Kur flasim për fillet e arsimit shqip, na kujtohet mësonjëtorja e parë shqipe në Korçë që u hap në vitin 1887. Por, studiues vendorë e të huaj flasin për një shkollë shqipe më të hershme, që daton qysh prej shekullit XVI në Kosovë.
Bëhet fjalë për Kolegjin e Shën Llukës, që u themelua në
vitin 1584 në fshatin Stubëll të Vitisë.
Studiuesi Sarë Gjergji, thotë se ky kolegj u themelua si
nismë e Vatikanit, i cili në vitin 1896, u bart në një objekt tjetër, që sot
shërben si famulli dhe njëherësh si muze i shkollës dhe njihet si shkolla e Dom
Mikelit.
“Shkolla e Korçës nuk është shkolla e parë shqipe në
Shqipëri dhe dita e mësuesit nuk është 7 marsi. Do të duhej së paku, meqenëse
jemi shtet, do të duhej ta ndryshonim këtë çështje. Ne kemi data brenda këtyre
kopertinave, brenda këtij libri për datat, për mësimin për gjithçka që është
mbajtur. Duke qenë se jemi shtet në veti, do të ishte mirë dhe do të ishte e
ndershme, dhe do t’i bënte nder gjithë arsimit shqiptar, pra jo vetëm në
Kosovë, që Ministria e Arsimit të ndërmarrë hapa dhe ta fusë në kurrikulat
shkollore edhe historikun e shkollës së parë shqipe në Kosovë”, ka thënë
Gjergji.
Studiuesi Gjergji thotë se në vitin 1584, kur kanonikë e
jezuitë të Vatikanit vizituan disa vende të Shqipërisë dhe Kosovës, kishin
sjellë me vete 500 kopje të një materiali shqip. Aktualisht, shkolla nuk e ka
ndonjë kopje të këtij materiali, por sipas studiuesit Sarë Gjergji, duhet të
jetë ndonjë kopje në arkivat e Vatikanit.
Ndërkaq, libri më i vjetër që ruhet në këtë shkollë, është
një libër filozofik i autorit Heinrich Cornelius Agrippa, i botuar në vitin
1638, kurse libri më i vjetër në gjuhën shqipe që ka ky muze ka është “Doktrina
e Krishterë”, botim i vitit 1877.
Ani pse aktualisht nuk ka ndonjë kopje të materialit të
lartpërmendur në gjuhën shqipe të vitit 1584, rikujtojmë se në vitin 1555 veç
se ishte zbuluar “Meshari” i Gjon Buzukut, që konsiderohet si libri më i vjetër
në gjuhën shqipe.
“Dokumenti thotë ‘libër në gjuhën shqipe në 500 kopje’,
kështu e cilëson, tregon për shpenzimet e botimeve dhe transportit që kanë
bartë me vete librin. Komulloviqi dhe Tommaso Raggio kanë qenë të shoqëruar
edhe nga tre shqiptarë, njëri nga ata është Armando Duka. Dy të tjerë, njëri
është student që studion në Romë, Itali, dhe tjetri është një njeri i biznesit
që ka përfunduar studimet te ata dhe që e mbështetë këtë student
financiarisht”, ka thënë Gjergji.
Në vitin 1905, kjo shkollë filloi të udhëhiqej nga mësuesi
Dom Mikel Tarabulluzi, busti i të cilit gjendet në oborrin e shkollës. E në
vitin 1906, numri i nxënësve në këtë shkollë kishte arritur në 42, prej tyre 25
djem dhe 17 vajza.
Këtë e dëshmon letra e mësuesit Dom Mikel, drejtuar konsull
gjeneralit të Austro-Hungarisë në po të njëjtin vit.
Pavarësisht se ishte themeluar nga klerikë fetarë, atë kohë
mësoheshin edhe lëndë shoqërore e shkencore, këtë e dëshmojnë edhe një pjesë e
librave që ruhen në muze.
Përveç “Doktrinës së Krishterë”, në shkollën e parë të
Stubllës mësohej lexim, matematikë, histori, gjeografi e lëndë të tjera të
ngjashme sikur sot.
Këtë e dëshmojnë edhe librat “Numeratore”, “Këndime për
shkollat e para të Shqipërisë”, “Këndimet e çunave” por edhe abetarja shqipe e
vitit 1886, e botuar në Bukuresht.
Ndërkaq, në vitin 2010, ish-ministri i Kulturës, Lutfi
Haziri e kishte shpallur muze këtë shkollë dhe kishte zbuluar pllakatin e
muzeut. Por, inevestimi që kishte bërë Ministria e Kulturës, sipas Gjergjit ka
qenë i gabuar, ngase nuk e kishte ruajtur si duhet arkitekturën e shkollës.
“Ka pasur një ndërhyrje të shtetit. Përkundër qëllimit të
mirë, ndërhyrja ka qenë e gabuar pra ajo që është bërë, dhe ne si komunitet
kemi qenë të detyruar që ta kthejmë së paku në këtë gjendje që e kemi sot dhe
natyrisht kemi marrë të gjitha masat bashkë me famullinë e Stubllës, kishën
pra, që kjo gjendje të përmirësohet edhe më shumë”, ka thënë Gjergji.
Por sot, ky muze nuk gëzon mbështetje të duhur
institucionale, ani pse është në Listën e aseteve të Trashëgimisë Kulturore për
Mbrojtje të Përhershme.
Aty nuk ka ndonjë staf të rregullt, nuk ka ciceronë për
informimin e vizitorëve, e librat dhe materialet e vjetra që janë shumë të
ndjeshme, ruhen në rafte të zakonshme.
Për këtë muze kujdeset vullnetarisht famullia e Stubllës si
dhe Sarë Gjergji.
“Në mungesë të një stafi që do të duhej të ishte këtu, ne
jemi të detyruar të funksionojmë në këtë formë, të vijmë dhe t’iu japim
informacion njerëzve që janë të interesuar për ta vizituar muzeun dhe ju them
sinqerisht që ky muze vizitohet shumë, shumë, shumë nga njerëz të sferave të
ndryshme dhe nga kontinente të ndryshme”, ka thënë Gjergji.
Historia dhe dokumentet për ekzistimin e kësaj shkolle janë
përmbledhur edhe në librin “Stublla me shkollën e parë shqipe” të vet Gjergjit.
Autori i librit, që kujdeset edhe për muzeun, ka njoftuar që
tashmë kanë në plan krijimin e një arkivi digjital, në të cilën do t’i ruajnë
dokumentet dhe do t’i bëjnë më të qasshme për vizitorët dhe studiuesit.
E për këto, ai ka thënë se po punojnë në mënyrë vullnetare
por edhe me ndihmë nga diaspora.