Sabiha Kasimati, shkencëtarja e parë shqiptare që u pushkatua nga regjimi komunist

Historia shqiptare numëron qindra gra të cilat lanë gjurmë të mëdha në fusha të ndryshme të shkencës, artit dhe jo vetëm. Shumë prej tyre ranë pre e regjimeve të ndryshme fashiste e komuniste, mirëpo veprat e tyre jetuan e vazhdojnë të jetojnë për të mos u harruar kurrë, shkruan KultPlus.

Ndër gratë që lanë gjurmë në fushën e shkencës, ishte edhe Sabiha Kasimati e cila ishte biologe. Kassimati u pushkatua pas ngjarjes së shpërthimit të bombës në ambasadën sovjetike. Ajo u arrestua më 20 shkurt të vitit 1951 dhe u pushkatua dy ditë më pasë pa iu dhënë rasti as të dal para gjyqit. Ndërsa akuzohej se ishe kundër regjimit komunist dhe se mbante lidhje me armiqtë e vendit.

Sabiha e vijoi kërkimin shkencor edhe gjatë viteve të para të regjimit komunist. Në mbledhjen e Institutit të Studimeve gjatë 13 prillit 1946, Sabiha mori pjesë së bashku me figura të tjera të shquara akademike sikurse ishin: Kostaq Cipo, Mark Ndoja, Selahydin Toto, Eqrem Çabej, Aleks Buda, Gjergj Komnino, Gjergj Ashta, Jonus Tafilaj, Hasan Ceka dhe Nikolla Lako. Mbledhja u drejtua nga Sejfulla Malëshova, ministri i Arsimit. Mbledhja kishte për qëllim analizimin e veprimtarisë së kryer gjatë vitit 1945, prezantimin e planit të ri të punës dhe paraqiti ekipin e ri që do të drejtonte Institutin e Studimeve.

Sipas procesverbalit të mbledhjes, nga viti 1945 deri më 1946, Sabiha Kasimati punoi së bashku me Gjergj Komninon në grupin e drejtuar nga Eqrem Çabej, për përgatitjen e skedave të gjuhës shqipe, për terminologjinë e shkencave të natyrës.

Më 28 janar të vitin 1947, Këshilli i Ministrave me vendimin numër 16, vendosi “riorganizimin e Institutit të Studimeve Shqiptare në një ent autonom të lidhur drejtë për së drejti me Këshillin Ministror”. Instituti do të funksiononte me një rregullore të përkohshme.

Përgjatë vitit 1947 anëtarë të Institutit ishin vetëm 23 pjesëtarët e Asamblesë së Përgjithshme të tij, pjesë e së cilës nuk ishte Kasimati. Në qershor të 1948, mbledhja e radhës e Asamblesë së Institutit të Studimeve, krahas ndryshimit të emrit në Institut të Shkencave, propozoi anëtarë dhe bashkëpunëtorë të rinj, në radhët e të cilëve ishte edhe Sabiha Kasimati. Gjatë vitit 1950 në listën e “anëtarëve të rregullt” të Institutit nuk figuron emri i Sabiha Kasimatit.

Vepra e saj shkencore, punimet në fushën e florës dhe faunës së Shqipërisë u botuan në vitin 1955 nën emrin e shkencëtarit sovjetik Anatoli Poljakoëa, si dhe të studiuesve shqiptarë Ndoc Filipi dhe Ndoc Raka. Në regjimin komunist përvetësimi i punës intelektuale ishte një fenomen që ndodhte. Sabiha dha kontributin e saj për shkencën shqiptare me punën për Muzeun e Shkencave dhe monografinë “Peshqit e Shqipërisë”.

Në 60 vjetorin e vdekjes së saj, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi e nderoi me medaljen Nderi i Kombit. / KultPlus.com

Kujtohet shkencëtarja e parë shqiptare Sabiha Kasimati

Është përkujtuar sot shkencëtarja e parë shqiptare, Sabiha Kasimati, në 105-vjetorin e lindjes. Në këtë përvjetor, familjarët e Kasimatit kanë marrë dosjen e saj të plotë nga Arkivi i Shtetit.

Sabiha Kasimatit (1912-1951), biologë dhe punonjëse shkencore, lindi në Edrene (Adrianopol) të Turqisë Evropiane, në një familje nga Libohova. Më 1927 u kthye familjarisht në atdhe, u vendos në Korçë, dhe kreu Liceun Kombëtar. Punoi si mësuese në shkollën femërore të Korçës dhe në shkollën e mesme bujqësore amerikane të Kavajës (1931-1936).

Më 1936 filloi studimet e larta për biologji (dega e iktiologjisë) në Universitetin e Torinos. Më 1941 mbrojti doktoraturën dhe u kthye në atdhe. Punoi si mësuese e biologjisë në Institutin Femëror “Nëna Mbretëreshë” në Tiranë (1941-1945). Gjatë vitit 1945 qëndroi për kurim në Torino. U kthye në atdhe dhe filloi punën si kërkuese shkencore në Institutin e Studimeve që me themelimin e tij (1946), ku u morr me studimin e peshqve të Shqipërisë. Botoi disa artikuj shkencorë në revistën “Buletin i institutit të Shkencave”. Grumbulloi një material të pasur për iktiologjinë e Shqipërisë, mbi bazën e të cilit do të hartonte një monografi. Më 20.02.1951 u arrestua lidhur me incidentin e bombës në ambasadën sovjetike bashkë me 21 persona të tjerë të arrestuar për të njëjtën ngjarje. U pushkatua pa u gjykuar, më 26.02.1951.

Javën e ardhshme, Muzeu Historik Kombëtar, në veprimtarinë periodike “Një pasdite në muze!” do t’ja kushtojë Sabiha Kasimatit, një nga femrat intelektuale më të shquara shqiptare, shkencëtare e nivelit të lartë, dhe jo vetëm. / KultPlus.com