Thyhet pllaka me logon e UÇK-së që ishte e vendosur te shpata e Skënderbeut, reagon skulptori: Akt i turpshëm

Gjatë mëngjesit të sotëm në fshatin Revuç të Podujevës është thyer pllaka me logon e UÇK-së, e cila ishte e vendosur në afërsi të shpatës së Skënderbeut, shkruan KultPlus.

Kjo është bërë e ditur nga vetë skulptori i kësaj shpate, Bedri Kadriu i cili nëpërmjet një reagimi në Facebook ka shkruar se thyerja e kësaj pllake ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit.

Tutje ai ka shtuar se rasti është paraqitur në polici dhe se presin që të vihen para drejtësisë personat përgjegjës për këtë akt të turpshëm.

Më poshtë mund të lexoni reagimin e tij të plotë:

Reagim:

Sot në orët e para të mëngjesit ka ndodh një akt i turpshëm ku persona apo person i pandërgjegjshëm ka thyer pllakën me llogon e UÇK-së e cila ka qenë e vendosur tek shpata e Skendërbeut në fshatin Revuç të Podujevës.

Rasti është paraqit edhe në polici dhe shpresojmë që autorët të zbulohen sa më parë dhe të dalin para drejtësisë për këtë akt të turpshëm./ KultPlus.com

Arti i pikturës dhe shpata e Skënderbeut, krahasimi i mrekullueshëm i kritikut francez

Nga Aurenc Bebja

Në veprën me titull “Les beaux-arts à l’exposition universelle et aux salons de 1863, 1864, 1865, 1866 et 1867 – Artet e bukura në Ekspozitën Universale dhe në sallonet e 1863, 1864, 1865, 1866 dhe 1867” të kritikut të artit, shkrimtarit dhe fotografit francez Maxime Du Camp (1822 – 1894), botuar në Paris në vitin 1867, gjejmë një krahasim midis artit të pikturës dhe heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

 Salloni i 1865

 “…A është e nevojshme të them se pothuajse të gjitha veprave të ekspozuara aktualisht u mungon mendja (shpirti) ? Dëgjoj këtë frymë tërheqëse që bën një pikturë, një statujë, diçka tjetër përveç përfaqësimit brutal të një fakti, një personazhi apo këndvështrimi. Vetëm dora merret parasysh ; ajo mbizotëron trurin : skllavja është shndërruar në zonjë.

 Midis artistëve, unë vë re shumë virtuozë dhe shumë pak krijues. Sidoqoftë, është shpikja, në kuptimin origjinal të fjalës, ‘invenire’, për të gjetur, që është përsosmërisht shenja dalluese e çdo arti. Nëse misioni i vetëm i pikturës është riprodhimi, ajo nuk është më art por zanat (punë). Raymond Gayrard (skulptor francez), një njeri i talentuar, kompetencën e të cilit nuk mund ta mohojmë, ka shkruar :

 “Sipas disa artistëve, shumë të vlerësuar për një pjesë të punës së tyre, materiali i imitimit mjafton për të prodhuar kryevepra. Është e qartë se më këtë duhet të marrim parasysh vetëm anën piktoreske, e cila është ana më e ngushtë (lehtë) e artit. Ekziston para së gjithash, dhe mbi të gjitha, ana morale, ana poetike.”

Asgjë nuk është më e vërtetë. Përndryshe, te z. Blaize Desgoffes (piktor francez), i cili di të kopjojë përsosmërisht një copë fildish, një copë stof, një gotë plot verë, detyrohemi të njohim piktorin më të madh të kohërave moderne, një supozim kaq i çuditshëm sa është i papranueshëm.

 Sulltani Mehmet II, i habitur nga fitoret që arrinte Skënderbeu, i kërkoi Epirotit të tmerrshëm që t’i jepte shpatën e tij. Sulltani nuk pësoi më pak humbje, dhe duke e akuzuar Skënderbeun se e mashtroi, ky i fundit iu përgjigj : “Nuk është shpata ime ajo që ju nevojitet, por krahu që e përdor dhe koka që e drejton atë.”

 Çfarëdo aftësie materiale që mund të arrijë (fitojë) një piktor, nëse truri i tij nuk zhvillohet pa ndërprerje nga studimi dhe reflektimi, ai do të jetë po aq i padobishëm si puna e shpatës së Gjergj Kastriotit në duart e Mehmetit II.”

https://www.darsiani.com/la-gazette/kritiku-francez-i-artit-1865-nese-truri-i-nje-piktori-kenaqet-me-anen-materiale-dhe-shkeputet-nga-studimi-dhe-reflektimi-atehere-ai-do-te-jete-po-aq-i-padobishem-si-puna-e-shpates-se-gjergj-kastriotit-ne-duart-e-mehmetit-ii/