesën e shtetit të Kosovës në të!

Ky është natyrisht një gabim i paqëllimshëm dhe s’është i vetmi, megjithëse janë bërë përmirësime kolosale në korrigjimin e teksteve shkollore.

Por pa diskutim që nuk do të duhej të ekzistonin pasaktësi të tilla në librat shkollorë! Lajmi i mirë është se kjo ka ndodhur ndërkohë që po zhvillohet procesi i kontrollit të librave shkollorë, pasi sivjet është mbyllur procesi i hartimit të librave të rinj. Pastaj do të vihet në lëvizje detyrimi për shtëpitë botuese që t’i adresojnë menjëherë me fletë plotësuese gabimet e konstatuara, ndërsa në vijim me redaktim të plotë.. / KultPlus.com