Fati është ngushëllim i njerëzve pa guxim

Shpat Komoni

Njerëzit i kemi dëgjuar shpesh duke thënë “i mjeri ky/ajo çfarë fati të keq ka”, ose “shumë i pafat jam”, etj. Dua të ju them që fati nuk ekziston, fati është ngushëllim i njerëzve pa guxim, pa-motiv, i njerëzve shkurt-pamës.

Shpesh ne dimë ta kufizojmë veten ose të na kufizojnë të tjerët! Ne mund ta kufizojmë veten ashtu siç pretendon Stephen Hawking për vrimat e zeza, ku graviteti është aq i fortë sa edhe drita nuk mund të shpëtoj, e cila ka shpejtësinë treqind-mijë kilometra në orë. Hipoteza vazhdon për vrimat e zeza ku thuhet që krijohet një trysni e madhe, ku çfarëdo trupi qiellor që hyn në të, ai gllabërohet pavarësisht shpejtësisë apo gjendjes së tij. Kështu edhe truri mund të veproj si një vrimë e zezë, ku pavarësisht informatave apo këshillave që merr, truri i mbyllur i tretë.

Por se si mund të na kufizojnë mendjen të tjerët dhe t’i nënshtrohemi fatit, më së miri na ilustron historia e elefantëve. Elefantët kur janë të vegjël lidhen për këmbe me një litar të vogël, mjaftueshëm që ata në atë moshë mos ta këpusin, por kur rriten pavarësisht forcës së madhe që kanë, ata vazhdojnë të mendojnë që nuk mund ta këpusin litarin dhe e lënë veten në mëshirë të fatit!

Nëna e Al Pacinos e mbështeti djalin e saj deri në momentin kur e lodhi sëmundja dhe e këshilloj të bëhet më praktik dhe që ta lë aktrimin sepse aktrimi thoshte është për të pasurit, por ai u inatos dhe vazhdoj ta ndjekë ëndrren e tij. Kurse Albert Einstein thoshte: “U jam mirënjohës të gjithë atyre që më thanë ‘JO’, sepse falë tyre ja dola mbanë vetë!”

Andaj, sfido fatin e elefantit, mos jeto në amulli. Fati është mungesa e guximit! Merre guximin të provosh, të provosh e të provosh derisa të arrish objektivat tuaja. Aktori i madh amerikan Morgan Freeman thotë: “Guximi është çelësi i gjithçkaje në jetë”.

Ironia e fatit është tek ‘Lojërat e fatit’ ku ato ‘thirren në fat’, por a mund të kesh fat dhe të fitosh lojën pa biletë?/ KultPlus.com

Edukimi me frikë ka rezultat rebelimin

Shkruan Shpat Komoni.

Shoqëri me kultura të ndryshme, të gjithë dëshirojnë fëmijë me ardhmëri të mirë. Çdo prind dëshiron që fëmija e tij të jetë i dobishëm për familjen, shoqërinë dhe vendin. Vlerat i përkufizojnë njerëzit andaj ka llojllojshmëri vlerash në vende të ndryshme të botës. Fëmijët gjatë edukimit, dallojnë sipas vendit dhe kulturës.

Shoqëria shqiptare edukatën, besimin e krijon në bazë të frikës/ndëshkimit, andaj kur bëhen imun ndaj frikës, ata rebelohen, shpërfillin ligjin dhe natyrën.

Kemi hasur shpesh duke dëgjuar prindërit teksa i thonë fëmijëve të tyre “mos e le kafshatën e fundit të bukës se të han qeni”. Kjo formë e presionit, e bazuar në frikën ka rezultate fatale në ndërtimin e karakterit të njeriut.

Në bazë të frikës kemi dëgjuar prindër që edukojnë fëmijët e tyre duke iu thënë që “ rri urtë në lokal sepse të vjen arusha”, ose “rri urtë se axha vjen të rreh”, etj. Kështu ndërtojmë urrejtjen edhe ndaj kafshëve dhe njerëzve të tjerë.

Në shkollë notat pesa i marrin nga frika ndaj prindërve, jo nga nevoja për dituri. Por mos të harrojmë se Albert Einstein thotë që “Edukata është ajo që mbetet pasi harrohet ç’është mësuar në shkollë.”

Frikën e kemi të theksuar edhe në religjion, ku njerëzit rriten me frikën ndaj Zotit, Luciferit, Dreqit, shpirtrave etj. Pa vullnetin e lirë të mendjes, fuqisë së dashurisë dhe fakteve.

Në esen për edukimin, Faik Konica thotë që: “Edukimi është shkencë, shkenca e parimeve më të përgjithshme për zhvillimin e plotë të mendimit njerëzor.” Konica vazhdon duke thënë që: “Qartësia apo paqartësia, saktësia apo pasaktësia e ideve dhe e mendimeve, qëndrimi ndaj veprimeve të jetës varën shpesh nga metoda e mirë apo e keqe e të menduarit, ose thjesht, nga mungesa e çdo lloj metode. Edukimi, me një fjalë, s’është gjë tjetër veçse si t’i mësohet fëmijës të veprojë në jetë vetëm pasi të mendojë, të mendojë vetëm pasi të arsyetojë dhe të arsyetojë vetëm , metodikisht dhe nëpërmjet një metode të mirë, domethënë shkencore.”

Në rastet kur rrisim një frikacak, kemi rritur një rebel. Nën frikën e kafshëve për të ngrënë ushqim, ne nuk i duam kafshët kur rritemi dhe i vrasim. Nën frikën e ndëshkimit, kemi si rezultat grupet terroriste islamike. Nën frikën e humbjes, rezultat kemi mos-arritjet.

Gjërat që ne mendojmë që duhet bërë të tjerët, në këtë rast fëmijët, nuk duhet edukuar përmes frikës, por ka shumë forma të cilat mund t’i aplikojmë.

Nëse dëshironi që fëmija juaj të jetë i suksesshëm, mbajeni afër gjersa arrini sukseset tuaja.
Nëse dëshironi që fëmija juaj të pëlqejë kafshët, përkëdheli ato dhe mbajeni fëmijën afër tyre.
Nëse dëshironi që fëmija juaj të lexojë, lexoni vet dhe mbajeni fëmijën afër.
Nëse dëshironi që fëmija juaj të respektoj të tjerët, respektoni ju dhe mbajeni fëmijën afër.
Nëse dëshironi që fëmijët t’i edukoni, ju jeni shembull i tyre sepse fëmijët imitojnë.
/ KultPlus.com